Për platformën #Depolarizohu, e cila është pjesë e projektit “Përmes depolarizimit deri te institucione demokratike, stabile dhe gjithëpërfshirëse: Kontributi i shoqërisë civile”, Instituti për Media dhe Analitikë IMA bisedoi me ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Pas pjesës së parë të intervistës kushtuar funksionimit të institucioneve demokratike, reformave në administratën publike dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në pjesën e dytë të bisedës, ministri Spasovski u përgjigjet pyetjeve për transformimin digjital në Ministrinë e Punëve të Brendshme, për kërcënimet hibride dhe dezinformatat, si dhe për trajtimin e gjuhës së urrejtjes dhe bullizmit kibernetik.

Spasovski: Transformimi digjital është lartë në agjendën e kësaj kryesie të MPB-së

IMA: A ka rezultate konkrete nga politikat e Ministrisë së Brendshme për transformimin digjital, për shërbime më të shpejta ndaj qytetarëve dhe për polici më efikase? Kur do të diitagjlizohen procedurat dhe dokumentet për të huajt (nga lejet, dokumentet, deri te gjobat e mundshme)?

Spasovski: Natyrisht, digjitalizimi, transformimi digjital është lartë në agjendën e kësaj udhëheqësie të MPB-së, sepse nëse arrijmë që të gjitha aktivitetet që i ndërmarrim të japin fryte dhe të jetë funksional bashkëveprimi ndërmjet institucioneve, aq më shumë realisht do të kemi një shërbim më të mirë për qytetarët në këtë pjesë.

Përmenda platformën e Ministrisë së Brendshme, e cila ofron p.sh. evidencën e numrave amë, të dhënat e katalogut për armët, të dhënat për mjetet motorike, shtetësinë etj. Gjithçka është në portalin për shërbimet elektronike të qytetarëve. Fakti është se ky shërbim duhet të promovohet shumë më tepër këtu. T’u bëjmë apel qytetarëve që të jenë përdorues të portalit për shërbime, që të mund në mënyrë digjitale ta realizojnë këtë, në atë mënyrë të gjithë ne të ndihmojmë në shërbimet e qytetarëve.

Kur flasim për MPB-në, do të përmend qendrën e TIK-ut në Prilep si një nga investimet kryesore strategjike të Ministrisë së Punëve të Brendshme me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Është një qendër e të dhënave në Prilep, e cila praktikisht ka për detyrë që të gjitha të dhënat elektronike t’i sigurojë jo vetëm për ministrinë, por edhe të ofrojë shërbime të tilla për institucionet tjera në vend. Pra, një sërë aktivitetesh që ne i ndërmarrim në pjesën e çështjes që përmendët, për digjitalizimin e procesit për të huajt, punojmë së bashku me shumë partnerë ndërkombëtarë – të gjitha këto janë aktivitete që kontribuojnë në forcimin e kapaciteteve të ministrisë.

Për shembull, do të përmend projektin për përhapjen e armëve të vogla dhe të lehta, projekt që po e zbatojmë së bashku me OSBE-në. Thelbi i këtij projekti është digjitalizimi i proceseve përmes të cilave do të mbahen evidenca elektronike për hyrjen dhe shpërndarjen e armëve të vogla dhe të lehta në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Diçka që është jashtëzakonisht e rëndësishme, projekt që e kemi punuar për më shumë se tre vjet. Sot mund të shohim se sa i rëndësishëm është ky projekt dhe parashikimi ynë, do të thosha, i ngjarjeve kur bëhet fjalë për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta, nëse marrim parasysh zhvillimet në rajon.

Spasovski: Lufta hibride shkakton pasoja të paparashikueshme për shtetet

IMA: A ka Ministria e Punëve të Brendshme një qasje sistematike në luftën kundër dezinformatave dhe kërcënimeve të tjera hibride?

Spasovski: Krijimi i dezinformatave, lajmeve të rrejshme, lufta hibride që po bëhet në botë, jo vetëm te ne, shkakton pasoja të papara për shtetet. Mendoj se tani jemi bërë të vetëdijshëm se sa e rëndësishme është të ndërtohet një sistem që mund të ketë një përgjigje të shpejtë ndaj kërcënimeve të tilla, një sistem që mund të jetë rezistent. Dhe mendoj se lufta në Ukrainë, agresioni rus kundër Ukrainës, këto kërcënime hibride, sulme hibride, megjithatë u shtuan dhe na treguan të gjithëve se duhet të investojmë shumë më tepër në mbrojtjen e infrastrukturës, mbi të gjitha infrastrukturës kritike. Pse? Sepse rezulton se ato mund të jenë më shkatërruese, madje edhe se luftërat konvencionale.

Dhe, në këtë kuptim, MPB-ja vazhdimisht punon në dy fusha, nga njëra anë në forcimin e kapaciteteve, resurseve materiale dhe teknike dhe së dyti në kapacitetet njerëzore. Për shkak se kjo është çështje, ky është një sistem që duhet të përmirësohet. Nëse jeni duke bërë një sistem të mirë për mbrojtjen elektronike sot, kjo nuk do të thotë se ai do të jetë i rëndësishëm për atë mbrojtje pas gjashtë muajsh. Dhe kjo është diçka për të cilën ne tashmë po punojmë së bashku me mbështetjen e NATO-s, por edhe të partnerëve tanë, në drejtim të përcaktimit të gjendjes në të cilën ndodhet sistemi i mbrojtjes, si të kundërshtohen lajmet e rreme, si të ndërtohen mekanizma që mund të përgjigjen shpejt ndaj kërcënimeve kibernetike, apo sulmeve kibernetike në institucione, dhe sigurisht, elementi represiv luan një rol të rëndësishëm. Pra, kur flasim për gjuhën e urrejtjes, kur flasim për një lloj tjetër krimi që kryhet virtualisht në mënyrë elektronike, është shumë e rëndësishme që të kemi një luftë efektive kundër këtij lloji të krimit dhe të nxjerrim autorët para drejtësisë.

Spasovski: Ndjehen rezultate të dukshme në trajtimin e gjuhës së urrejtjes

IMA: Çfarë masash ndërmerr Ministria e Punëve të Brendshme për të mbrojtur viktimat e gjuhës së urrejtjes, nga rreziku për sigurinë e tyre në baza të ndryshme, si dhe ndaj ngacmimeve kibernetike?

Spasovski: MPB-ja së bashku me Prokurorinë Publike janë duke punuar intensivisht dhe mund të them se ndjehen rezultate të dukshme në drejtim të trajtimit të gjuhës së urrejtjes. Pse po e vë në dukje këtë? Për faktin se kishim një situatë në të cilën nuk kishte kapacitet të mjaftueshëm për të njohur gjuhën e urrejtjes, as në institucionet e zbatimit të ligjit, as në organet e drejtësisë, d.m.th. në prokurorinë publike dhe gjyqësorin – dhe së fundi, në ndërgjegjësimin e opinionit të qytetarëve. Është një proces që së bashku duhet ta ngremë në një nivel më të lartë. Rezultatet në këtë moment, bazuar në Kodin Penal dhe veprat penale të konstatuara si rezultat i veprimtarive të tilla kriminale, lejojnë ose hapin hapësirë ​​për marrjen e një sërë masash.

Ajo përqindje e raportimeve, e realizimeve po rritet, do të thosha, nga muaji në muaj, gjë që tregon se edhe ndërgjegjësimi i publikut në këtë fushë po rritet – prandaj duhet të përfshihemi të gjithë: institucionet, opinioni, sektori joqeveritar, media, për të kontribuar në rritjen e ndërgjegjësimit të opinionit dhe për të treguar se vërtet duhet të luftojmë së bashku kundër gjuhës së urrejtjes. Sepse gjuha e urrejtjes krijon shumë probleme të tjera sociale që mund të jenë një kërcënim serioz për të gjithë ne.

 

Intervistoi: Petrit Saraçini, më 27 qershor 2023

Kamera dhe montazhi: Zharko Trajanoski

Transkripti dhe përkthimi: Meriton Tusha

#демократски_институции #institucione_demokratike #democratic_institutions #CivicaMobilitas

​Projekti realizohet me mbështetje financiare përmes programit Civica Mobilitas
Picture

Disclaimer: Civika mobilitas është projekt i Agjencisë zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim (SDC), të cilin e zbatojnë NIRAS, MCMS dhe FCG. Mendimet e shprehura këtu jo domosdo i reflektojnë qëndrimet e Cvika mobilitas, SDC ose të organizatave zbatuese.