Me eveniment promovues dhe panel-diskutim, Instituti për Media dhe Analitikë IMA sot (28.09.2023) në Shkup e promovoi publikimin: “Ndryshimet kushtetuese në media: Dezinformata, manipulime mediatike, gjuhë e urrejtjes (analiza)”

Ky botim sjell analiza autoriale, në të cilat hulumtues të shquar me përvojë shumëvjeçare në media dhe në organizatat profesionale mediatike paraqesin gjetje, shembuj, pikëpamje dhe opinione për raportimin e mediave, dezinformatat, manipulimet mediatike dhe gjuhën e urrejtjes lidhur me ndryshimet e propozuara kushtetuese, të cilat janë kusht për vazhdimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.

Përmes analizimit të mënyrave se si është zhvilluar raportimi mediatik dhe komunikimi publik për këtë çështje, analizat e katër autorëve në këtë botim synojnë të zbulojnë narrativët dhe modelet kryesore të dezinformimit, manipulimit mediatik dhe gjuhës së urrejtjes dhe të tregojnë zgjidhjet e mundshme që do të kontribuonin për ulje të dëmeve nga polarizimi i publikut në debatin për ndryshimet kushtetuese.

Në analizën “Dezinformata, teori të konspiracionit dhe manipulime mediatike për ndryshimet e propozuara kushtetuese” autori Zharko Trajanoski bën me dije se narrativët dhe manipulimet dezinformuese që u njohën gjatë debatit publik për “propozimin francez” në vitin 2022, si dhe më herët gjatë Marrëveshjes së Prespës. referendumit dhe ndryshimeve kushtetuese në 2018 dhe 2019, vazhduan edhe në vitin 2023 në komunikimin mediatik dhe publik lidhur me ndryshimet kushtetuese.

Përmes shembujve konkretë, analiza e Trajanoskit i prezenton narrativët kryesorë që përmbanin dezinformata, teori konspirative dhe manipulime mediatike, duke përfshirë ato për “gjenocid dhe etnocid” kundër popullit maqedonas, “bullgarizim”, dezinformata për gjuhën maqedonase, dezinformata për fillimin, hapjen dhe vazhdimin e negociatave me BE-në, si dhe dezinformatat historike që ishin pjesë e pashmangshme e komunikimit mediatik dhe publik edhe për ndryshimet kushtetuese.

Në analizën “Ndryshimet kushtetuese në algoritmin dezinformata-urrejtje-polarizim”, autori Zoran Bojarovski nis me një kronologji të ngjarjeve dhe shpërthimin e gjuhës së urrejtjes gjatë të ashtuquajturit “propozim francez” për tejkalimin e kontestit me Bullgarinë dhe fillimit të negociatave të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE, karakteristikat e të cilës u pasqyruan edhe në raportimin mediatik dhe debatin publik për ndryshimet kushtetuese.

Autori bën me dije se gjuha e urrejtjes ishte një “shoqërues” i fuqishëm i debatit publik edhe në këtë fazë – veçanërisht në episodet “Protokolli”, “Klubet bullgare në Maqedoni”, “Përcaktimi i amendamenteve kushtetuese nga grupi i ekspertëve” dhe në disa episode tjera. Analiza identifikon karakteristikat dhe elementet e gjuhës së urrejtjes dhe mënyrën se si ato reflektohen në mjedisin aktual të komunikimit në vend në kontekst të ndryshimeve të propozuara kushtetuese.

Dr.Sefer Tahiri në këtë botim merr pjesë me analizën e titulluar “Mediat shqipe: Ndryshimet kushtetuese, domosdoshmëri për integrim në BE”. Nga kjo analizë rezulton se mediat në gjuhën shqipe, ngjashëm me një vit më parë për “propozimin francez”, kanë pasur raportim kryesisht afirmativ për ndryshimet e propozuara kushtetuese, të cilat janë kusht për vazhdimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

Tahiri bën me dije se edhe pse raportimi ishte kryesisht i balancuar, me hapësirë ​​për pikëpamjet e partive në pushtet dhe opozitë nga kampusi politik shqiptar dhe maqedonas, prapëseprapë në një pjesë të mediave ka pasur tone kritike ndaj qëndrimeve të VMRO-DPMNE-së opozitare, ndërsa  shumë vëmendje i është kushtuar edhe çështjes së trajtimit kushtetues të gjuhës shqipe si “gjuhë e folur nga 20 për qind e popullsisë”, ku ndryshimet kushtetuese theksohen si mundësi për ndryshime dhe korrigjim të formulimit që politikanët dhe mediat në gjuhën shqipe e konsiderojnë si padrejtësi. Autori ndalet edhe në rastet e raportimeve sensacionale, përdorimin e fjalorit fetar, si dhe në përmbajtjet mediatike me dezinformata.

Pjesë e këtij botimi është edhe analiza e autorit Petrit Saraçini “Ndryshimet kushtetuese në media dhe në rrjetet sociale: Polarizim dhe urrejtje e fuqishme, onlajn moderim i dobët, pak hulumtime dhe ankesa drejtuar trupave vetërregulluese”. Në të, përmes qëndrimeve të disa organizatave profesionale mediatike, analizohet raportimi i mediave për ndryshimet kushtetuese, si dhe polarizimi i fuqishëm dhe gjuha e urrejtjes që u shkaktuan nga kjo temë në opinion, por veçanërisht në rrjetet sociale.

Në pikëpamjet e shprehura, mbizotëron mendimi se tema e ndryshimeve kushtetuese shkakton një polarizim të dukshëm të opinionit, por nga ana tjetër vërehet edhe mungesa e hulumtimeve mediatike më gjithëpërfshirëse dhe profesionale për këtë çështje, për të cilën edhe vetë trupat vetërregullues theksojnë se kanë pak parashtresa për shkelje të rregullave etike në raportimin mediatik. Gjithashtu, theksohet se pak media i moderojnë komentet në postimet e tyre në rrjetet sociale, ndërsa për gjuhën e urrejtjes organizatat theksojnë se duhet të ketë një përgjigje më të konsoliduar dhe më të koordinuar nga institucionet.

Publikimi është pjesë e aktiviteteve të Institutit për Media dhe Analitikë IMA, të mbështetura nga Fondi Evropian për Demokraci (European Endowment for Democracy) nga Brukseli, dhe është kontribut në realizimin e angazhimeve të IMA-s për promovimin e lirisë së medias, ballafaqimin me dezinformatat dhe gjuhën e urrejtjes, zhvillimin e mendimit dhe debatit kritik, si dhe kërkimin e zgjidhjeve për të adresuar këto sfida të rëndësishme.

Publikimi mund të lexohet dhe zbritet në linkun më poshtë:

Ndryshimet kushtetuese në media Dezinformata, manipulime mediatike, gjuhë e urrejtjes (analiza)