Shkruan: PETRIT SARAÇINI

Për të matur progresin e bërë gjatë periudhës së raportimit, Komisioni Evropian përdor një shkallë vlerësimi në raportin e progresit sipas kësaj radhitjeje: “prapakthim” (backsliding), “pa përparim” (no progress),  “përparim i kufizuar”  (limited progress), “njëfarë përparimi” (some progress), “përparim i mirë” (good progress)   dhe “përparim shumë i mirë” (very good progress).

Gjithçka që duhet bërë më pas është të lexohet raporti dhe vlerësimet ashtu siç janë shkruar.

Fatkeqësisht, tek ne një pjesë e mirë e mediave dhe politikanëve nuk lexojnë dhe nuk i tregojnë publikut atë që është shkruar, por përzgjedhin dhe thonë atë që u përshtatet.

Disa panë vetëm kritikat, e jo përparimin. Disa kanë parë progresin, e jo kritikat. Disa panë kritika vetëm ndaj pushtetit dhe institucioneve. Disa panë dhe i theksuan kritikat e raportit vetëm për opozitën.

Kështu ka qenë prej vitesh në vendin tonë të bukur, i cili ka politikanë dhe media të pagabueshëm. Disa lexojnë “rozë” dhe disa lexojnë “zi”, varet se kujt dhe si i përshtatet.

E sa mirë do të ishte për të gjithë ne, për mbarë vendin, raportin të lexohet ashtu siç është shkruar dhe të raportohet për të realisht.

Dhe, do të ishte edhe më mirë sikur t’i rrekeshim punës, të zbatonim rekomandimet nga ai raport, veçanërisht ato që përsëriten me vite. Edhe qeveria dhe institucionet, edhe opozita, por edhe mediat!