Për platformën #Depolarizohu, e cila është pjesë e projektit “Përmes depolarizimit deri në institucione demokratike, stabile, inkluzive: kontribut i shoqërisë civile”, Instituti për Media dhe Analitikë IMA bisedoi me ministrin e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu.

Pas pjesës së parë të intervistës dedikuar digjitalizimit të institucioneve dhe aktiviteteve për parandalimin e korrupsionit, në pjesën e dytë të intervistës, ministri Aliu u përgjigjet pyetjeve lidhur me reformat në administratë, ballafaqimin me sulmet hibride dhe dezinformatat, si dhe  reformat e legjislaturës mediatike.

Aliu: Po përshtatemi me direktivat e BE-së, secili institucion do të ketë një profil të qartë

IMA: Para do kohe, Enti Shtetëror i Revizionit (EShR) doli me raport për revizion të kryer të suksesshmërisë  të “Reformës në administratën publike”, i cili tregon dobësi të shumta, mes tjerash edhe të mosfunksionimit të Këshillit për Reforma në Administratën Publike (RAP), Sekretariatit të këtij këshilli dhe Sektorit për administratë në MShIA. Çfarë masa ndërmerr MShIA për tejkalimin e dobësive të detektuara dhe cilat rekomandime nga EShR, po ashtu edhe nga shoqëria civile, keni plan t’i realizoni brenda këtij viti?

Aliu: Ju e dini që jemi në fazën e analizës funksionale të institucioneve. Në moment, i kemi katër ligje për administratë publike, që tre prej atyre lidhen direkt edhe me fondet evropiane. Njëri prej atyre është ligji për nëpunës shtetëror, tjetri është ligji për të punësuarit në administratën publike, dhe ligji i tretë është ligji për menaxherët apo drejtorët.

Në këtë aspekt, në moment kemi analizën funksionale që bëhet në nivel të institucioneve, bile këtu në një prej ministrive veç është filluar dhe jemi në proces, është ministria jonë për shoqëri informatike dhe administratë. Dhe, pas kësaj do të krijohet një pasqyrë e qartë, si në aspekt të numrit të institucioneve në nivel të shtetit, ashtu edhe në aspekt të shërbimeve që ato do të japin.

Me fjalë të tjera, çka bëjmë? Krijojmë një vertikale të qartë të krijimit të politikave, të implementimit të politikave, dhe të realizimit të tyre. Kjo vertikale kërkohet fortë nga BE, dhe për këtë arsye, këto tre ligje tani i bëjmë që të jenë kompatibile me kërkesat dhe direktivat evropiane.

Si rezultat nga kjo, do të del që secili institucion i cili do të jetë pjesë e administratës publike, qartë ta ketë profilin – çfarë shërbime jep, në çfarë kohe do të duhet t’i japë shërbimet, sa është numri i të punësuarve, dhe, në nivel të të punësuarve, për secilin prej tyre të kemi një përshkrim të punës.

Momenti i dytë është optimizimi i shërbimeve brenda. Sot, për fat të keq, administrata publike, ka raste në të cilat i kemi dy apo tre institucione publike që japin shërbime shumë të ngjashme. Në këtë aspekt, kur do t’i bashkojmë ato, shërbimi edhe do të përmirësohet, por edhe cilësia për qytetarin do të jetë më e mirë.

IMA:  Kur prisni të miratohen ligjet e nevojshme për reformë në administratën publike?

Aliu: Këtu, për fat të mire do të them, nuk është dëshira jonë kur do t’i sjellim ligjet, por është kërkesë për shtetin nga BE, dhe këto tre ligje që përmenda do të duhet deri në qershor, më së fundi në korrik, të jenë ligje që do t’i kemi sjellë, dhe do të jenë të votuar në parlamentin e shtetit. Kështu që, besoj që me këtë dinamikë, jo veç që besoj, por punoj fortë të jenë ligjet të votuara, përndryshe do të kemi një raport negativ nga Bashkimi Evropian.

Aliu: Agjenci, infrastrukturë dhe informim më i mirë – për mbrojtje nga kërcënimet hibride

IMA: Çfarë masa ka ndërmarrë MShIA për rritjen e sigurisë kibernetike dhe për parandalimin e kërcnimeve hibride?

Aliu: Një prej arsyeve pse filluam ta mendojmë të kemi një agjenci digjitale është pikërisht siguria kibernetike. Sot pasqyra e shtetit në aspekt të sigurisë kibernetike është e disperzuar. Kemi institucione të cilat në nivel lokal kanë gjysmë-shërbim apo shërbim, dhe ato mbrohen në nivel lokal. Me agjenci për digjitalizim, do të kemi shërbim ose mbrojtje të sigurisë së infrastrukturës në aspekt hierarkik. Pra, agjencia do të mbrojë pjesën e, le të themi, sulmeve potenciale, pa mos penetruar në nivelin e dytë apo të tretë. Ky niveli i dytë do të jetë mid-level (i mesëm), ndërmjet agjencisë dhe institucionit të fundit. Dhe niveli i tretë do të jetë institucioni apo zyra, apo ministria, e kështu me radhë. Në këtë aspekt, besoj që zgjidhja e vetme dhe funksionale do të jetë organizimi i shtetit në këtë infrastrukturë.

Momenti i dytë është kapaciteti njerëzor. Sot ne si shtet posedojmë shumë pak kapacitete njerëzore me ekspertë për siguri kibernetike. Agjencia gjithashtu do të punojë me të gjithë këta ekspertë – të cilët, disa prej tyre, do të jenë pjesë e agjencisë, të tjerët do të jenë si part-time, me qëllim që të bëjmë prevenimin e këtyre proceseve.

Dhe, momenti i tretë është informimi i qytetarëve apo i nëpunësve shtetërorë, për pjesën e higjienës kibernetike, thjesht si menaxhohet me infrastrukturën dhe me hardverin të cilin ju e posedoni. Dhe besoj që ky trekëndësh nëpërmjet institucionit, personit, dhe infrastrukturës do të jetë një zgjidhje shumë e mirë.

Aliu: Me kujdes drejt një rregullimi të butë të medias, ndryshimet po punohen bashkë me mediat

IMA: Sa i përket mediave, deri ku jemi me harmonizimin e legjislacionit me direktivat e BE-së dhe çfarë mund të presim të realizohet deri në fund të këtij viti? A po parashikohen masa të veçanta ligjore për luftën kundër gjuhës së urrejtjes dhe dezinformatave, dhe cilat janë problemet brengosëse, sidomos te portalet dhe rrjetet sociale?

Aliu: Gjithashtu, për fat të mirë them përsëri, edhe kjo është një nga kërkesat që e kemi marrë në formë të shkruar dhe në takimet bilaterale nga Bashkimi Evropian. Mediat dhe ligji për mediat duhet të jetë dhe është pjesë kyçe e infrastrukturës së ligjeve në shtet. Për këtë arsye, një pjesë të ligjit për media e kemi tani me flamur evropian në parlament, besoj që deri në fund të muajit do të jetë i votuar. Dhe, pjesa e dytë e ligjit, pasi është më komplekse – aty do të hyjnë edhe rregullimi i portaleve, shërbimet multimediale, infrastruktura e komunikimit elektronik, dhe kështu me radhë. Të gjithë këto do të rregullohen brenda. Dhe besoj që pas këtij ligji, ne do të kemi një pasqyrë më të qartë për mediat, por gjithsesi, tendencat janë që mediave t’u ngritet cilësia e kualitetit, por gjithsesi edhe liria e të shprehurit.

IMA: A do të ketë masa më konkrete të cilat do të ballafaqohen me gjuhën e urrejtjes dhe me dezinformatat? E dimë që BE është duke sjellur një legjislaturë të re, një direktivë të re e cila do të bëjë një rregullim shumë më strikt, sidomos të rrjeteve të mëdha sociale – do të thotë sa më i madh që jeni – aq më të mëdha do të jenë përgjegjësitë. Shpresoni se shpejtë do të transponohet edhe kjo direktivë e re në legjislaturën e vendit?

Aliu: Besoj që është një temë shumë sensitive, jo vetëm për neve por edhe për BE-në, po edhe në nivel botëror. Mediat, gjithandej janë temë sensitive, si në aspektin e krijimit të ligjeve për media, edhe në aspektin e krijimit të kornizave se ku do të lëvizë eko-sistemi për media. Për dy arsye.

Arsyeja e parë është – po të keni një kornizë shumë të fortë, nënkupton që ngulfatni mediat. Po të mos keni aspak, siç është tek ne rasti, ju thjesht keni një kaos në media në aspektin se nuk dihet sa media i keni, nuk dihet forma, cilësia, matja e cilësisë. Kështu, edhe grupet punuese që janë pjesë e ministrisë, janë bashkë duke punuar me persona të cilët janë nga media të ndryshme, si nga portalet, nga mediat e shkruara, që të krijojnë një kornizë ligjore të butë (soft – regulation), në të cilën gjithsesi do të kemi mundësi për matje ose të definojmë indikatorë të qartë – çka është cilësore dhe çka nuk është cilësore, çka është fake news dhe çka është një e vërtetë në media.

Unë besoj që do të jetë sfidë edhe pas kësaj periudhe, dhe besoj që gjithë kohës, siç janë sfidat në nivel botëror, edhe ne do të ballafaqohemi me këtë. E bukura e kësaj është që, vet e cekët, BE tani krijon një direktivë, nuk është lehtë, edhe atje ka ende dilema jashtëzakonisht të mëdha, por do të kemi një target se si duhet të duket ky eko-sistem. Besoj se shpejtë, deri në fund të vitit duhet të kemi një draft version, pasi që këtu duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Do të punojmë bashkë me juve, me mediat, dhe në fund të ditës do të jemi edhe ne të kënaqur si shtet dhe gjithsesi eko-sistemi i mediave do të ketë një kornizë të butë, edhe njëherë e theksoj.

Intervistoi: Petrit Saraçini, më 19 maj 2023

Kamera dhe montazhi: Zharko Trajanoski

Transkripti dhe përkthimi: Meriton Tusha

#демократски_институции #institucione_demokratike #democratic_institutions #CivicaMobilitas

​Projekti realizohet me mbështetje financiare përmes programit Civica Mobilitas
Picture

Disclaimer: Civika mobilitas është projekt i Agjencisë zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim (SDC), të cilin e zbatojnë NIRAS, MCMS dhe FCG. Mendimet e shprehura këtu jo domosdo i reflektojnë qëndrimet e Cvika mobilitas, SDC ose të organizatave zbatuese.