A ekziston gazetari hulumtuese në Maqedoninë e Veriut? A është ajo vetëm për të guximshmit? Kush e financon atë? Pse mediat e vendit nuk arrijnë të zhvillojnë sa duhet këtë lloj gazetarie? Si arritën dy media të zbulojnë të dhëna skandaloze, që dëshmojnë anomalitë e sistemit shëndetësor të vendit? Po të mos ishte media, a do të zbulohej skandali në Onkologji? Si ta mbështesim gazetarinë hulumtuese?

Shkruan: ARTA TAHIRI  

Ditëve të fundit kemi qenë dëshmitarë të publikimit të dy hulumtimeve mediatike, të cilat në fokus kanë pasur interesin publik. I pari ishte me titull “Vrasje në Tetovë”, gjurmim i sublimuar i organizatës mediatike Laboratori Hulumtues i Reporterëve, që njihet nga opinioni me emrin IRL. Nxori në pah dështimin e institucioneve në zbardhjen e vdekjes së 14 personave, si pasojë e djegies së Spitalit Modular në Tetovë të ndërtuar gjatë pandemisë me virusin Covid 19. Një punë profesionale, e cila u vlerësua nga komuniteti mediatik dhe adresonte përgjegjësi konkrete tek subjekte dhe individë.

Hulumtimi i dytë i televizionit Alsat,  javores “Fokus”, por edhe “Slloboden Peçat” është tmerrues. Ky hulumtim për dallim nga ai i IRL-së, që tregonte se si pakujdesia institucionale ka ndikuar që 14 jetë njerëzisht të humben, tregon se si persona të veshur me mantelin e bardhë, që kanë dhënë betimin e Hipokratit, kanë shitur ilaçet, të cilat kanë qenë të destinuara për personat e sëmurë kancerit!

Tmerr, lajm i rëndë, i trishtë! Si do t’u themi fëmijëve tanë të qëndrojnë në këtë vend, kur të vret sistemi, i cili duhet të kujdeset për shëndetin e njerëzve!? Në mënyrën më bizare, më çnjerëzore të mundshme! Këta keqpërdorues të pandërgjegjshëm dhe papërgjegjshëm, a thua si ndjehen tani kur është zbuluar se kanë bërë krim, që mund të cilësohet si vrasje me paramendim? A u shkon mendja se si ndjehen familjarët e atyre që nuk kanë mundur t’i mbijetojnë kësaj sëmundjeje vrastare? Mund të shtrohen edhe shumë pyetje të tjera, por kur e mendon se këta njerëz e kanë bërë këtë veprim makabër, konkluzioni është i qartë se ata as ndërgjegje e as etikë nuk kanë!

Kanë qenë të kota edhe reagimet politike në stilin se “Ne kemi alarmuar për këtë problem që para disa viteve”, pasi nëse këto reagime nuk i kanë adresuar në rrugë institucionale, ngelen vetëm për mediat apo të shfaqura në rrjetet sociale, por pa efekt apo epilog juridik, përkatësisht pa nxjerrë fajtorët para drejtësisë. Kjo do të thotë se reagimet politike kanë ngelur në Fejsbuk e portale, ndërsa hulumtimi i mediave e ka gjurmuar thellësisht dhe e ka shpërfaqur e alarmuar problemin e keqpërdorimit të ilaçeve kundër kancerit.

Të njëjta ishin edhe reagimet e disa politikanëve dhe ish-politikanëve se “Kanceri në shëndetësi dëshmon për kancerin në shoqëri”, pasi kjo që ndodhi është “meritë” edhe e tyre, e shkatërrimit të institucioneve dekada me radhë. Në fund të fundit, është pasojë e gjithë faktorëve shoqërorë, por natyrisht pa e vënë barazinë me ata që kanë mbajtur përgjegjësi ekzekutive institucionale kur është kryer ky krim monstruoz, i cili u ngjan skenarëve të filmave kriminalistikë mjekësorë.

Andaj duhet mbështetur kolegët gazetarë, që me gjithë kushtet e vështira ekonomike në mediat e vendit marrin guximin dhe hulumtojnë çështje të ndjeshme. Natyrisht, nuk mohohet as puna e atyre që punën hulumtuese e bazojnë tek financimet nga fondacionet dhe organizatat e ndryshme ndërkombëtare. Por, është e sigurt se ata e kanë më lehtë se sa gazetarët e mediave që punojnë me financa vetanake. Prandaj, respekt për përjashtimet.

Kjo pasi potenciali financiar i mediave është i mangët, meqë edhe reklamimi në mediat tradicionale po ulet ndjeshëm, dhe këto faktorë ndikojnë që të mos zhvillohet gazetaria hulumtuese. Gazetari e cila gjurmon çështje në fushën e korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku mund të jenë të përfshirë njerëz me fuqi të madhe politike ose politikanë apo me fuqi ekonomike ose biznesmenë (oligarkë), që mendojnë se me para mund të blejnë edhe mediat dhe gazetarët. Nuk janë të rralla rastet kur gazetarët gjurmojnë veprimet e nëntokës ose mafias dhe kjo vetvetiu përbën rrezik. Prandaj, themi që gazetaria është profesion për të guximshmit e jo për frikacakët.

Ky lloj i gazetarisë nuk kërkon vetëm mirënjohje, por edhe mbështetje! Së pari, nevojitet solidaritet profesional, pra kolegjial, por edhe nga organizatat e gazetarëve dhe punonjësve mediatikë. Kërkon edhe mbështetje nga ju qytetarë të respektuar, nga ju publik i dashur, sepse vetëm në këtë mënyrë, me bashkëpunim të ndërsjellë, do të jetësohet interesi publik.

(Autorja është redaktore e lajmeve në TV ALSAT)

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut