Shkruan: PETRIT SARAÇINI

Edhe unë do të bëja një intervistë me Gordana Jankulloskën. Ajo është bashkëbiseduese relevante për shumë tema, përfshirë ato që janë aktuale në vend këto ditë. Nga ky këndvështrim, është tërësisht legjitime për çdo gazetar që të shfrytëzojë mundësinë për një intervistë me ish-ministren e Punëve të Brendshme.

Por para pyetjeve për çështjet aktuale, së pari do ta pyesja:

– Për burgosjen e gazetarëve, përzënien e gazetarëve nga puna dhe kërcënimet ndaj kolegëve gazetarë (“ajo do të fluturojë nga puna” etj.), si dhe për rrjetin klientelist të partisë së saj në media, për të cilin e dëgjuam duke folur në bisedat e përgjuara;

– Për “defterin” dhe vendosjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve të dëgjueshëm ndaj partisë ;

– Për “Lagjen e Trimave”, për “Monstrën”, për rastin e Martin Neshkovskit;

– Për “mvro-vmro”, gjegjësisht shndërrimin e MPB-së në shtab të VMRO-DPMNE-së gjatë zgjedhjeve;

– Për “rrahësit” e partisë në polici, të cilët bënin çfarë të donin dhe fusnin frikë te qytetarët, sidomos gjatë proceseve zgjedhore;

– Për “t’i shfarosim”, gjegjësisht abuzimin e pozitës për t’u ballafaquar me ata që mendojnë ndryshe mes punonjësve të policisë, por edhe në institucione tjera;

– Për të gjitha bizneset korruptive të bashkëpartiakëve të saj, për të cilat ajo bisedonte me Stavreskin, por nuk ngriti asnjë kallëzim penal;

Do ta pyesja, a pendohet për atë që bëri dhe a do t’u kërkonte falje publike bashkëqytetarëve të saj për bashkëfajësinë në kthimin e vendit në një “shtet të kapur”?

Së pari do të flisja me Jankulloskën për këto, e pastaj për të gjitha çështjet tjera. Pa një përgjigje për këto pyetje, nuk do të pranoja një bisedë me të. Sepse, Jankulloska deri më tani nuk është prononcuar publikisht për atë që ka bërë gjatë regjimit të Gruevskit.

Ndryshe, çdo dalje publike dhe intervistë me Jankulloskën pa iu përgjigjur këtyre pyetjeve, e perceptoj si tentim për amnisti të saj, e bile edhe fyerje të inteligjencës së publikut mediatik dhe të gjithë qytetarëve të vendit!