Shkruan: ZHARKO TRAJANOSKI

Narrativët dezinformues dhe teoritë e konspiracionit për “asgjësimin”, “zhdukjen”, “shkatërrimin”, “shpërbërjen”, “etnocidin” dhe  “gjenocidin” (mbi identitetin) e popullit maqedonas nuk janë diçka e re në hapësirën mediatike maqedonase. Teori të tilla konspirative janë shpërndarë periodikisht në kontekste politike të krizës nga aktorë të ndryshëm.

Në pjesën e parë, do të ilustrojmë ngjashmërinë dhe vazhdimësinë e narrativëve dezinformues dhe teorive konspirative për “asgjësimin”, “zhdukjen”, “shkatërrimin” ose “shpërbërjen”, “etnocidin” dhe “gjenocidin” mbi popullit maqedonas pas nënshkrimit dhe zbatimit të “Marrëveshjes së Prespës” (2018), pas miratimit të të ashtuquajturit “propozim francez” (2022), dhe në procesin në vazhdim të ndryshimeve kushtetuese në vitin 2023.

Do të tregojmë shembuj të shumtë mediatike se si termat juridikë “gjenocid” dhe “etnocid” u keqpërdorën për mobilizim etno-nacionalist dhe politik edhe në kontekst të debateve për ndryshimet kushtetuese (në mënyrë të ngjashme siç u keqpërdorën në kontekst të “Marrëveshjes së Prespës” dhe “propozimit francez”).

1.1. Dezinformata dhe teori konspirative për asgjësim dhe “gjenocid ndaj popullit maqedonas” para dhe pas “Marrëveshjes së Prespës”

“Kontesti për emrin” me Greqinë u përdor maksimalisht për mobilizim etno-nacionalist dhe politik (sidomos pas “vetos greke” në vitin 2008) duke abuzuar termat juridikë “gjenocid” dhe “etnocid”. Organizatat radikale nacionaliste, si Kongresi Botëror Maqedonas, që atëherë bënë akuza për “gjenocid kundër popullit maqedonas” me një ndryshim të mundshëm të “emrit shtetëror Maqedoni”.[i] Propaganda pro-qeveritare më pas frikësonte popullatën me “shkatërrim të popullit maqedonas” dhe “etnocid” nëse opozita do të vinte në pushtet.[ii] Narrativat e frikshme antiperëndimore për “shkatërrimin e plotë të popullit dhe shtetit maqedonas” dhe akuzat e pabaza për “gjenocid” u propaganduan edhe gjatë krizës politike 2015-2017.

Prandaj, nuk është aspak e habitshme që narrativet e “gjenocidit” janë ringjallur pas shpalljes së një zgjidhjeje përfundimtare të “kontestit për emrin” me Greqinë në qershor 2018. Pak ditë para nënshkrimit të “Marrëveshjes së Prespës”, ​​ka reaguar publikisht grupi i intelektualëve pro-rus “Manifesti maqedonas”, i cili prej vitesh bën fushatë “JO në BE”[iii], dhe paralajmëronte për një „holokaust mbi Maqedonasit“, për „planin për likuidimin e identitetit tonë“ dhe „gjenocidin e planifikuar të identitetit“ (në fund të vitit 2017, kryeministrit i qeverisë së re, Zoran Zaev, i dërgoi edhe një letër me mesazhin „Do të jeni përgjegjës për gjenocidin (etnocidin) mbi popullin e juaj”). “Manifesti Maqedonas” në qershor 2018 akuzoi në mënyrë eksplicite kryeministrin se është “vrasës i identitetit të Maqedonisë dhe Maqedonasve” dhe se ka kryer “gjenocid ndaj popullit të vet”.[iv]  Shkrimtari dhe kolumnisti i rregullt i “Nova Makedonija”, z. Eftim Kletnikov, akuzonte edhe për “gjenocid identitar” (“po bëhet varrosja e identitetit të një kombi”)[v], edhe për “gjenocidin e popullit maqedonas”.[vi] Në paraqitjet në media, Kletnikov bëri krahasime të pabaza “biblike” midis maqedonasve dhe hebrenjve,[vii] ndërsa në një rubrikë të mëvonshme, ai e përshkroi “gjenocidin  perëndimor identitar kundër maqedonasve në Prespë 2018” si “shkatërrim i një populli të lashtë me një gjenezë të thellë disa mijëvjeçare, nga Jafeti, djali më i vogël i Noeut, pas përmbytjes e në vazhdim…”.[viii]

Narrativi dezinformues dhe nxitës për “gjenocid” u pranua edhe nga partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE, e cila në konferenca për shtyp fajësonte për “gjenocidin e turpshëm”[ix], dhe pohonte në mënyrë dramatike se “kjo e ashtuquajtur marrëveshje është një akt i pastrimit të një kombi të tërë, kjo është më e keqe se gjenocidi, se është gjenocid kundër një kombi të tërë – pra është etnocid”.[x] Narrativi nxitës për “gjenocid” u pasua me dezinformim në lidhje me “Marrëveshjen e Prespës” (se “emri Maqedoni do të fshihet nga Kushtetuta”, se “çdo përdorim i mbiemrit maqedonas, maqedonase, maqedonisht është i ndaluar plotësisht, në të gjitha format dhe nga gjitha institucionet që kanë botime dhe që marrin para nga shteti”) dhe me insinuata për ndalimin e himnit.[xi]

Narrativët dezinformues për „gjenocidin modern” dhe “gjenocidin etnik të popullit Maqedonas dhe fshirjen e gjithçkaje maqedonase”[xii] u përforcuan në fushatën “Bojkotој” (Bojkotiram) përpara Referendumit të vitit 2018. Kjo fushatë ishte mjaft aktive dhe virale në rrjetet sociale[xiii] me hashtagjet “#Bojkotoj” (Bojkotiram) amendamentet në Kushtetutë për të shlyer Maqedoninë dhe popullin maqedonas nga ekzistenca!” dhe „#Bojkotoj #Gjenocid“ (Bojkotiram Genocid).[xiv]

Pasi më 30 korrik 2018, Kuvendi mori vendim për shpalljen e referendumit konsultativ, mbi 30 parti dhe shoqata pro-ruse apeluan për “mospjesëmarrje dhe bojkotim të referendumit, që është një projekt gjenocidal ndaj popullit maqedonas”.[xv] Si udhëheqëse e kampit “Maqedonia bojkoton” ishte partia proruse “Maqedonia e Vetme” (e riemërtuar sipas kallëpit të “Rusia e Vetme” e Putinit), e cila qysh në fillim të vitit 2018 propozoi që autostrada për në Greqi të quhej “gjenocid”, në vend se “Miqësi”.[xvi] “Maqedonia e Vetme” bëri thirrje për „luftë të shenjtë të të gjithë neve për mbijetesën e një populli të tërë”, akuzoi NATO-n si një “organizatë gjenocidale”, dhe mbrojti një aleancë strategjike me Rusinë që “siguron mbijetesën dhe të ardhmen e Maqedonisë”, e cila kërcënohej nga “gjenocidi që ata duan ta bëjnë mbi popullin maqedonas”.[xvii] Gjeopolitikët pro-rusë gjithashtu u përpoqën t’i paraqesin ndryshimet kushtetuese si proces gjenocidi (“operacioni gjenocid live”), ndërsa “riemërtimi dhe fshirja e Maqedonisë” si „veprim kundër Zotit“ që ndihmon “Djallin të krijojë një mbretëri kundër Zotit”.[xviii]

