Shkruan: PETRIT SARAÇINI

Shefi dhe deputet i partisë ekstreme të djathtë “Levica” (E Majta), Dimitar Apasiev, përsëri lartëson ish-diktatorin komunist të Shqipërisë, Enver Hoxhën.

Në një postim në rrjetin social Facebook, duke komentuar vizitën e fundit të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe politikanëve shqiptarë nga vendi që ishin të lidhur me atë ngjarje apo bënë deklarata në debatin publik që pasoi, Apasiev ka shkruar “Vetëm ENVER HOXHA për njerëz si Kurti, Kasami, Gashi, Mexhiti dhe bishtajat e tjera balliste”.

Postim i Apasievit në Fejsbuk, 16 gusht 2023, burimi: FB faqja e Dimitar Apasiev

Postim i Apasievit në Fejsbuk, 16 gusht 2023, burimi: FB faqja e Dimitar Apasiev

 

Kjo nuk është hera e parë që Apasievi shpreh pietet për Enver Hoxhën. Para do kohe, më 11 prill 2023, ai në krye të delegacionit të partisë së tij “Levica” vizitoi varrin e diktatorit shqiptar në Tiranë, duke bërë homazh dhe duke vendosur kurorë me lule. Në kumtesën e partisë, për Hoxhën flitet në superlativë.

Delegacioni i “Levicës” te varri i Enver Hoxhës, burimi: Facebook faqja e partisë Levica

Delegacioni i “Levicës” te varri i Enver Hoxhës, burimi: Facebook faqja e partisë Levica

Por, të shohim, kë respekton dhe lartëson në të vërtetë Apasievi? Çfarë ka shkruar Enver Hoxha për Maqedoninë dhe maqedonasit dhe qëndrimin ndaj shqiptarëve gjatë socializmit dhe sundimit të Josip Broz Titos?

Si ilustrim më i mirë, ja një fragment nga ditari politik i Enver Hoxhës (Vëllimi 5, f.380-381), ku ai u referohet ngjarjeve që lidhen me demonstratat politike të shqiptarëve në vitet 1968 dhe 1969 dhe kërkesat për të drejtën e ngritjes së flamurit shqiptar dhe të drejta tjera politike:

“E ENJTE, 26 QERSHOR 1969:

TERROR NË MAQEDONI KUNDËR SHQIPTARËVE

Që nga fillimi i vitit në Maqedoninë titiste ka filluar vala e terrorit kundër shqiptarëve. Gjyqet kundër tyre vazhdojnë me muaj dhe s’kanë të mbaruar. Terroristët titistë maqedonas i akuzojnë shqiptarët se ngritën flamurin e Shqipërisë, se gjoja në demonstrata kanë thënë: “Duam të bashkohemi me Kosovën dhe pastaj me Shqipërinë”. Të dënuarit prej gjyqeve janë me dhjetra, të burgosurit që presin të dalin në gjyqe me qindra. Shumica e këtyre janë mësues, profesorë dhe studentë.

I gjithë ky terror ka për qëllim mbylljen e shkollave shqipe, frikësimin e shqiptarëve dhe synonin shkombëtarizimin dhe largimin nga tokat e tyre. Ata i detyrojnë të largohen në mërgim në Turqi, në Australi dhe në Amerikë.

Qelbësirat frikamane maqedonase mbështeten në këto veprime barbare dhe nga disa tradhtarë shqiptarë, renegatë të popullit të vet, që veprojnë tok me titistët.

Ky terror është vazhdimi i terrorit Tito-Rankoviq që me dekada ka bërë dhe bën kërdinë mbi shqiptarët e Kosovës e të krahinave të tjera shqiptare në Jugosllavi. Punët paraqiten sikur në ngjarjet e Maqedonisë, Beogradi, domethënë Federata, nuk ka gisht, maqedonasit gjoja bëjnë me kokën e tyre. Këto nuk i ha kush. Bisedova me Ramizin (Alia v.j) dhe e porosita që në bazë të të dhënave të bëhet një demaskim i këtij terrori rankoviqian maqedonas, të kërkohet që të ndalohet sa më parë ky persekutim i egër i vëllezërve tanë. Maqedonasit dhe titistët e kanë kot, shqiptarët që jetojnë në tokat e tyre në Jugosllavi, as u tremben, as u nënshtrohen atyre. Pikërisht pse ngjet kështu titistët përdorin alternativisht terror-demagogji-terror.

Titoja, për t’i gënjyer, gjoja u dha disa të drejta kosovarëve, por shpejt do t’ua heqë, njërën pas tjetrës, duke u qitur një mijë e një pengesa.

Kosovarët, duhet të luftojnë me këmbëngulje dhe me guxim për të drejtat e tyre, ata duhet të ndihmojnë me luftën dhe me rezistencën e tyre edhe vëllezërit shqiptarë të Maqedonisë e të Malit të Zi.”

Ja, kështu pra shkruan në ditarin e tij politik Enver Hoxha, idhulli i Apasievit, për Maqedoninë dhe maqedonasit në kohën e socializmit dhe Titos.

Logjikisht shtrohet pyetja, a është Apasiev historikisht dhe politikisht aq analfabet, sa nuk i njeh pikëpamjet e Hoxhës dhe armiqësinë mes tij dhe Titos e Jugosllavisë socialiste, të cilën Apasievi po ashtu e lartëson? A është e mundur të jesh adhurues si i Enver Hoxhës ashtu edhe i Josip Brozit në të njëjtën kohë? Apo bëhet fjalë për populizëm të zhveshur, për nxitje të urrejtjes ndëretnike, për ndezje të pasioneve dhe për përdorimin e mosditurisë së shumë njerëzve për përfitime ditore politike?

Prapëseprapë, postimet në të cilat Apasiev madhëron Enver Hoxhën kanë qindra reagime pozitive. Si dhe postimet ku ai lavdëron Titon dhe jugo-socializmin. Po edhe postimet, në të cilat Apasiev me krenari prezantohet si “krahu i majtë i Organizatës” (VMRO), anëtarët dhe përkrahësit e së cilës po ashtu u persekutuan në Jugosllavinë e Titos.

E para, e dyta dhe e treta nuk shkojnë fare bashkë. Përveçse në kokat e Apasievit dhe pasuesve të tij, ku padyshim, po ndodh një “aheng” e vërtetë. Apo, siç i thonë, një zbavitje e çmendur deri në maksimum.