Shkruan: ZORAN BOJAROVSKI

Gjuha e urrejtjes është ushqim i politikës së jo-kulturës, kurse ata që e prodhojnë dhe ushqehen me të deri në ekstrem e polarizojnë diskursin publik. Kështu mundet të definohet gjendja me valën e pandalshme të gjuhës së urrejtjes, edhe pse kanë kaluar 15 vite që kur është regjistruar si kërcenim sistemik për demokracinë dhe praktikat e mira të politikës, dhe që kur u mbajtën mijëra punëtori, seminare, samite, konferenca për njohjen, dhe identifikimin e gjeneratorëve të urrejtjes, dhe rekomandime për shuarjen tij.

Ajo gjendje del nga algoritmi dezinformata > gjuhë e urrejtjes > polarizim dhe pasqyrohet e përkeqësohet me çdo rast, proces, apo ngjarje të re, për dikë nga fabrikat e urrejtjes do ta vlerësojnë që duhet të jenë “të ndotur” me gjuhën e urrejtjes. Dhe pothuajse nuk ka përjashtim, që, nga ana tjetër, flet për faktin se gjuha e urrejtjes u bë mjeti i rregullt për rrënim, korruptim, obstruksion, minim të proceseve shoqërore apo politike.

Për problemin me gjuhën e urrejtjes mund të thuhet që veçmë është problem sistemik.

Gjuha e urrejtjes (dhe krimet e urrejtjes) është fenomen qe ka trend të përkeqësimit dhe rritje në dy-tri vitet e fundit. Arsyeja kryesore edhe më tej qëndron te pandëshkueshmëria, edhe pse janë miratuar ndryshime në legjislacion, si edhe mosnjohja dhe mosparaqitja tek institucionet përgjegjëse. Kjo konstatohet në raportin e fundit të “Metamorfozis” për respektimin e të drejtave të njeriut në Republikën e Maqedonisë së Veriut “Të drejtat bazike  – Kornizë ka, implementimi është i ndryshueshëm, gjithkund duhen më shumë të holla[i]

Prej vitit 2020 rritet numri i rasteve

Gjuha e urrejtjes rritet nga viti në vit, dhe rritje drastike, për afro 160 për qind, është regjistruar nga organizatat joqeveritare në kalimin nga 2019 në vitin 2020, në fillim të pandemisë Covid-19, dhe tendencë nuk  ndërpre, gjegjësisht, po regjistrohet edhe sot. Sipas ekspertëve të Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut (KHDNj), nga viti 2014 deri në 1.6.2022 janë të regjistruara 3.046 raste të gjuhës së urrejtjes.

Regjistrimi i këtyre rasteve mund të shihet në platformën në internet për raportimin e gjuhës së urrejtjes, që është vendosur në vitin 2014 nga ana e KHDNj, me ndihmën e NED-it amerikan, “Gjuha e urrejtjes”, (govornaomraza.mk)[ii] Ato 3.046 raste që janë regjistruar që nga atëherë janë raste të pastra  të gjuhës së urrejtjes në 14 baza të ndryshme që i njeh ligji, dhe vlen të theksohet që janë të kontrolluara dhe të filtruara nga numri i paraqitjeve që është shumë më i madh, prandaj nuk ka dyshim që bëhet fjalë për raste të gjuhës së urrejtjes.

Nga kjo statistikë, si baza më të shpeshta të gjuhës së urrejtjes veçohen përkatësia etnike me 1.477 raste ose 37 për qind, përkatësia politike me 922 raste apo 23 për qind, përkatësia gjinore apo seksuale me 901 raste apo 23 për qind, gjinia dhe seksi me 238 raste apo 6 për qind.

Gjuha e urrejtjes mund të haset gjithkund, por platformat më të shpeshta të shpërndarjes janë rrjetet sociale. Sipas rangimit të ekspertëve, më së paku ka në mediat tradicionale, kurse shumë më tepër në mediat onlajn, por definitivisht si platforma “mbjellëse” të gjuhës së urrejtjes, keqpërdoren “Fejsbuku”, “Jutjubi”, dhe kohën e fundit “Tik-toku”, thuhet në raportin e “Metamorfozis”.

Trendi në rritje konfirmohet edhe nga statistikat që i bën Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi. Vetëm nga viti 2021 deri në janar të vitit 2022, Komisioni ka marrë 14 vendime për format e kryera të diskriminimit përmes gjuhës së urrejtjes ose gjuhës shqetësuese të shprehura përmes mjeteve të informimit/mediave publike, kryesisht përmes rrjeteve sociale “Fejsbuk dhe “Tuiter”. Gjuha e tillë u drejtohej personave që i përkasin një grupi të margjinalizuar, dhe i referohen orientimit seksual, pra në bazë të seksit, gjinisë, orientimit seksual, identitetit gjinor. Në bazë të origjinës kombëtare ose etnike, prejardhjes, aftësive të kufizuara, gjendjes familjare ose martesore e të tjera janë konstatuar edhe shtatë raste të tjera, ku është konstatuar gjuhë shqetësuese ose diskriminuese, kështu që në total janë mbi 20 raste të tilla në vitin 2021, vetëm me mjete të informimit/mediave publike, përfshirë rrjetet sociale.

Mirëpo, numri rritet në mënyrë dramatike në vitin 2022, Komisioni në raportin e tij tremujor për periudhën janar-mars 2022[iii] paraqet të dhëna se deri në 50 për qind e ankesave ku është konstatuar diskriminim, pra 13 ankesa, i referohen diskriminimit të kryer përmes mjeteve të informimit publik/mediave, dhe numri më i madh i tyre i referohen rrjetit social “Fejsbuk”.

Nëse merren parasysh rastet e regjistruara nga shoqatat e gazetarëve në një apo dy vitet e fundit dhe organizatave tjera joqeveritare (për shembull, vetëm “Metamorfozis” ka regjistruar rreth dhjetë raste të gjuhës së urrejtjes dhe nxitjes së krimeve të urrejtjes ndaj punonjësve të tij), është mjaft e qartë madhësia e problemit me të cilën përballet shoqëria.