Edhe përfaqësues të maqedonasve në vendet fqinje[xix] dhe të diasporës (në periudha të ndryshme) akuzuan për gjenocid ndaj popullit maqedonas, „gjenocid i identitetit, historisë dhe kulturës së popullit Maqedonas“, „gjenocid kulturor dhe antropologjik“, „gjenocid mbi një kulturë“, etj.

Poster nga fushata për bojkot të Referendumit në vitin 2018, burim: FB faqja VMRO

Poster nga fushata për bojkot të Referendumit në vitin 2018, burim: FB faqja VMRO

Edhe pse tabori #Bojkotoj ishte një grup heterogjen, disa nga zëdhënësit e bojkotit ishin shumë të afërt me lidershipin e partisë më të madhe opozitare VMRO-DPMNE. Për shembull, kryetarja e Komisionit për Sistemin Politik të VMRO-DPMNE-së, Tanja Karakamisheva, e cila ishte e ulur pranë Mickoskit në takimin e liderëve për referendumin, në ditën e referendumit agjitoi “NUK VOTOJ dhe nuk përgjigjem në pyetje gjenocidale”, ndërsa më vonë avokoi publikisht për hyrje në Bashkimin Euroaziatik, sepse “është e ardhmja e botës”. Edhe anëtarët e udhëheqësisë  të VMRO-DPMNE-së bënë fushatë se në referendum “do të votohet për Maqedoninë e Veriut, për krijimin e një kombi të ri artificial, për shkatërrimin e popullit maqedonas”.[xx] Edhe revista partiake e veteranëve të VMRO-DPMNE-së, “Kombi Maqedonas” e shpalli referendumin “gjenocid”, duke pretenduar se me pranimin e ndryshimit të emrit Maqedonasit “do të zhduken nga skena historike”.[xxi]

Presioni publik ndaj VMRO-DPMNE-së për të bërë thirrje për bojkot të referendumit u drejtua edhe nga dinjitari i Kishës Ortodokse Maqedonase (KOM), Mitropoliti Agatangel, i cili beson se “gjenocid i planifikuar, i vazhdueshëm dhe i hapur ndaj popullit maqedonas është kryer në njëqind vitet e fundit”, dhe se firmosja e marrëveshjes me qeverinë greke është një “gjenocid subtil i një populli”. Agatangel i dërgoi një mesazh eksplicit Mickoskit – “thirrni për bojkot të referendumit të manipuluar që po përgatitet për ne në për të shuar Maqedoninë dhe popullin maqedonas një të ardhme të afërt”. [xxii] Në vitin 2019, Agatangel përdori madje vizitën e Papës në Shkup për të përsëritur akuzat për “gjenocid të heshtur dhe special kundër popullit maqedonas”.[xxiii]

Dezinformata për “ndërrimin e emrit të popullit maqedonas” si “holokaust kulturor” u përhap edhe në “Tubimin qendror të Bojkotoj “Bojkotoj Verioren, gjithmonë Maqedoni!” – Shkup”. Organizatorët “Të Rinjtë për Maqedoninë” (të cilët mburren si nismëtarë të lëvizjes “Bojkotoj” dhe në platformën e tyre hedhin posht “Marrëveshjen gjenocidale të Prespës “) bënë krahasime të pabaza midis maqedonasve, hebrenjve dhe mohikanëve, duke përhapur teori konspirative se mbijetesa e maqedonasve si popull ishte e kërcënuar.[xxiv]

VMRO-DPMNE edhe pas referendumit vazhdoi diskursin për “etnocid të popullit Maqedonas”, për “fshirjen e identitetit maqedonas”,[xxv] kurse kuadrot e saja drejtuese deklaronin publikisht se “një kolaps ekonomik, etnocid dhe gjenocid ndaj popullatës maqedonase ka ndodhur dhe po ndodh ende…”.[xxvi]

Ashtu siç fushatat pro-ruse të viteve 2015-2017 nxisnin frikën nga kantonizimi, federalizimi, ndarjet e vendit dhe shpërbërjes së tij, fushatat e vitit 2018 krijuan një botëkuptim të perceptimeve se Marrëveshja e Prespës dhe referendumi çojnë në “vetëshkatërrim”. vetëvrasje, “vetëmohim”, “zhdukje”, “shfarosje”, “etnocid”, “gjenocid të popullit maqedonas” etj. Narrativë të tillë dezinformues, nxitës dhe polarizues, të cilët përfshinin kërcënime imagjinare jo vetëm ndaj identitetit maqedonas, por edhe ndaj popullit maqedonas, sipas ekspertëve për dezinformim të BE-së, ishin thelbësore për “minimin e pjesëmarrjes në referendumin për ndryshimin e emrit”.[xxvii]

1.2. Presidenti i shtetit Ivanov gjithashtu përhapte dezinformata dhe teori konspirative për “anulimin ligjor” dhe “anulimin juridik dhe historik të popullit maqedonas”

Ndonëse para referendumit u përhap në media se presidenti Ivanov në fjalimin e tij në OKB do ta ekspozonte “Marrëveshjen e Prespës” si “përpjekje për gjenocid ndaj popullit maqedonas”,[xxviii] Ivanov në fjalimin e tij theksoi vetëm “vetëcensurimin e vetëdijes kolektive të popullit maqedonas” dhe “anulimin juridik të popullit maqedonas”.[xxix]

Pasi në fund të vitit 2018 “Manifesti Maqedonas” kërkoi nga Ivanovi që të fillojë një procedurë në OKB për mbrojtjen e emrit, duke pretenduar se “po bëhet gjenocid identitar ndaj popullit maqedonas”,[xxx] në fjalimin e tij vjetor në Kuvend, Ivanov paralajmëroi për “anulim juridik dhe historik të popullit maqedonas”.[xxxi] Narrativët e “asgjësimit të popullit maqedonas” u propaganduan edhe nga partitë pro-ruse, nga të sapoformuarit „Rodina“ (e cila fliste edhe për “gjenocidin identitar ndaj popullit maqedonas”), edhe nga “Maqedonia Unike”(Edinstvena Makedonija) e cila më vonë në një letër drejtuar Makronit përshëndeti moscaktimin e një date për negociata, duke iu referuar “anulimit kombëtar të popullit maqedonas nga qeveria kukull në Shkup”.[xxxii]

Sa i përket kërkesës së “Manifestit Maqedonas” drejtuar Ivanovit, zëdhënësi Eftim Kletnikov, në një intervistë të vitit 2020, do të pretendojë se “ne jemi një komb i vrarë” dhe se Rusia këmbënguli që çështja e emrit të kthehet në OKB. Sipas Kletnikovit, Gjorge Ivanov nuk e ka bërë një gjë të tillë, ndonëse për një nismë të tillë janë mbledhur nënshkrimet e qytetarëve, pas së cilës zëdhënësi i “Manifestit Maqedonas” e ka akuzuar për “tradhti të lartë”.[xxxiii]

“Manifesti Maqedonas” i dërgoi edhe një letër Putinit në fund të vitit 2021, në të cilën përsëriteshin akuzat për “gjenocid identitar”, duke shpjeguar se “qëllimi me likuidimin e kujtesës së maqedonasve” ishte “të likuidohej vetëdija e tyre gjenerike për vëllazërinë me sllavët”, dhe veçanërisht me Rusinë dhe rusët, të dashurisë së tyre për ta.” Në letrën e nënshkruar nga disa intelektualë dhe nga Mitropoliti i mitropolisë së Vardarit, Agatangel i KOM-AO, theksohet “farefisnia e gjakut mes maqedonasve dhe rusëve”, dhe “lidhja e tyre binjake siameze”.[xxxiv]

1.3 Dezinformata dhe teori konspirative për “asgjësim” dhe “gjenocid kundër popullit maqedonas” pas “propozimit francez”

Narrativët me dezinformata, manipulime, frikësime dhe teori të konspiracionit për popullin maqedonas dhe maqedonasit ishin një pjesë qendrore e fushatës së opozitës kundër “propozimit francez” dhe kornizës negociuese në verën e vitit 2022.

Partitë dhe politikanët më radikalë të opozitës pro-ruse theksuan “kushtet bullgare për fshirjen e kombit maqedonas” (Maqedonia Unike), duke dramatizuar se “koka e popullit maqedonas i pritet në protokoll” (Jakimovski nga GROM), ndërsa “E Majta” (Levica) pro-ruse solli një gijotinë me përshkrimin “propozimi francez” në një nga protestat. Mesazhi “Propozimi francez është gijotinë për popullin maqedonas!” u promovua edhe nga kandidatja për Kryetare të komunës Qendër nga VMRO-DPMNE dhe “Zëri për Maqedoninë”.[xxxv]

Propagandistja pro-ruse Mirka Velinovska, e cila pas 27 prillit 2017 pretendonte se “kundër maqedonasve nga pjesa e qytetëruar e botës po ushtrohet gjenocid i inskenuar”,[xxxvi] si e ftuar në kanalin pro-rus “Biseda të Rodinës“, dhe i akuzoi “evropianët e pacivilizuar” se po përpiqen të kryejnë gjenocid dhe të shpallin “një popull të gjallë të vdekur”.

Dezinformatat që me të ashtuquajturin “propozim francez” po kryhet “etnocid, kulturocid“, dhe madje “gjenocid kundër një populli të tërë” ishin një shenjë dalluese e fushatës së opozitës kundër kornizës negociuese të BE-së.[xxxvii] Pasi që kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, publikisht e akuzoi kryeministrin Dimitar Kovaçevski për “gjenocid ekonomik“[xxxviii] dhe se “asgjëson identitetin maqedonas”,[xxxix] deputetet e VMRO-DPMNE-së në Kuvend përhapën dezinformata se “me propozimin francez po shohim një gjenocid të tmerrshëm”,[xl] dhe teoritë konspirative se “propozimi francez” do të bënte “gjenocid kundër popullit maqedonas”[xli] dhe se do t’i kishim bërë „etnocid“ vetvetes.

Zëdhënësit intelektualë kundër “propozimit francez”  gjithashtu ngritën panik publik për “gjenocid dhe etnocid”.[xlii] Ish-nënkryetari i qeverisë së udhëhequr nga VMRO-DPMNE përgjegjës për integrimet evropiane, Ivica Bocevski, gjatë një paraqitjeje si i ftuar në TV Alfa, grisi “propozimin francez” dhe më vonë dezinformoi në një kolumnë se hyrja në BE “duhet paguar duke anuluar gjithçka që është maqedonase dhe duke i fshirë maqedonasit nga rrethi i kombeve dhe nga shoqëria e etnive”.“[xliii]

1.4. Abuzimi i ASHAM për përhapjen e dezinformatave dhe teorive konspirative

Një nga gjeneruesit kryesorë të dezinformatave dhe teorive konspirative për “Marrëveshjen e Prespës” dhe “propozimin francez” është kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM), Lupço Kocarev, i cili pretendonte se “…me propozimin francez, Qeveria e Maqedonisë do të dëshmojë se në shtetin e Maqedonisë, brenda kufijve të Maqedonisë së sotme, nuk ka maqedonas”.“[xliv] Kryetari i ASHAM Kocarev në një nga  kolumnat e tij dezinformoi se “maqedonasit qysh sot nuk ekzistojnë”, duke nxjerrë një përfundim të gabuar nga një dokument i regjistrimit në fakultet.[xlv]

Gjatë fushatës kundër “propozimit francez” në vitin 2022, Kocarev bëri akuza të pabaza për “gjenocid të maqedonasve në Egje dhe në Pirin”, gjoja i kryer nga marrëveshjet me Greqinë dhe Bullgarinë, dhe përhapi teori konspirative se “maqedonasit do të zhduken”, dhe se nuk kane për të hyrë në BE.[xlvi]

Lupço Kocarev vazhdoi të abuzonte me ASHAM dhe pozitën e tij si president edhe në ditën e ASHAM-it në tetor të vitit 2022, duke përhapur dezinformata dhe akuza të pabaza se “po bëhet gjenocid kulturor ndaj maqedonasve në vendin e tyre” dhe kudo që ata jetojnë.[xlvii] Ivica Bocevski, në kolumnën propagandistike ku e promovon Kocarevin si president të vetëm të Maqedonisë, e cilëson atë si pjesë të “inteligjencës maqedonase kundër gjenocidit kulturor kundër popullit maqedonas dhe përpjekjeve për fshirjen e shtetësisë maqedonase”.[xlviii] Si kryetar i ASHAM-it, Kocarev vazhdoi të përhapte dezinformata dhe analogji të pabaza se maqedonasit ishin në prag të zhdukjes si rrëqebulli i Ballkanit.[xlix]

Mund të thuhet se në shkurt të vitit 2023, ishte Kocarev ai që filloi fushatën kundër ndryshimeve kushtetuese në asamblenë vjetore të ASHAM-it, kur dezinformoi se më 17 qershor 2018 “populli maqedonas është zhdukur plotësisht nga skena ndërkombëtare.”[l] Në të njëjtën kohë, Kocarev pretendoi se marrëveshjet me Greqinë dhe Bullgarinë “përfaqësojnë gjenocid kulturor të maqedonasve”, dhe sugjeroi se “në kujtesën kolektive të popullit maqedonas, ato të emërtohen me shprehjen “holokaust maqedonas”” dhe se “institucionet kompetente në Maqedoni duhet propozuar një ditë përkujtimore për shënimin e holokaustit maqedonas”.[li] Pavarësisht kritikave për anti-shkencë[lii] dhe për “qëndrime anti-bullgare“, Kocarev vazhdoi të përdorte shprehjen “holokausti maqedonas në të cilin u gjend sot populli maqedonas” edhe gjatë përkujtimit në Paris për një paraardhës të tij, gjatë të cilit përhapte mitin etno-nacionalist për një “tradite mijëvjeçare” të “emrit maqedonas, gjuhës maqedonase, kulturës maqedonase, identitetit maqedonas, historisë maqedonase”.[liii] Edhe pse shprehja “holokausti maqedonas“ nuk është e re në literaturën etno-nacionaliste maqedonase, ringjallja e saj në kontekstin e “Marrëveshjes së Prespës, Platformës së Tiranës dhe Marrëveshjes me Bullgarinë” është vepër e putinistit Eftim Kletnikov, në funksion propagandistik të satanizimit[liv] dhe nazifikimit të Perëndimit.[lv]

Kocarev vazhdoi fushatën kundër ndryshimit të Kushtetutës duke përhapur teori konspirative tashmë të njohura për zhdukjen e maqedonasve në BE. Në një intervistë, Kocarev skicoi si skenar të parë mundësinë që Maqedonia të bëhet anëtare e plotë e BE-së në njëzet vitet e ardhshme, por “në të njëjtën kohë, maqedonasit tashmë janë zhdukur plotësisht dhe nuk ekzistojnë”. Sipas Kocarev, me pranimin e kërkesave bullgare dhe greke gjatë negociatave me BE-në, “identiteti maqedonas, Maqedonia dhe maqedonasit gradualisht do të zhduken sikur të mos ekzistonin kurrë”.[lvi]

Kocarev vazhdoi me akuzat për “gjenocid kulturor”[lvii] edhe në kontekst të ndryshimeve kushtetuese, duke akuzuar se po kryhet “gjenocid kulturor” nga “të gjitha dokumentet” në të cilat maqedonasve u kërkohet “të heqin dorë nga maqedonizmi”.[lviii] Kundër përpjekjeve për të relativizuar konceptin e identitetit (që, sipas Kocarev, u bënë “me të vetmin qëllim për shkatërrimin, asgjësimin dhe poshtërimin e popullit maqedonas, identitetit dhe gjuhës së tij“), kryetari i ASHAM-it në rubrikat e tij rregullisht propagandon mitet etno-nacionaliste për “vazhdimësi mijëvjeçare të gjuhës maqedonase, identitetit maqedonas dhe popullit maqedonas”.

1.5. Dezinformata dhe teori të konspiracionit për “asgjësimin”, “etnocidin” dhe “gjenocidin ndaj popullit maqedonas” në kontekstin e ndryshimeve kushtetuese

Në pritje të procesit të ndryshimeve kushtetuese, propaganduesit pro-rus të “Manifestit Maqedonas” vazhduan me fushatën kundër “gjenocidit identitar“ dhe “likuidimit identitar të popullit maqedonas”, i cili duhej të përfundonte me “fshirjen e emrit KOM – AO”[lix] Në fillim të vitit 2023, në një paraqitje si i ftuar në ТV Alfa, Kletnikov akuzoi se partia në pushtet me “kapacitet nazifashist” “likuidoi identitetin, thjeshtë e theri, preu kokën e identitetit kolektiv” të popullit maqedonas, ndërsa Perëndimi kishte një plan për “bullgarizimin” e maqedonasve, “të mos ketë fare maqedonas”.

“Manifesti Maqedonas” gjithashtu themeloi një “gjykatë morale” në maj të vitit 2023, dhe avokatët dhe prokurorët e saj dënuan publikisht “gjenocidin identitar të maqedonasve“,[lx] mes tjerash edhe për „… për maqedonasit, propozim-kornizën gjenocide për një marrëveshje me Bullgarinë nga Emanuel Makron…”. Zëdhënësi Eftim Kletnikov, i cili avokonte krijimin e një gjykate morale që në vitin 2019,[lxi] me rastin e 15 vjetorit të “Manifestit Maqedonas”, kujtoi se “manifesti ishte i pari që foli dhe paralajmëroi për rrezikun e gjenocidit identitar”, të „ideuar nga Brukseli dhe Uashingtoni“. Kletnikov akuzoi në televizionin kombëtar TV Alfa „qeverinë gjenocidale“ për „gjenocidin në Maqedoni”, ndërsa në “Letër e hapur për Emanuel Makron“, e akuzoi atë së është i përfshirë në “gjenocidin e identitetit tash mbi maqedonasit nga Evropa e Brukselit”. Si vazhdimësi e fushatës kundër ndryshimeve kushtetuese, Kletnikov përhapte teori të konspiracionit morbide se “ne jemi hebrenjtë e rinj (të Rajhut të Tretë) dhe indianët e këtij qytetërimi” që u “zgjodhën për shkatërrim”, duke përfunduar – “BRIKS shumë më i mirë se BE-ja që na vret identitetin”. Edhe një nga anëtarët pro-rus të “Manifestit Maqedonas” në kolumnat e tij bënte insinuata se SHBA, BE dhe NATO ishin të mërzitur që nuk mund të kryenin gjenocid fizik dhe propagandonte se “BE është një qorrsokak” dhe se “alternativa e vetme është BRIKS”.[lxii] Madje, “Manifesti maqedonas” i dha mbështetje publike protestës kundër minierës së Illovicës, me sloganin “Ndalesë për shkatërrimin e Maqedonisë dhe maqedonasve“, duke pretenduar se edhe ajo minierë është “pjesë e planit për gjenocid identitar që kjo qeveri antipopullore po e zbaton me vetëdije apo pa vetëdije prej kohësh”.

Edhe gazeta “Nova Makedonija” në vitin 2023 vazhdoi fushatën kundër “politikës agresive dhe etnocidale të Sofjes ndaj popullit maqedonas“, kundër “politikave jashtëzakonisht gjenocidale dhe etnocidale të një shteti anëtar të BE-së“. “Nova Makedonija” në analizat e saj e forcoi narrativin për “kulturocid ose etnocid“, duke shpallur Marrëveshjen me Bullgarinë për “etnocide ose kulturocide“, dhe duke akuzuar Evropën si “bashkëpunëtor në politikat gjenocidale dhe etnocidale të dy vendeve fqinje“.

Në Ditën e pavarësisë, “Nova Makedonija” publikoi një intervistë me kryetarin e Kongresit Botëror Maqedonas (KBM), Todor Petrov, në të cilën ai akuzoi se “një qeveri kukull ka kryer gjenocid ndaj popullit maqedonas në vendin e vet Maqedoninë” dhe se “Maqedonia është nën regjimin e fashizmit. Maqedonasit janë nën regjimin e gjenocidit!”.[lxiii] Paraprakisht, në kolumnë në “Nova Makedonija” Todor Petrovi akuzonte për “tradhti të lartë, gjenocid ndaj popullit maqedonas dhe krim kundër njerëzimit, i cili nuk vjetrohet”, duke sugjeruar dënimin me vdekje për një krim të tillë.[lxiv]

Po edhe partitë pro-ruse, si “E Majta” (Levica), akuzuan për “gjenocid identitar të maqedonasve që po bëhet përmes amendamenteve në kushtetutë“ ose “gjenocid identitar të kombit maqedonas“. Partia pro-ruse “Rodina” ishte pjesë e fushatës anti-perëndimore kundër “ideologjisë gjinore”,[lxv] dhe në ballë të protestës së KOM me thirrjen “Të dalim sa më shumë dhe të tregojmë fuqishëm se gjenocidi dhe etnocidi kulturor nuk do të kalojë”. Në emisionin “e jashtëzakonshëm” partiak, “Barazia gjinore ose rrezikimi i gjithçkaje maqedonase: Gjinia, Populli, Shoqëria“, një anëtar i kryesisë së “Rodina” Maqedoni akuzoi se Perëndimi dëshironte të vriste jo vetëm familjen si qeli, por edhe “duan të vrasë organizmin maqedonas dhe Maqedoninë në tërësi”. Në anën tjetër doli partia pro-ruse “Maqedonia e Unike” me “nismë për kyçjen e rusëve, bjellorusëve, ukrainasve, çekëve, sllovakëve, polakëve dhe sllovenëve në Kushtetutën e Maqedonisë”, me arsyetim “shkencor“ se “Maqedonia është Nëna e të gjithë popujve sllavë që u larguan nga Maqedonia” dhe se bëhet fjalë për popuj “të cilët e kanë themelin në popullin maqedonas”.

Kryetari i partisë pro-ruse GROM Stevço Jakimovski,  si i ftuar në TV24 përhapte teori konspirative se qëllimi i disa fqinjëve ishte që maqedonasit të mos ekzistojnë në Kushtetutë: “Qëllimi i të gjithë tyre, si bullgarëve, ashtu edhe atyre nga Shqipëria dhe grekët, është që maqedonasit të mos ekzistojnë në Kushtetutën maqedonase, që ky duhet të jetë një shtet qytetar dhe që maqedonasit të mos jenë më, ky është qëllimi i të gjithëve rreth nesh”. Emisionet e debatit në televizion kombëtar shpërndaheshin dezinformata se me ndryshimet e shpallura në kushtetutë nuk do të ketë komb maqedonas dhe se me përfshirjen e Bullgarëve në Kushtetutë do të jenë tre kombe përbërëse – “Shqiptarët, Bullgarët dhe qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut”.[lxvi]

Shkurtimisht, dezinformatat dhe teoritë e konspiracionit për “gjenocidin dhe etnocidin kundër popullit maqedonas” vazhduan të përhapen në vitin 2023 – kryesisht nga politikanë pro-rusë, analistë, figura publike, intelektualë, kolumnistë, si dhe nga shoqatat etno-nacionaliste të qytetarëve në ngjarjet kulturore. Për shembull, në ftesën për festivalin e koreve patriotike “Maqedonia 2023” organizuar nga Shoqata e qytetarëve “Makedon” për 2 gusht 2023, përmendet se “gjenocidi dhe etnocidi antiqytetërues ndaj popullit Maqedonas” është duke u zbatuar dhe festivali legjitimohet si akt i mbrojtjes së identitetit maqedonas dhe nga tentativat për “shkatërrimin e Maqedonisë dhe popullit maqedonas”.[lxvii] Ky shembull poashtu tregon se si termat juridikë “gjenocid” dhe “etnocid” u keqpërdorën për mobilizimin etno-nacionalist në kontekstin e debateve për amendamentet e Kushtetutës.

Edhe pse keqpërdorimi i termave “gjenocid” dhe “etnocid” nuk ishte i dallueshëm në paraqitjet mediatike të përfaqësuesve të VMRO-DPMNE-së (si në vitin 2022 e më parë), edhe kjo parti vazhdoi me teoritë e konspiracionit dhe përhapjen e dezinformatave dhe manipulimeve mediatike lidhur me popullin maqedonas, identitetin maqedonas dhe shtetin maqedonas (që do të ndiqet në pjesët vijuese të kësaj analize të narrativëve kryesorë të dezinformimit në kontekstin e amendamenteve të Kushtetutës të vitit 2023).

(Autori është drejtues i hulumtimeve në Institutin për Media dhe Analitikë IMA)

Referencat:

[i] Shihni, për shembull,  Ardhmëria e Maqedonisë nuk varet nga BE-ja dhe NATO-ja, Kombi Maqedonas, 27.04.2010: “Si Qeveria ashtu dhe opozita parlamentare duhet ta dinë se çdo bisedë dhe marrëveshje për ndryshimin e emrit shtetëror Maqedoni paraqet tradhti të lartë, kapitullim, krim kundër njerëzimit dhe gjenocid ndaj popullit maqedonas”.

[ii] Shihni, për shembull,  Çfarë do të ndodhë nëse LSDM-ja dhe shërbëtorët e saj vijnë në pushtet?, Kombi Maqedonas, 28.05.2011. Mbi teoritë konspirative të “etnocidit nga boshti Bruksel-Athinë” Shihni Boshtit Athinë-Bruksel i duhet LSDM-ja në pushtet për ta zhdukur Maqedoninë!, Dnevnik, 28.10.2011.

[iii] Shihni,  Letër e hapur e Manifestit maqedonas: Jo në BE pas injorimit të fundit të Maqedonisë!, 22.12.2013

[iv] Shihni Letër e hapur kryeministrit Zoran Zaev, Nova Makedonija, 14.06.2018.

[v] Shihni Eftim Kletnikov, Idiotizëm dhe idiotë, Nova Makedonija, 20.06.2018 dhe Kletnikov: Populli i vetëdijshëm maqedonas të mos dalë në referendum dhe ta bojkotojë, sepse kjo qeveri është gjenocidale, Republika, 03.09.2018

[vi] Shihni Paradoksi maqedonas (Referendumi që na bën mendjevogël), Nova Makedonija, 05.09.2018.

[vii] një koment i qartë për paraqitjen mediatike të Kletnikov: “Shkrimtari thotë se maqedonasit janë hebrenjtë e rinj. Unë u ngrita në këmbë. E shtrëngova shpejt veten që të mos ëndërroja… Nuk është ëndërr, është e vërtetë. Kletnikov flet drejtpërdrejt si Moisiu përpara Hebrenjve. Evropa dhe bota janë fashistët që duan të shkatërrojnë popullin maqedonas. Gjenocidi identitar që po përgatitet ndaj Maqedonasve ishte më i tmerrshëm se gjenocidi fizik…” Eroll Rizaov,  Maqedonasit janë Hebrenjtë e rinj, Nezavisen, 05.09.2018.

[viii] E Veriut: Projekti i fashizmit Evropian – Eftim Kletnikov! , Kolozheg.Info, 19.09.2022.

[ix] VMRO-DPMNE: Marrëveshja kapitulluese e Zaevit nuk do të sjellë jetë më të mirë, shteti do të fundoset edhe më shumë për shkak të pushtetit të paaftë dhe do të mbahet mend gjenocidi i turpshëm, Kurir, 20.06.2018.

[x] Shihni Stoillkovski: Zaev fshin identitetin maqedonas nga himni, tekstet, tradita dhe kultura, Kurir, 21.06.2018.

[xi] Shihni (Video) Stoillkovski: A do të mund ta këndojnë qytetarët tani himnin “Sot mbi Maqedoni lind”?, Makfaks, 21.06.2018.

[xii] Shihni  Komuniteti i burrave dhe grave maqedonase që krijuan #Bojkotoj publikoi Kodin e etikës!, Observer, 04.08.2018.

[xiii] Shihni, Goce Trpkovski,  Fakte, parafakte dhe kundërfakte në fushatën për bojkotim të referendumit, Prizma, 20.08.2018: “Në një numër të madh njoftimesh kryefjala është “gjenocid”, gjegjësisht mesazhi është se populli maqedonas do të vetëshkatërrohet me zbatimin e marrëveshjes.

[xiv] Më vonë, një nga faqet e Bojkotoj do të akuzon po ashtu për “shkatërrimin e plotë të popullit maqedonas dhe zbatimin e inxhinierisë gjenetike të dhunshme për krijimin e një kombi të ri të Severxhanëve (Maqedonasve të Veriut)”. Në të njëjtën faqe, e cila akuzonte për #gjenocidin bashkëkohor mbi popullin tanë”, shihen edhe akuzat për “gjenocid në krah të regjimit neo-nazist kundër Rusëve në Ukrainë”, dhe Putin lavdërohet si “kujdestari i vetëm i botës ortodokse.“

[xv] Shihni Propaganda ruse me dezinformata në Maqedoni para referendumit në 2018, ima.mk, 26.04.2022.

[xvi] Shihni Maqedonia e Vetme propozon që autostrada të quhet “Gjenocid” në vend të “Miqësi”, Fokus, 25.01.2018.

[xvii] Shihni Baçev: Të parandalojmë gjenocidin që duan ta bëjnë ndaj popullit maqedonas, centar.mk, 23.10.2018: “Megjithatë, sot jemi dëshmitarë se Republika po përballet me një sfidë serioze, sepse qeveria aktuale kukull dhe bosët e saj të huaj duan të fshijnë gjithçka që është maqedonase. Prandaj, tani i takon kësaj gjenerate të maqedonasve që ta parandalojnë këtë gjenocid që duan t’i bëjnë popullit maqedonas, të fshijnë emrin shekullor, identitetin, historinë, traditën, gjuhën dhe kulturën e vjetër maqedonase”.

[xviii] Shihni Referendumi në Maqedoni: procesi gjenocidal për ndryshimin e emrit pa legjitimitet, poligrozd.org, 02.10.2018 dhe Emilija Geleva, Аkt kundër Zotit, poligrozd.org, 28.11.2018.

[xix] Shihni, për shembull,  Shoqata maqedonase “Ilinden” – Tiranë u bën thirrje Maqedonasve të bojkotojnë referendumin, 27.09.2018: Maqedonasit në Republikën e Shqipërisë refuzojnë ndryshimin e emrit të shtetit të Maqedonisë dhe emrit të popullit maqedonas dhe e konsiderojnë atë gjenocid ndaj popullit maqedonas dhe krim kundër njerëzimit.

[xx] Shihni VMRO-DPMNE iu kthye bojkotit, Nezavisen, 27.09.2018.

[xxi] Shihni Referendumi në vetvete është gjenocidal, Kombi maqedonas, 22.08.2018.

[xxii] Agatangel Mickoskit: Nuk po ju them të shkoni në mal me pushkë në dorë, por të bëni thirrje për bojkotim të referendumit, Fokus, 30.07.2018.

[xxiii] Shihni,  Agatangel: Papa në Maqedoni, 06.05.2019: “Kjo vizitë është një qetësim simbolik i ndërgjegjes së të gjithë atyre që kryen një gjenocid të heshtur dhe të veçantë kundër popullit maqedonas”.

[xxiv]Tubimi qendror i Bojkotoj “Bojkotoj Veriore, Gjithmonë Maqedoni!” – Shkup, 27 shtator në ora 19:00“: “Bojkoti duhet të fitojë sepse ajo që ishte holokausti për Hebrenjtë, është ndryshimi i emrit për Maqedonasit. Për ne Maqedonasit, kjo është një betejë si beteja e mohikanit të fundit – kjo është një betejë për mbijetesë! Ose do të mbijetojmë si komb, ose ne Maqedonasit do të vdesim dhe zhdukemi”.

[xxv] (VIDEO) Stoillkovski: U krijua një akt që çon në etnocid, në fshirjen e një kombi të tërë dhe tiparet e tij, А1ОN, 21.10.2018.

[xxvi] Shihni Dimovski: Mickoski para një viti u zgjodh kryetar i VMRO-DPMNE-së, për një kohë të shkurtër do ta udhëheqë vendin me mençuri, guxim dhe ndershmëri, Kurir, 23.12.2018.

[xxvii] Shihni Harta e lajmeve të rreme dhe dezinformatave në Ballkanin Perëndimor dhe identifikimi i mënyrave për t’i luftuar ato në mënyrë efektive, Departamenti i politikave për marrëdhëniet me jashtë, Drejtoria e përgjithshme për politikat e jashtme të Bashkimit, shkurt 2021, fq. 7.

[xxviii] Shihni Qeveria në panik – Ivanov do t’i drejtohet OKB-së 7 ditë para referendumit, magazin.mk, 27.08.2018.

[xxix] Ivanov në OKB: Nuk do të votoj, me ndryshimin e emrit do të kemi shtet të ri gjysmë sovran (VIDEO) , mkd.mk, 27.09.2018: Nga Republika e Maqedonisë tani kërkohet të kryejë vetëvrasje ligjore dhe historike, në mënyrë që shfuqizimi ligjor i popullit maqedonas të interpretohet si vullnet i tij.

[xxx] “Manifesti maqedonas”: Ivanov të fillojë procedurë ligjore në OKB për mbrojtjen e emrit, Makfax, 26.12.2018.

[xxxi] Shihni  IVANOV: Marrëveshja e Prespës është anulim juridik dhe historik i popullit maqedonas!, Infomax, 28.12.2018.

[xxxii] Shihni Baçev i shkroi Makronit: Pres që ju t’i përmbaheni vendimit tuaj të guximshëm – jo anëtarësim në BE në kurriz të tradhtisë kombëtare, Maqedonia e Vetme, 16.10.2019.

[xxxiii] Shihni “Në Qendërr”, si i “gënjeu” Rusët Gjorge Ivanov?, 9.02.2020. “Kur ishte në Rusi, e pritën si mbret. Putini e priti atë në nivelin më të lartë… por, në fund, ai e anashkaloi edhe Putinin, edhe Rusinë, edhe “Manifestin maqedonas”, edhe popullin maqedonas, në mënyrë më të egër. Unë jam shumë i zemëruar. Është tradhti e lartë për mua…”.

[xxxiv] “Manifesti maqedonas” i dërgoi një letër të hapur Vladimir Putinit, Republika, 27.12.2021.

[xxxv] Për një pamje më të detajuar, Shihni Narrativë me dezinformata, frikësim dhe teori konspirative për identitetin maqedonas dhe popullin maqedonas, ima.mk, 20.09.2022.

[xxxvi] Velinovska dhe më vonë në disa raste akuzonte për gjenocid monstruoz dhe “gjenocid ndaj popullit maqedonas“.

[xxxvii]Mbi 800 intelektualë nënshkruan “Manifestin e mësimdhënësve maqedonas” – JO propozimit poshtërues francez“, TV Alfa, 12.07.2022.

[xxxviii] Shihni Meri Jordanovska,  Kundër-spin: Gjenocid ekonomik joekzistent dhe gjoja bllokime për të shpëtuar institucionet – rrotullim në spin në fjalimin e Mickoskit, Vërtetmatës, 20.06.2022.

[xxxix] Shihni,  Mickoski: Kovaçevski negocioi fshehtas 6 muaj, tani bën sikur nuk e di për propozimin që do ta bënte Maqedoninë bullgare, Republika, 23.06.2022.

[xl] Shihni Deputetët e VMRO DPMNE-së janë të vendosur: propozimi francez për popullin maqedonas është joevropian, çnjerëzor, johuman, skandaloz dhe diskriminues, Nova Makedonija, 15.07.2022.

[xli] Shihni Stojanoska: Propozimi francez do të kryejë një gjenocid të paprecedentë ndaj popullit maqedonas, Sitel, 15.07.2022.

[xlii] Shihni:  Karakamisheva brutale: Gjenocidi kulturor i maqedonasve po ndodh para syve tanë, e drejta ndërkombëtare ka vdekur!, Infomax 24.06.2022: “Jemi dëshmitarë të gjenocidit dhe etnocidit të llojit më të mjerueshëm!” dhe Andovska: Përbindëshit në pushtet janë gati të nënshkruajnë. Etnocid. “Për të mirën tonë”, expres.mk, 21.06.2022. Shihni dhe Perço Bozhinovski, i nënshkruar si anëtar i VMRO-DPMNE-së: “Jo – në emër të maqedonasve, ultimatum – jo, faleminderit!”, Nova Makedonija, 06.07.2022: “Për gjenocid kundër një kombi të tërë – një JO me zë të lartë!” Për etnocidin – një JO e fortë!”

[xliii] Ivica Bocevski,  Grackat më të mëdha për Maqedoninë në “propozimin francez“, Nova Makedonija, 02.07.2022.

[xliv]  Ljupço Kocarev, Presidenti i ASHAM, Maqedonizmi do të mbijetojë, Nova Makedonija, 5.07.2022.

[xlv] Shihni  Presidenti i ASHAM Kocarev dezinformon se “Maqedonasit qysh sot nuk ekzistojnë “, ИМА, 13.09.2022.

[xlvi] Ljupço Kocarev, „ Viti dy mijë e tetëdhjetë e katër” ose “Maqedonasi i fundit në Evropë“ , Nova Makedonija, 22.07.2022: “me dy dokumentet, Marrëveshjen dhe Traktatin, Maqedonia në fakt, me dije apo pa dije, bëri gjenocid mbi maqedonasit në Egje dhe në Pirin… nëse nuk i grisim dy dokumentet, maqedonasit do të zhduken dhe Maqedonia do të hyjë në BE, por jo edhe maqedonasit”.

[xlvii] Shihni „Vetëm paradashësit që gabimisht e quajnë veten politikanë janë të verbër dhe të shurdhër ndaj gjenocidit kulturor kundër Maqedonasve“, Nova Makedonija, 07.10.2022: “Vetëm njerëzit maqedonas pa dinjitet, të përulurit, paradashësit dhe pushtetarët, të cilët gabimisht e quajnë veten politikanë, dhe apologjetët e tyre, janë të verbër dhe të shurdhër ndaj faktit se me lidhjen dhe përmbushjen e marrëveshjeve me Greqinë dhe Bullgarinë, po zhvillohet një gjenocid kulturor kundër maqedonasve në vendin e tyre, Maqedoni, si dhe ndaj maqedonasve në vendet fqinje të Greqisë, Bullgarisë dhe Shqipërisë dhe kudo ku maqedonasit jetojnë dhe ekzistojnë si popull”.

[xlviii] Ivica Bocevski,  Maqedonia ka vetëm një President – Akademikun Lupço Kocarev, Nova Makedonija, 10.10.2022

[xlix] Shihni “Kocarev: Maqedonasit edhe pse janë në prag të zhdukjes do të ekzistojnë përgjithmonë!“, „Veçer“, 28.10.2022 dhe  Poligraf: Janë të pavërteta pretendimet e Presidentit të ASHAM se “Maqedonasit janë në prag të zhdukjes” dhe “Maqedonasit nuk janë më as sot!”, ima.mk, 17.11.2022.

[l] Për të shpalosur këtë dezinformim të Kocarev, shihni Poligraf: Presidenti i ASHAM-it Kocarev dezinformon se “populli maqedonas është zhdukur plotësisht nga skena ndërkombëtare”, ima.mk, 01.03.2023.

[li] Kocarev: Marrëveshjet me Greqinë dhe Bullgarinë janë holokaust maqedonas dhe gjenocid kulturor i maqedonasve, Slloboden Peçat, 22.02.2023: “…Marrëveshjet me Greqinë dhe Bullgarinë, të cilat përfaqësojnë gjenocid kulturor të maqedonasve, duhet të emërtohen në kujtesën kolektive të popullit maqedonas me shprehjen “holokausti maqedonas”, dhe institucionet kompetente në Maqedoni duhet të propozojnë një ditë për përkujtim të holokaustit maqedonas…”.

[lii] Eroll Rizaov,  “Holokausti i Maqedonasve“, DW 28.02.2023.

[liii] Shihni “Në Paris u shënuan 92 vjet nga vdekja e doktorit Anastas Kocarev, onkologut dhe shkencëtarit të madh maqedonas.“, Netpress, 27.03.2023.

[liv] Shih Eftim Kletnikov, “Qendra Përkujtimore e holokaustit maqedonas”, Nova Makedonija, 24.04.2019, ku Kletnikov i përshkroi ato si “projekte satanike të Pentagonit dhe poltronëve të tij nga Brukseli, çekiçët vdekjeprurës për copëtimin e plotë të majës së kokës të Maqedonisë, identitetit, sovranitetit shtetëror edhe atij kombëtar”.

[lv] Në kolumnën ku shtjellon idenë e „“Qendra memoriale e holokaustit maqedonas”, Kletnikov përforcon narrativin e “gjenocidit të identitetit” si “një projekt vampirik i zgjimit nga vdekja, me rroba zie me të cilat na ka mbështjellë tashmë qytetërimi nazi-fashist perëndimor.” Duke vepruar kështu, Kletnikov e përshkruan Angela Merkelin si “mbesën e Firerit të Rajhut të Tretë”, i cili korrespondon me dezinformatat kundër Merkelit, të zhvlerësuara nga kontrollues faktesh si dezinformata nga Kremlini.

[lvi]  Kocarev: Të mos lejojmë ndryshimin e Kushtetutës dhe zhdukjen e Maqedonisë! – BE e shkatërron duke reviduar shprehjen “pushtues fashist bullgar”!, expres.mk, 19.04.2023

[lvii]  Lupço Kocarev, Presidenti i ASHAM,  Të mos harrojmë, të kujtojmë dhe të veprojmë, Nova Makedonija, 20.06.2023: “Por, sot nuk duhet harruar Marrëveshja me Greqinë, e cila bëri gjenocid kulturor ndaj maqedonasve nga Egjeu. Duke hequr dorë nga maqedonasit nga Maqedonia e Egjeut, Maqedonia si shtet, në fakt hoqi dorë nga maqedonasit në Republikën e Maqedonisë”.

[lviii] Lupço Kocarev, Presidenti i ASHAM,  Maqedonia e Veriut ka vdekur, rroftë Maqedonia!, Nova Makedonija, 18.08.2023: “Për maqedonasit gjenocidi kulturor janë të gjitha dokumentet në të cilat, jo shkencërisht, por me presion politik, kërkohet të heqim dorë nga maqedonsia, nga rrënjët maqedonase, të heqim dorë nga vetja, nga maqedonasit në Pirin dhe në Egje, të heqim dorë nga vazhdimësia gjuhësore hapësinore dhe kohore maqedonase, e cila ekziston për mijëra vjet dhe vazhdon të ekzistojë edhe sot, në Maqedoni, në të gjitha vendet fqinje dhe kudo ku jetojnë maqedonasit”.

[lix] Shihni Statusi autoqefal i kishës sonë tashmë është vendosur, Nova Makedonija, 20.01.2023.

[lx] Gjykata morale e “Manifestit maqedonas” dënoi Zaevin dhe Dimitrovin për gjenocid identiteti ndaj Maqedonisë, alfa.mk, 10.05.2023.

[lxi] Shihni Eftim Kletnikov,  “Gjykatë morale dhe një proces i ri i Nyrnbergut (sepse kjo është fashizëm)”, Nova Makedonija, 10.07.2019, ku Kletnikov e akuzonte Evropën “zonjën babilonase” për fashizëm: “Me gjenocidin identitar ndaj maqedonasve, ajo ripërtëriu fuqishëm hijet e Rajhut të Tretë, të fashizmit”. Kletnikov fajësoi edhe Merkelin, e cila “aq shumë bëri presion që likuidimi maqedonas të ndodhte”, duke e lidhur atë me “gjenin fashist të Firerit gjerman”. Kletnikov avokonte për “një gjykatë morale që do të akuzojë kriminelët e rinj më fashistë evropianë, por edhe vendas në vendin tonë, të udhëhequr nga Zaev dhe Dimitrov, për gjenocid identitar ndaj maqedonasve”.

[lxii] Shihni Aleksandar Rusjakov,  Nevrikoseni që nuk mund të kryeni gjenocid fizik, apo jo? , Nova Makedonija, 17.06.2023 dhe Aleksandar Rusjakov,  BE-ja është qorrsokak, nuk kemi alternativë tjetër veç BRIKS, Nova Makedonija, 15.07.2023. Gjithashtu, Aleksandar Rusjakov, “Unë jam Amerika, Navaho nga Maqedonia, nuk jam Evropë“, Nova Makedonija, 26/08/2023: “Cili që është normal e do integrimin evropian, pas tridhjetë vjet torturash mbi ne nga BE, nga Deklarata e Lisbonës e deri më sot, me synimin për të kryer një gjenocid identitar?”.

[lxiii] Shihni në Me Maqedoninë ne ekzistojmë, pa Maqedoninë do të zhdukemi të gjithë bashkë!, Nova Makedonija, 08.09.2023.

[lxiv] Në një intervistë për Veçer, Todor Petrov për marrëveshjet e mëparshme me Greqinë dhe Bullgarinë pretendoi se ato kanë “qëllim që Maqedonia të bëhet një territor pa popullin dhe historinë maqedonase ose të ripërcaktohet si shtet i pakicave kombëtare, si Zvicra në Ballkan, si një vend i pjesëve të popujve të vendeve fqinje”. Shihni në Todor Petrov: Maqedonia ose do të jetë shtet ose nuk do të ekzistojë!, Veçer, 08.09.2023.

[lxv] Shihni në Zharko Trajanoski, Dezinformatat anti-gjinore dhe protesta e KOM-AO, ima.mk, 11.08.2023.

[lxvi] Shihni në Poligraf: Kush dezinformon se me futjen e bullgarëve në Kushtetutë do të bëhemi “Bosnja e dytë”?,  ima.mk, 16.03.2023.

[lxvii] Shihni në Ftesë për festivalin “Maqedonia 2023”, i cili do të mbahet më 2 gusht 2023 në Dellçevë, delcevo365.mk, 01.08.2023.