Gjuha e urrejtjes “sponsorizohet” nga zyrtarë të lartë dhe figura publike

Në një analizë të mëparshme mbi gjuhën e urrejtjes për “propozimin francez”, Instituti për Media dhe Analitikë (IMA), “Propozimi francez: Gjuha e urrejtjes, dezinformata, manipulime mediatike”[iv], në kapitullin “Shpërthimi i gjuhës së urrejtjes gjatë debatit publik” rreth ‘propozimit francez’”, u konstatua se debati ditor politik për të ashtuquajturin “propozim francez” për tejkalimin e kontestit me Bullgarinë dhe vetos për fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian, e ndezi gjuhën e urrejtjes në publik, media dhe në rrjetet sociale.

Të tilla fenomene morën hov bashkë me tensionet kur ky proces arriti kulmin, pra, vitin e kaluar, përgjatë debatit për “propozimin francez”. Analiza identifikoi karakteristikat dhe elementet e gjuhës së urrejtjes që mbizotërojnë në diskursin publik dhe se si ato u reflektuan në mjedisin aktual të komunikimit në vend në kontekstin e kornizës së propozuar për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, pra, “propozimin francez”, i cili u pranua gjerësisht si term në diskursin publik.

Në analizën e IMA-s, u konstatua se zyrtarë të lartë të partisë “Levica” (E Majta) gjuhën e urrejtjes e kanë mbartur nga mediumet dhe rrjetet sociale në paraqitjet publike qëkur bënë thirrje për radikalizim (Apasiev propozon radikalizimin e opozitës me protesta, bllokada dhe paralizim të parlamentit[v]), dhe më pas me retorikë të hapur të urrejtjes ndaj presidentit të shtetit Pendarovski (Apasiev e shan publikisht Pendarovskin[vi]), pasi kreu i shtetit deklaroi në Samitin e NATO-s në Madrid se propozimi i modifikuar francez është “shumë më i mirë për ne krahasuar nga ai i mëparshmi”. Kjo vetëm u dha një shtytje ndjekësve të Apasievit në rrjetet sociale, veçanërisht pasi ai “shpërtheu” me fjalë të pahijshme edhe ndaj disa gazetarëve që shprehën mendimin për “propozimin francez” (Zyrtarët e “Levicës” me etiketa, gjuhë urrejtjeje dhe kërcënime për ta vënë në “listë” gazetarin Popetreski[vii])

Të gjitha këto dukuri kanë ardhur si pasojë e gjuhës urrejtjes, e cila nga rrugët ka kaluar edhe në Kuvend, e ushqyer vazhdimisht nga shkëmbimi masiv i urrejtjes së qytetarëve të polarizuar në rrjetet sociale (Debat rrugësh në Kuvend: Deputetët e LSDM-së janë frikacakë, e ata nga VMRO-DPMNE janë për trajtim në Demir Hisar[viii]).

Veçanërisht brengosëse ishin dukuritë e gjuhës më të theksuar të urrejtjes dhe ndarjeve në plan të brendshëm ndërmjet dy grupeve më të mëdha etnike (Mllefi nga propozimi francez derdhet mbi bashkëjetesën[ix] ).

Instituti për Media dhe Analitikë IMA ka regjistruar se nga gjuha e urrejtjes nuk janë kursyer as zyrtarët e lartë të BE-së, të cilët erdhën në Maqedoninë e Veriut me mesazhe se gjuha maqedonase qëndron pa kualifikim nga BE-ja në propozimin e ndryshuar të kornizës së negociatave dhe se e ardhmja e Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian, si dhe se Evropa nuk është e tërë pa Maqedoninë e Veriut (Sulme të orkestruara me gjuhë urrejtjeje dhe dezinformata ndaj Fon Der Lejen dhe BE30[x]).

Për këtë ka reaguar Komisari Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi Oliver Varheji, i cili në një intervistë për “Euraktiv”[xi] i ka bërë thirrje opozitës në Maqedoninë e Veriut të kthjellet, me mesazhin se “djegia e dokumenteve në sallën plenare, shtyrja e njerëzve në dhunë dhe nxitja e urrejtjes nuk sjell asgjë përveç dëmit.”

Komiteti i Helsinkit reagoi ndaj përshkallëzimit të dhunës dhe gjuhës së urrejtjes duke “dënuar çdo akt dhune dhe çdo fjalë urrejtjeje, si dhe nxitjen dhe thirrjet për dhunë[xii]”, si të dëmshme tej mase dhe në kundërshtim me vlerat e një shoqërie demokratike. Komiteti i Helsinkit njohu se gjuha e urrejtjes është marrë përsipër nga politikanët dhe personat publik  dhe u bëri thirrje atyre “të kenë kujdes në lidhje me gjuhën që përdorin në adresimin e tyre ndaj publikut dhe që mediat të raportojnë ngjarje të udhëhequra nga parimet e objektivitetit dhe paanshmëri në raportim”. Në këtë kontekst, Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi njoftoi se janë dorëzuar rreth dhjetë paraqitje për dëshmim të diskriminimit në bazë etnike në opinionet e publikuara në rrjetet sociale (Dhjetëra raporte për gjuhë të supozuar të urrejtjes ndaj bullgarëve në vend[xiii]).

Dhe kur u konsiderua se kulmi i gjuhës së urrejtjes u arrit vitin e kaluar gjatë protestave në rrugë kundër “propozimit francez”, ai shpërthim i gjuhës së urrejtjes u përhap edhe më pas në debatin publik për ndryshimet kushtetuese, të cilat synojnë të ndryshojnë Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut me amendamente kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Preambulën e aktit kushtetues të shtetit.

Reagimet dhe apelet nuk ndihmuan. Gjuha e urrejtjes ishte një “shoqërues” i fuqishëm i debatit për marrëdhëniet me Bullgarinë dhe i obstruksioneve të këtij vendi në procesin e qasjes të vendit tonë për anëtarësim në BE edhe në këtë fazë të këtij procesi – veçanërisht në episodet “Protokolli”, ” Klubet bullgare në Maqedoni”, “Përcaktimi i ndryshimeve kushtetuese nga grupi i ekspertëve” dhe në disa të tjera.

Dezinformatat për Protokollin e ndërmjetësuar nga BE-ja për zbatimin e Marrëveshjes për Miqësi ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë gjeneruan urrejtje

Se sa e rëndësishme dhe e ndjeshme është çështja e gjuhës së urrejtjes në marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, dëshmon Protokolli[xiv] për zbatimin e Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim ndërmjet dy vendeve, në të cilin kjo temë dhe rekomandimet lidhur me këtë kanë një kapitull të veçantë.

Protokolli u nënshkrua më 17 korrik 2022 në Sofje nga ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe shefja e atëhershme e diplomacisë së Bullgarisë, Teodora Gençovska. Nënshkrimi i Protokollit dhe mbajtja e mbledhjes së komisionit ndërqeveritar pasoi pasi “propozimi francez” u miratua nga Qeveria, pas miratimit të konkluzioneve në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

Në protokoll, mes tjerash, mbi gjuhën e urrejtjes, në mënyrë shtesë parashikohet që shtetet do të marrin masa efektive për parandalimin e propagandës keqdashëse nga institucionet dhe agjencitë dhe do të dekurajojnë aktivitetet e subjekteve private që synojnë nxitjen e dhunës, urrejtjes apo aktivitete të tjera të ngjashme, të cilat do të dëmtonin marrëdhëniet mes tyre.

“Të dy shtetet, përmes kanaleve diplomatike ndërmjet ministrive të punëve të jashtme, të vazhdojnë të shkëmbejnë informacione në lidhje me gjuhën e urrejtjes, mbishkrimet dhe tabelat e identifikuara në ndërtesat dhe monumentet publike, tekstet në librat shkollorë dhe materialet mësimore, si dhe në hapësirën publike në territorin e shtetin tjetër dhe të informojnë brenda një periudhe të arsyeshme kohore që shteti përkatës të marrë masa për heqjen e menjëhershme të rasteve të identifikuara të gjuhës së urrejtjes”, thuhet në Protokollin.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, pas nënshkrimit të Protokollit Bilateral, tha se përmes këtyre pikave të Protokollit, ministritë përmes trupave të posaçëm punues do të monitorojnë trendin dhe nëse shohin se dikush po provokon qëllimisht, do t’i informojnë institucionet kompetente.

Por kjo nuk ndihmoi shumë. Së shpejti u shfaqën postime me frekuencë të madhe reagimesh dhe komentesh që shpërndanin dezinformata, në të cilat ngjitej gjuha e urrejtjes, e cila polarizoi edhe më shumë opinionin maqedonas.

Portali Vërtetmatësi  (Vistinomer[xv]). si shembull tipik i dezinformatave që prodhuan një sasi të madhe të gjuhës së urrejtjes, ka analizuar një postim në rrjetin social Fejsbuk, ku gabimisht pohohet se Protokolli parashikon prishjen e monumenteve që nuk miratohen nga Bullgaria, se i gjithë dokumentacioni nga arkivat në Maqedoni nga viti 1945 deri në vitin 1990 do të çohet në Bullgari ose se do të ketë dënime me burg për “shprehje” kundër bullgarëve.

Kontrolluesit e pavarur të fakteve në analizë dëshmojnë se asgjë nga këto nuk është e vërtetë, ashtu siç nuk është e vërtetë që tekstet e reja do të miratohen në Bullgari ose se Maqedonia do të duhet t’i kërkojë falje Bullgarisë për persekutimin e bullgarëve në Maqedoni nga komunistët.

Në recensionin e postimit të mbushur me dezinformata, Vistinomer.mk i referohet edhe insinuatave se Protokolli parashikon se librat, filmat dhe veprat e tjera artistike të pamiratuara nga Bullgaria do të ndalohen dhe se të gjithë librat dhe filmat e rinj të ardhshëm do të duhet të miratohen në Sofje.

Kjo gjithashtu nuk është e vërtetë, pasi nuk ka një dispozitë të tillë në Protokoll. Të dy shtetet vetëm garantojnë se financimi shtetëror i librave të rinj, dokumentarëve dhe revistave, filmave dhe prodhimeve të tjera artistike, si dhe i monumenteve e festimeve të kulturës, do të realizohet në frymën e Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim, dhe në këtë kontekst me vëmendjen e nevojshme ndaj të gjitha formave të gjuhës së urrejtjes.

Për më tepër, një dispozitë e tillë nuk është e mundshme, sepse në Maqedoninë e Veriut, në Kushtetutë[xvi], në nenin 16, “liria e besimit, ndërgjegjes, mendimit dhe shprehjes publike të mendimit është e garantuar. Garantohet liria e fjalës, paraqitja publike, informimi publik dhe krijimi i lirë i institucioneve për informim publik. Censura është e ndaluar”.

Sipas fakteve të deklaruara, pretendimet e shprehura në postim janë tendencioze dhe të pavërteta, është konstatuar në analizën e Vistiniomer.mk, por kjo nuk e ka ndalur gjuhën e urrejtjes që nxitet me këtë dhe postime të tjera të ngjashme.

Klubet bullgare bashkërisht me gjuhën e urrejtjes kanë sjellë edhe vepra penale të urrejtjes

Klubet dhe shoqatat bullgare që filluan të krijohen në kulmin e marrëdhënieve të acaruara maqedono-bullgare sollën një valë të re të gjuhës së urrejtjes, por edhe një valë dhune, e cila u bë veçanërisht shqetësuese.

Në hapjen e klubit të parë kulturor të bullgarëve në Manastir të quajtur “Ivan (Vanço) Mihailov”, më 16 prill 2022, morën pjesë edhe krerët e atëhershëm të qeverisë bullgare, të kryesuar nga Kiril Petkov si kryeministër.

Ngjarja shkaktoi pakënaqësi të madhe në opinionin maqedonas, më së shumti për faktin se klubi kulturor në Manastir mban emrin e një personi që njihet si negativ në lidhje me historinë dhe luftën revolucionare maqedonase dhe si personazh që ka bashkëpunuar me fashistët gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ka pohuar se maqedonasit janë bullgarë.

Më 3 qershor 2022, u dogj porta e klubit në Manastir. Për këtë u akuzua këngëtari Llambe Allabakoski, e pas kësaj filloi një procedurë gjyqësore, e cila përfundoi më 27 shtator të të njëjtit vit me dënim me kusht prej gjashtë muajsh, i cili nuk do të zbatohet nëse Allabakoski nuk kryen vepër të re në dy vitet e ardhshme.

Tensionet e shkaktuara nga këto ngjarje nuk pushuan të nxiten edhe gjatë periudhës në vijim, gjatë së cilës u organizuan më shumë takime dhe u publikuan më shumë deklarata që supozohej se do të deeskalojnë situatën.

Por në vend që kjo të ndodhte, pati disa deklarata të eurodeputetit bullgar Angell Xhambaski, duke përfshirë edhe atë se ai do të drejtojë personalisht një delegacion bullgar për të festuar ditëlindjen e Goce Dellçevit më 4 shkurt.

Për këtë reagoi kryeministri Kovaçevski, i cili deklaroi se “incidentet dhe provokimet mes dy vendeve janë shkaktuar qëllimisht nga ata që nuk duan që ne të bëhemi anëtarë të BE-së”, ndërsa ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, tha se, “për herë të fundit do të hyjë në vend kushdo që i quan maqedonasit bullgarë ose thotë se Maqedonia e Veriut është bullgare”.

Kësaj vale të tensioneve të rënda në marrëdhëniet maqedono-bullgare i parapriu incidenti në Ohër, kur më 19 janar 2023 u sulmua dhe u rrah sekretari i klubit vendor bullgar “Car Boris Treti”, Hristijan Pendikov. Bullgaria akuzoi menjëherë për shkeljen e të drejtave të bullgarëve në Maqedoni, si dhe pati kërcënime për bllokimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Incidenti u dënua nga udhëheqësit maqedonas dhe bullgarë dhe Bullgaria dërgoi një aeroplan qeveritar për ta çuar Pendikovin në Sofje për trajtim, gjë që shkaktoi gjuhë të urrejtjes edhe më tej.

Ndërkohë, në rrjetet sociale fondacioni bullgar “Maqedonia” veçmë kishte bërë thirrje për një vizitë të organizuar të bullgarëve te varri i Goce Dellçevit në kishën “Shën. Spasi” në Shkup më 4 shkurt dhe si kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë ndaj këtij provokimi ka ardhur edhe reagimi i Aleksandar Pandovit nga VMRO-DPMNE, i cili në profilin e tij në Fejsbuk ka njoftuar se maqedonasit do të jenë në kishën “Sveti Spas” duke filluar nga mëngjesi.

Protesta pati edhe në hapjen e klubit bullgar “Car Borisi i Tretë” në Ohër, ndërsa disa ditë më vonë u dëmtua tabela me emrin e klubit.

Protesta u organizua nga “Levica” dhe u mbështet nga VMRO-DPMNE. Atëherë, edhe komuniteti hebre në Maqedoni doli me qëndrimin se ishin tmerruar nga “lavdërimi i fashizmit dhe përhapja e gjuhës së urrejtjes”.

Në këtë drejtim, deputetët në Kuvendin e Maqedonisë filluan iniciativën për kufizimin e të drejtës së shoqatave për të zgjedhur emrat që lidhen me fashizmin.

Gjuha e urrejtjes nuk e ka anashkaluar debatin për ndryshimet kushtetuese

Fatkeqësisht, shumë e pritshme, gjuha e urrejtjes nuk e ka anashkaluar debatin për ndryshimet kushtetuese, kur ato hynë në fazën e përcaktimit të amendamenteve për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë.

Një nga karakteristikat tipike të gjuhës së urrejtjes në mediat sociale janë komentet dhe kërcënimet seksiste, të cilat gjithmonë fokusohen tek vajzat dhe gratë që janë të zëshme dhe aktive kur bëhet fjalë për këto apo procese të tjera politike.

Deputetja dhe kryetarja e partisë politike të LDP-së, Monika Zajkova, ishte shënjestër e gjuhës së urrejtjes dhe sulmeve seksiste me një lajm të sajuar gjoja të publikuar nga portali i javores Fokus[xvii].

Ekipi monitorues i organizatës Civil e përgënjeshtroi këtë përmbajtje dhe bëri të ditur se Fokus për CIVIL Media konfirmoi se një përmbajtje e tillë nuk ishte publikuar në faqen e tyre dhe se logoja e faqes ishte keqpërdorur.

Dezinformata të tilla dhe sulme seksiste pasuan deklaratën e Zajkovës se është me origjinë nga Kukushi, flet gjuhën maqedonase dhe do të jetë gjithmonë maqedonase krenare.

Pak më vonë, kur me iniciativë dhe propozim të Qeverisë u formua grupi i ekspertëve që duhej të përgatiste tekstin e amendamenteve të Kushtetutës, me të cilat bullgarët duhet të përfshihen në kushtetutën e shtetit (Propozimi për qasje në Ndryshime të  Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut me Udhëzim për ndryshimin dhe plotësimin e kushtetutës[xviii]), as ekspertët e propozuar nuk u kursyen nga gjuha e urrejtjes.

Vetë titujt e teksteve për anëtarët e grupit të ekspertëve të propozuar nga Qeveria, i cili duhej të përcaktonte ndryshimet kushtetuese, nxisnin gjuhën e urrejtjes. Për shembull ky: Ja kush do t’i vendosë bullgarët në Kushtetutë: Mes të ashtuquajturve ekspertë ka gjithçka, por jo profesorë të së drejtës kushtetuese[xix].

Një shënjestër e veçantë e botëve dhe trollëve partiakë në rrjetet sociale ishte profesoresha Dr. Ana Çupeska nga Fakulteti Juridik në Shkup, ndaj së cilës kishte gjuhë masive urrejtjeje që nxiti VMRO-DPMNE-në me dezinformatat se Çupeska mbështet arrestimin dhe burgosjen e gazetarëve dhe se ajo nuk është kompetente për të shkruar amendamente kushtetuese[xx].

Nuk janë kursyer nga gjuha ekstreme e urrejtjes as aktivistët e shoqërisë civilë, madje edhe nga kërcënimet dhe thirrjet e hapura për dhunë fizike. Kryetari i Civilit, Xhabir Deralla, është në shënjestër të vazhdueshme të gjuhës së urrejtjes, por këtë pranverë, ndërsa proceset për përcaktimin e ndryshimeve kushtetuese po përshpejtoheshin, ndaj Derallës janë drejtuar kërcënime serioze dhe gjuhë urrejtjeje.

Në reagimin e Civilit “Gjuhë e urrejtjes, gënjeshtra dhe kërcënime ndaj kryetarit të CIVIL-it, Xhabir Derallës[xxi]”, në përgjigje të gjuhës së urrejtjes dhe kërcënimeve, theksohet se “është e qartë se këto sulme aq sa kanë për qëllim Derallën, ato janë drejtuar edhe kundër organizatës CIVIL dhe platformës së saj mediatike. Dihet se CIVIL si organizatë promovon të drejtat e njeriut, demokracinë, multikulturalizmin, vlerat evropiane dhe orientimin euroatlantik të vendit. CIVIL është një nga organizatat më relevante për luftimin e dezinformimit, propagandës dhe gjuhës së urrejtjes, si dhe një organizatë me reputacion për monitorimin e proceseve zgjedhore dhe kontrollin e armëve. Së këndejmi, sulme të tilla të orkestruara synojnë pikërisht kundër vlerave dhe veprimeve të CIVIL-it dhe me këtë ushtrohet presion edhe ndaj qytetarëve që të mos guxojnë të shprehin mbështetjen publike për organizatën”.

Gjuha e urrejtjes rreth fushave sportive

Ekipi monitorues i organizatës Civil ka monitoruar edhe gjuhën e urrejtjes agresive dhe të dhunshme që u shfaq në prag, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit ndërmjet ekipeve të Shkupit dhe Levskit.

Gjuha e urrejtjes dhe dhuna që shkaktoi nuk mund të përjashtohen nga situata dhe imazhi i përgjithshëm i këtij fenomeni të temave që kanë të bëjnë me marrëdhëniet maqedono-bullgare dhe miratimin e amendamenteve kushtetuese.

Në një atmosferë kaq të ndezur dhe të polarizuar, kanë ndodhur edhe skena të pakëndshme dhe të dhunshme të shkaktuara nga tifozët e të dy klubeve.

raportin e ekipit të monitorimit të Civilit[xxii], thuhet se “tifozët e klubit bullgar Levski, të cilët ende nuk kishin arritur në ndeshjen e futbollit mes Levskit dhe Shkupit, veçmë kanë filluar të provokojnë në rrjetet sociale se do ta djegin flamurin maqedonas dhe atë shqiptar në tribunat e stadiumit Todor Proeski në Shkup. Me këtë, nacionalistët bullgarë të veshur me kanotiere huliganësh vetëm dëshmuan se duan të shkaktojnë tensione etnike nga të cilat do të përfitojnë vetëm politikanët bullgarë (dhe një pjesë e maqedonasve) që po bllokojnë rrugën e Maqedonisë drejt Bashkimit Evropian”.

Epilogu i kësaj gjuhe të urrejtjes në prag të ndeshjes rezultoi me dhunë fizike dhe kacafytje mes tifozëve. I tillë ishte incidenti në lagjen Çair të Shkupit, i cili pati një ndikim të madh në mediat maqedonase dhe bullgare. Lidhur me këtë incident, Prokuroria Themelore Publike ka lëshuar një komunikatë[xxiii] në të cilën thuhet:

“Sipas informacioneve fillestare, ngjarja ka ndodhur teksa tifozët e KF “Levski” me dy automjete me targa bullgare kanë qenë duke lëvizur në afërsi të qendrës tregtare “Çairçanja”, ku janë zënë verbalisht me kalimtarët dhe qytetarët. Tifozët bullgarë kanë ndaluar automjetet dhe kanë zbritur prej tyre, gjë pas së cilës debati verbal është shndërruar në përleshje fizike me një grup qytetarësh të cilët kanë dalë nga ndërtesat përreth. Gjatë kthimit në makinë, një shtetas bullgar 29-vjeçar ka mbetur i plagosur me një mjet të mprehtë në bark. Tek ai janë konstatuar lëndime të rënda trupore dhe është shtruar në spital. Pas ndërhyrjes kirurgjikale ndodhet në gjendje stabile”, kumtoi Prokuroria.

Më pas, para fillimit të ndeshjes jashtë stadiumit të qytetit, ata kanë vazhduar me dhunë verbale dhe fizike, ndërsa brenda stadiumit kanë kënduar këngë kundër maqedonasve dhe shqiptarëve: “Vrit, vrit, vrit Shi.tarë”.

Mbi këto ngjarje reagoi edhe Instituti për Media dhe Analitikë (IMA)[xxiv], nga ku theksuan se “gjuha e urrejtjes para, gjatë dhe pas garave sportive shkakton dëme të shumëfishta dhe nxit dhunë. Instituti për Media dhe Analitikë IMA dënon gjuhën e urrejtjes dhe dhunën para dhe gjatë ndeshjes së futbollit në Shkup ndërmjet klubeve të futbollit Shkupi dhe Levski”.

Në reagimin e tyre, IMA u bën thirrje institucioneve kompetente që të marrin masa ndëshkuese, si dhe masa të tjera që do të parandalojnë përsëritjen e gjuhës së urrejtjes dhe dhunës që ajo nxit në të ardhmen, si dhe u bëri thirrje politikanëve dhe mediave që të dënojnë publikisht gjuhën e urrejtjes.

Emërtimi (“Name calling”) në rrjetet sociale është mjet kryesor për nxirje, frikësim dhe heshtje të kundërshtarëve

Mjeti kryesor që përdorin protagonistët e gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale dhe në portalet e mediave tradicionale, me të cilat shajnë, shpifin, frikësojnë dhe tentojnë të mbyllin gojën e kundërshtarëve nga të dyja palët, janë emërtimet fyese, pra atributet nënçmuese.

Më të njohurit dhe më të shpeshtët janë epitetet “severxhan/severxhanë” ose “vmron/vmronë”.

Por kur shteren këto ofendime me origjinë “ideologjiko-partiake”, vijnë në radhë pjesa tjetër “tradicionale” e emërtimeve perbuzës si “komunjarë”, “hajdutë”, “hohshtaplerë”, “pështyrës”, “analfabetë”, “të palarë”, që pasohet me fyerje në llogari të fesë, përkatësisë etnike, orientimit seksual, kombësisë…

Jo rrallëherë ka përdorim të gjuhës që, bashkë me ofendimet, kërkon qërim hesapesh dhe likuidim fizik.

Një sërë analistësh tregojnë se ky trend është në rritje dhe se lidhet drejtpërdrejt me nevojën e qendrave politike të pushtetit për të shkëputur vëmendjen e publikut nga një sërë problemesh reale nga sfera ekonomike dhe sociale ose për ta drejtuar atë në tema që janë të lidhura me partinë dhe jo të interesit publik.

Fatkeqësisht, për shkak të gjerësisë dhe intensitetit të gjuhës së urrejtjes të orkestruar nga qendra të ndryshme të fuqisë me trollë në rrjetet sociale, ne tashmë kemi breza të rinj që rriten në një jetë të përditshme ku urrejtja është “normale” dhe të cilët në mënyra të ndryshme sugjerojnë që shkelja e dinjitetit dhe individualitetit bazë njerëzor të tyre apo të tjetrit, është diçka e zakonshme.

Pavarësisht nga intensiteti i gjuhës së urrejtjes, rekomandimet janë që proporcionaliteti i masave për trajtimin e saj duhet të jetë i njëjtë, nëse jo më i madh.

Rekomandimi mbetet që publikimet me përmbajtje me gjuhë të urrejtjes duhet të moderohen sipas Udhëzimeve për Raportim Etik të Mediave Onlajn në Maqedoninë e Veriut të Këshillit për Etikën e Mediave në Maqedoni (pika 10.4).

Por megjithëse rekomandimi thotë se “mediat onlajn janë përgjegjëse për shqyrtimin e rregullt dhe heqjen e menjëhershme të komenteve të përdoruesve të postuara nën përmbajtje gazetareske në faqet e internetit ose në rrjetet sociale që përmbajnë gjuhë të urrejtjes dhe që kanë potencial të shkaktojnë pasoja të dëmshme në shoqëri” –është i vogël numri i mediave që e bëjnë këtë. Ndoshta në përpjekje për më shumë lexues, për çka kontribuojnë diskutimet me komente të shumta që rrisin shikueshmërinë e postimeve, mediat harrojnë detyrat e tyre etike. Disa prej tyre e justifikojnë këtë me mungesën e resurseve njerëzore për moderimin e duhur të posteve të tyre.

Cilido qoftë shpjegimi apo arsyetimi, dëmtimi i interesit publik dhe shëndetit mendor të shoqërisë do të jetë i pariparueshëm nëse nuk merren masa konkrete, të përshtatshme dhe të vazhdueshme sa më shpejt të jetë e mundur për t’iu përgjigjur në mënyrë efikase këtij problemi serioz.

Gjuha e urrejtjes dhe propaganda keqdashëse shkojnë dorë për dore

Çdo veprim i sjelljes destruktive nuk i bën mirë askujt, përveç atyre që e përdorin këtë mjet tinëzar për qëllime të pista.

Gjuha e urrejtjes dhe veprat e urrejtjes janë të ndërlidhura dhe përfaqësojnë një kërcënim për të drejtat dhe liritë e njeriut, por edhe për zhvillimin, sigurinë dhe stabilitetin e një shoqërie demokratike.

Ballafaqimi me gjuhën e urrejtjes, marrja e masave efektive për parandalimin e propagandës keqdashëse nga institucionet dhe agjencitë, si dhe dekurajimi i aktiviteteve të subjekteve private, mund të jetë problematik në procesin e qasjes të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE – përderisa nuk merren masa të tilla.

Fakti që termi “gjuhë e urrejtjes” është përfshirë në dy grupime dhe përmendet 18 herë në Raportin e Komisionit Evropian për përparimin e Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit evropian për vitin 2022[xxv], tregon se sa e rëndësishme është kjo çështje. Me këtë, Komisioni Evropian e veçoi gjuhën e urrejtjes si temë veçanërisht aktuale, për të cilën janë formuluar disa rekomandime.

Dilema që mund të shihet këtu është nevoja për të përcaktuar (definuar) se çfarë është propaganda keqdashëse dhe vendosja institucionale dhe përgjegjësia për përcaktimin e saj, bëri me dije Radio Evropa e Lirë në një nga analizat e saj me titullin indikativ “Amendamentet kushtetuese janë vetëm një nga pengesat e mundshme drejt Hyrja në BE”. [xxvi]

“Sa i përket gjuhës së urrejtjes, e sidomos duke pasur parasysh aktualitetin dhe ashpërsinë e situatës me gjuhën e urrejtjes nga të dyja palët, nevojitet një reagim i menjëhershëm i MPJ-së në koordinim me Ministrinë e Drejtësisë, përfshirë edhe Avokatin e Popullit, për të filluar komunikimin me Agjencinë Evropiane për të Drejtat Themelore, me qëllim të shfrytëzimit të ekspertizës, këshillave dhe udhëzimeve të saj për të krijuar një mekanizëm funksional gjithëpërfshirës me respektim të plotë të të gjitha normave ndërkombëtare dhe sigurimin e mbrojtjes së lirisë së mendimit dhe fjalës”, tha Zoran Neçev nga Instituti për Demokraci në analizën e Radios Evropa e Lirë.

Në vend, gjuha e urrejtjes trajtohet sipas Ligjit Penal apo konventave ndërkombëtare, sipas të cilave ballafaqimi me gjuhën e urrejtjes duhet të jetë kujdes prioritar i çdo shteti dhe kjo është veçanërisht e rëndësishme kur bëhet fjalë për vendin tonë dhe procesin e integrimit evropian.

“Veprimi ndaj gjuhës së urrejtjes do të jetë pjesë e kushteve, por kur flasim se cila gjuhë e urrejtjes është më e dëmshme, atëherë së pari: është ajo ndaj së cilës nuk veprohet dhe, e dyta, është ajo që vjen nga përfaqësuesit zyrtarë të shtetit. Dhe për këtë arsye deklaratat e qytetarëve në rrjetet sociale apo në publik janë pjesë e “zhurmës së madhe”, por janë të parëndësishme për procesin e integrimit evropian. Nëse ajo gjuhë vjen nga përfaqësues politikë, deputetë apo nga kreu i shtetit, atëherë është gjuhë e dëmshme që e prish procesin”, thotë Andreja Stojkovski nga Prespa Instituti në të njëjtën analizë të Radios Evropa e Lirë.

Sulmet ndaj bullgarëve të Maqedonisë dhe qendrave kulturore bullgare u përfshinë gjithashtu në raportin e ECRI për Maqedoninë e Veriut[xxvii]. Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI), i krijuar nga Këshilli i Evropës, si një organ i pavarur monitorues i të drejtave të njeriut i specializuar në çështjet që lidhen me luftën kundër racizmit, diskriminimit (bazuar në “racë”, origjinë etnike/kombëtare, ngjyrën e lëkurës , shtetësisë, fesë, gjuhës, orientimit seksual dhe identitetit gjinor), ksenofobisë, antisemitizmit dhe jotolerancës, në raportin për vendin për vitin 2023 vlerëson “dhunën antibullgare si një shqetësim serioz, veçanërisht pas disa sulmeve ndaj njerëzve që e identifikojnë veten si bullgarë dhe mbi qendrat kulturore bullgare” dhe i referohet “hapave të autoriteteve për të anuluar regjistrimin ose për të shpërndarë disa shoqata kulturore ekzistuese bullgare”.

Njëkohësisht, përmendet edhe incidenti me klubin “Ivan Mihaillov” në Manastir, i cili ka ndodhur, siç thuhet në raport, pas një sërë kërcënimesh ndaj klubit. Presidenti dhe Qeveria e dënuan sulmin, por qëndrimi i disa bashkëbiseduesve të ECRI-t ishte se dënimi me kusht për sulmin në Manastir nuk ishte mjaft i rreptë për të parandaluar incidente të tilla në të ardhmen.

Po ashtu, përmenden edhe ngjarjet lidhur me klubin “Car Borisi i Tretë” në Ohër, ku në incidentin e dytë janë përdorur armë zjarri dhe dhunë fizike. ECRI kërkon jo vetëm dënimin e përdorimit të gjuhës së urrejtjes dhe dhunës dhe nxjerrjen para drejtësisë të autorëve të krimeve të urrejtjes, por edhe një kundërshtim sistematik dhe të konsekuent ndaj diskursit publik antibullgar, me qëllim për të ndalur këtë trend shqetësues.

Komisioni, siç shtohet në raport, është i vetëdijshëm për polemikat politike në lidhje me përdorimin e emrit të Ivan Mihaillov dhe idetë e tij politike se maqedonasit janë bullgarë dhe pranon se përdorimi i emrit Car Boris i Tretë është gjithashtu i kontrovers dhe provokues, duke marrë parasysh rolin e bullgarëve si pushtues të Maqedonisë në Luftën e Dytë Botërore.

Pyetja e përhershme: Çfarë duhet bërë?

Ajo që mund të konkludohet nga kjo analizë përputhet me konstatimet e vërtetuara se gjuha e urrejtjes shërben si mjet për përforcimin e dezinformatave, spinimin dhe shkaktimin e dyshimeve dhe mosbesimit në procese dhe institucione. Në këtë rast, gjuha e urrejtjes, përveç polarizimit të opinionit publik, e vë në shënjestër edhe procesin e integrimit evropian të vendit.

Dhe në këtë rast, gjuha e urrejtjes ka modele të qarta si në nivelin eksplicit, ashtu edhe në atë të implicit, pra si kur flitet për përmbajtjen ashtu edhe për formën. Përmbajtja është lehtësisht e dallueshme, mbi të gjitha në fjalorin që është i pahijshëm dhe i joadekuat për komunikim publik.

Ekzistojnë shembuj të panumërt, sidomos në media. Përveç postimeve dhe komenteve në rrjetet sociale, ndotja shtesë e hapësirës publike me gjuhë të urrejtjes bëhet edhe përmes transmetimit të pafiltruar të fjalëve të pjesëmarrësve në ngjarjet që përhapin gjuhën e urrejtjes, si p.sh. bërja e publicitetit nga diçka që nuk meriton vëmendje nga këndvështrimi i interesit publik dhe komunikimi i kulturuar politik dhe etik.

Situata është shumë më e ndërlikuar me narrativët dhe strategjitë e diskursit, të cilat në mënyrë implicite përhapin urrejtje dhe jotolerancë. Si shembull mund të merret paraqitja e vazhdueshme e një grupi të caktuar qytetarësh, strukturave shoqërore apo politike, në një kontekst negativ. Një vënie e tillë në kornizë mesazhesh në vazhdimësi dhe intensitet krijon një odium që nxit urrejtje. Kështu ndodh edhe në rastin e debatit publik për ndryshimet kushtetuese, i cili krijon një atmosferë në të cilën qoftë për avokuesit, qoftë për kundërshtarët e këtij procesi, bëhet e justifikueshme edhe gjuha e urrejtjes ndaj “tjetrit”.

Dhe përderisa gjuha e implicite e urrejtjes është e vështirë të identifikohet dhe të njihet menjëherë, ajo eksplicite, më lehtë e dukshme, nëse ka vullnet, duhet të përjashtohet menjëherë nga komunikimi publik duke moderuar thjesht komentet e përdoruesve në një portal lajmesh ose një portal që është platformë onlajn e medias tradicionale të shkruar dhe/ose elektronike.

Nga ana tjetër, edhe pronarët e profileve dhe faqeve personale në rrjetet sociale, nëse nuk duan që “hapësira e tyre personale” në Fejsbuk, Tuiter, Instagram, Tik-Tok dhe rrjete të tjera sociale të pushtohet nga persona që përhapin gjuhë të urrejtjes, ata ose mund t’i përjashtojnë nga lista e miqve në Fejsbuk ose të moderojnë komentet.

Nga ana tjetër, mbetet ajo që ekspertët e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut e njohin si një nga problemet më urgjente, që është se nuk ka dënueshmëri sistematike të gjuhës së urrejtjes. Ata, ashtu siç detekton KE në raportet e tij, theksojnë se shteti nuk ka një sistem ndëshkimi, megjithëse sektori joqeveritar ndihmon në zbulimin e saj, mbledhjen e provave, komunikimin mes Prokurorisë Publike dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, por, në fund, nga gjyqësori në praktikë rezultojnë shifra dëshpëruese, sepse rastet për të cilat janë nisur procedurat për gjuhë të urrejtjes nga Prokuroria Publike nëpër gjykata prej vitesh numërohen në gishtat e një dore.

(Autori është gazetar dhe redaktor me përvojë shumëvjeçare)

Referenca:

[i] Të drejtat bazike  – Kornizë ka, implementimi është i ndryshueshëm, gjithkund duhen më shumë të holla („Основни права-Рамка има, имплементацијата варира, секаде се потребни повеќе пари“), Fondacioni Metamorphosis, e publikuar në vitin 2022.

[ii] www.govornaomraza.mk është platformë e internetit si pjesë e aktiviteteve të parashikuara në projektin “Hartim”, analizë dhe marrje e masave kundër gjuhës së urrejtjes në Republikën e Maqedonisë” e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut të Republikës së Maqedonisë, përkrahur nga Fondi nacional për demokraci(National Edowment for Democracy –NED) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.[ii]

[iii] Raporti tremujor i Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi për periudhën janar-mars 2022 (Квартален извештај на Комисијата за спречување и заштита од дискриминација за јануари-март 2022 година)

[iv] Propozimi francez: Gjuhë e urrejtjes, dezinformata, manipulime mediatike, botuar nga IMA, shtator 2022 (Францускиот предлог: Говор на омраза, дезинформации, медиумски манипулации)

[v] Apasiev propozon radikalizimin e opozitës me protesta, bllokada dhe paralizim të parlamentit (Апасиев предлага радикализација на опозицијата со протести, блокади и парализа на Собранието – 360 степени (360stepeni.mk), e publikuar më 11 nëntor 2021.

[vi] Apasiev e shan publikisht Pendarovskin (Апасиев јавно го пцуе Пендаровски), e publikuar në MKD.mk në 02.07.2022.

[vii] Zyrtarët e “Levicës” me etiketa, gjuhë urrejtjeje dhe kërcënime për ta vënë në “listë” gazetarin Popetreski (Функционери на Левица со етикети, говор на омраза и закани за ставање на „список“ кон новинарот Попетрески), publikuar në portalin e IMA, 23.06.2022

[viii] Debat rrugësh në Kuvend: Deputetët e LSDM-së janë frikacakë, e ata nga VMRO-DPMNE janë për trajtim në Demir Hisar (Улична дебата во Собранието: Пратениците од СДСМ се изроди, а тие од ВМРО-ДПМНЕ се за лекување во Демир Хисар), e publikuar në portalin Makfaks.mk më 15.07.2022

[ix] Mllefi nga propozimi francez derdhet mbi bashkëjetesën Бесот од францускиот предлог се истура врз соживотот, e publikuar në Prizma.mk më 07.07.2023

[x] Sulme të orkestruara me gjuhë urrejtjeje dhe dezinformata ndaj Fon Der Lejen dhe BE30 (Оркестрирани напади со говор на омраза и дезинформации кон фон дер Лајен и ЕУ), e publikuar në portalin e IMA më 15.07.2022

[xi] Varheji i BE-së: Vullneti për zgjerim u kthye, jemi të gatshëm të lëvizim shpejt EU’s Varhelyi: Will for enlargement is back, we’re ready to move fast, e publikuar në portalin Euroaktiv më 25.07.2022

[xii] Apelojmë për protesta paqësore pa dhunë (Апелираме за мирни протести без насилство), e publikuar në portalin e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, 06.07.2022

[xiii] Dhjetëra raporte për gjuhë të supozuar të urrejtjes ndaj bullgarëve në vend (Десетици пријави за наводен говор на омраза против Бугарите во земјава), e publikuar në portalin e TV Kanal 5, 21.07.2022

[xiv] Protokoli nga mbledhja e dytë e Komisionit të përbashkët ndërshtetëror, i formuar mbi bazën e nenit 12 të Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim, 17.07.2022

[xv] Me të pavërteta për Protokollin me Bullgarinë nxitet atmosfera para ndryshimeve kushtetuese (Со невистини за Протоколот со Бугарија се подгрева атмосферата пред уставните измени), Vistinomer.mk, e publikuar më 07.08.2023.

[xvi] Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë të Veriut (Устав на Република Северна Македонија), e publikuar në portalin e Qeverisë

[xvii] Keqpërdoret logoja e Fokus-it për përhapje të seksizmit dhe dezinformatave ndaj Zajkovës (Злоупотребено логото на Фокус за ширење сексизам и дезинформации кон Зајкова), e publikuar në Civil Media, 26.01.2023

[xviii]Propozimi për qasje në Ndryshime të  Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut me Udhëzim për ndryshimin dhe plotësimin e kushtetutës (Предлог за пристапување кон измена на Уставот на Република Северна Македонија со насоки за изменување и дополнување на уставот), Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e publikuar më 18.07.2023.

[xix]Ja kush do t’i vendosë bullgarët në Kushtetutë: Mes të ashtuquajturve ekspertë ka gjithçka, por jo profesorë të së drejtës kushtetuese (Еве кој ќе ги става Бугарите во Уставот: Меѓу т.н. експерти има сè, само не професори по уставно право), e publikuar për portalin Republika.mk më 24.04.2023.

[xx] Ana Çupeska, që e përkrah arrestimin e gazetarëve, nuk është kompetente të hartojë ndryshime kushtetuese, e publikuar në portalin Republika.mk më 25.04.2023.

[xxi] Gjuhë e urrejtjes, gënjeshtra dhe kërcënime ndaj kryetarit të CIVIL-it, Xhabir Derallës (Говор на омраза, лаги и закани кон Џабир Дерала, претседателот на ЦИВИЛ), e publikuar në Civil Media më 14.07.2023.

[xxii] Gjuhë ekstreme e urrejtjes nga tifozët e klubit bullgar Levski, indinjatë dhe dënim nga CIVIL (Екстремен говор на омразата од навивачите на бугарскиот клуб Левски, згрозеност и осуда од ЦИВИЛ), e publikuar në portalin Frontlajn.mk më 27.07.2023 г.

[xxiii]  Vallë edhe huliganizmi do të ngjyroset me ngjyra politike (Дали и хулиганството ќе биде премачкано со политички бои?), e publikuar në DW më 28.07.2023.

[xxiv]  IMA: Gjuha e urrejtjes së tifozëve që nxit dhunë duhet të dënohet publikisht dhe autorët të ndëshkohen (ИМА: Навивачкиот говор на омраза кој поттикнува насилство треба јавно да се осуди, а сторителите да се казнат), e publikuar në portalin e IMA, 28.07.2023.

[xxv] Raporti i Komisionit Evropian për përparimin e Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit evropian për vitin 2022 (Извештајот на Европската Комисија за напредокот на Северна Македонија во евроинтегративниот процес за 2022), e publikuar në ueb faqen e Sekretariatit për Çështje Evropiane

[xxvi]Ndryshimet kushtetuese janë vetëm një nga stërkëmbësit e mundshëm ndaj hyrjes në BE (Уставните измени се само една од можните сопки кон влезот во ЕУ) e publikuar në portalin e Radio Evropa e Lirë, 15.05.2023.

[xxvii] Raporti i Komisionit Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës (ECRI) për Maqedoninë e Veriut, Këshilli i Evropës, shtator 2023, i qasshëm në:  ECRI Report on North Macedonia, Council of Europe, September 2023

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut