Si raportuan mediat në gjuhën shqipe mbi fillimin e debatit në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut mbi ndryshimet kushtetuese? Si u pozicionuan mediat shqipe ndaj qëndrimeve të VMRO DPMNE-së? Sa hapësirë mediatike fitoi opozita shqiptare? Si u raportua mbi qëndrimin radikal të deputetit të pavarur, Skender Rexhepi Zejd? A përdorën disa politikanë fjalor religjioz duke kumtuar qëndrime politike? Cili ishte narrativi i mediave shqipe lidhur me heqjen e “20 përqindëshit”?

Shkruan: SEFER TAHIRI

Ndryshimet kushtetuese si derë e sigurt për vazhdimin e procesit të integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimit Evropian vazhdojnë të jenë në fokus të mediave shqipe. Edhe muajve të verës, kjo temë, ka qenë ajo që ka mbuluar më shumë hapësirën informative dhe analitike në mediat në gjuhën shqipe. Qasja profesionale në raportim dhe interpretimin analitik ka qenë gjithmonë afirmative, përkatësisht, ndryshimet kushtetuese shihen si nevojë e domosdoshme që e trason rrugën drejt organizatës së unifikuar evropiane. Por, kjo tendencë mediatike gjithmonë është shoqëruar me aktualizimin dhe justifikimin politik të partive dhe opinionit publik shqiptar që ndryshimet kushtetuese duhet të përfshijnë ndryshimin e përkufizimit statistikor mbi gjuhën shqipe si “gjuha që e flasin mbi 20 për qind e popullatës” dhe zëvendësimin e tij me termin “gjuha shqipe”.

Siç kemi nënvizuar që në korrik të vitit 2022, kur publikuam analizën me titull “Si raportuan mediat në gjuhën shqipe për “propozimin francez”?[i], mediat në gjuhën shqipe dallojnë nga ato maqedonase sa i përket qasjes ndaj ndryshimeve kushtetuese. Një pjesë të saj po e ripërkujtojmë, për të dëshmuar se krahasuar me diskursin aktual politik dhe mediatik nuk ka dallime të mëdha në qasjet e mediave në gjuhë të ndryshme.

“Mediat në gjuhën shqipe kishin raportim kryesisht afirmativ mbi “propozimin francez” për kornizën negociuese të BE-së për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Mirëpo, kishte raste të raportimit sensacionalist, si dhe të dezinformimit. Mediat në gjuhën shqipe i kanë dhënë rëndësi të madhe deklaratës së kryeministrit të vendit, Dimitar Kovaçevski, por edhe deklaratave të ministrit të jashtëm, Bujar Osmani, presidentit të vendit, Stevo Pendarovski e zyrtarëve, por edhe politikanëve rajonal e diplomatëve, të cilët shpreheshin me intonacion pozitiv mbi propozimin”.

Paralajmërim i fuqishëm i seancës për ndryshimet kushtetuese

Një pjesë e madhe e mediave në gjuhën shqipe, më 17 gusht 2023 kanë paralajmëruar mbajtjen e seancës së Kuvendit, në të cilën në rend dite ishin ndryshimet kushtetuese, me të cilat bullgarët bëhen pjesë e Preambulës së aktit më të lartë juridik të shtetit.

Një pjesë e madhe e mediave raportonin duke paralajmëruar seancën, por edhe duke kumtuar letrën e ministrit të jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani drejtuar deputetëve, me të cilën një ditë para seancës u bënte thirrje se “Të premten vendosni për të ardhmen”:

Hapësirë e balancuar për pushtetin (LSDM) dhe opozitën (VMRODPMNE)

Një pjesë e mediave janë fokusuar tek qëndrimet e Qeverisë, përkatësisht kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe partisë kryesore opozitare maqedonase, VMRODPMNE. Qeveria mbante qëndrimin që ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen, ndërsa opozita maqedonase se nuk do t’i mbështesë me asnjë kusht. Pozicionet qeveritare dhe opozitare janë prezantuar kryesisht në mënyrë objektive dhe korrekte, por edhe të balancuar:

Disa media me tone kritike ndaj VMRO-DPMNE-së

Disa portale në gjuhën shqipe kanë pasur qasje kritike ndaj VMRODPMNE-së, e cila sipas tyre bën veprime bllokuese ndaj procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Titulli i portalit Tetovasot “Rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së e bllokon vetëm VMRO-ja dhe “satelitët” e saj![xiv] duket se pasur vetëm qëllim për të rritur klikimet, pasi brenda lajmit transmetohen deklaratat e kryeministrit Kovaçevski, por nuk shpjegohet se kush janë satelitët e partisë së Mickoskit që bllokojnë integrimin.

Edhe portali Gazetaexpress publikoi titullin “e fuqishëm” lidhur me qëndrimet e VMRO-DPMNEsë “E vetmja idoeologji që ka VMRO-ja dhe Mickoski është bllokimi i ardhmërisë europiane[xv], por në titull nuk shpjegohet se a bëhet fjalë për qëndrim të politikës editoriale të redaksisë së portalit, pasi nuk atribuohet kryeministri Kovaçevski. Në vetë artikullin, kryeministri parafrazohet se e vetmja ideologji e VMRO-DPMNE-së është bllokimi dhe izolimi. “VMRO-DPMNE dëshmoi se nuk kanë argumente dhe se nuk ka ide për debat. Dëshmojnë se janë të gatshëm ta bllokojnë të ardhmen evropiane të qytetarëve vetëm për qëllime personale”, deklaroi Kovaçevski.

Portali INA publikoi komentin e zyrtarit qeveritar, Marjan Zabërçanec me titull “Plani sekret i Mickoskit[xvi], në të cilin shprehej se ky plan “nuk mund të jetë njëkohësisht edhe antievropian edhe maqedonas”.

“Çfarë planesh sekrete po thur dhe po fsheh Mickoski? A ka dikush në këtë vend dilema se çdo plan sekret i DPMNE-së është plan i rrezikshëm për Maqedoninë? A është plani sekret i Mickoskit ndërprerje e negociatave me BE-në dhe izolim i ri i vendit? A është plani sekret i Mickoskit që të hedh vaj në zjarrin e Radevit dhe Kurtit dhe t’i kapet sentimentit antibullgar dhe antishqiptar në mesin e maqedonasve?”, shkruan Zabërçanec në komentin e publikuar.

Opozita shqiptare fiton hapësirë të madhe mediatike

Ndërkohë një pjesë e madhe e mediave u kanë dhënë hapësirë të konsiderueshme qëndrimeve të Frontit opozitar shqiptar, i përbërë nga Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit, Alternativa e Afrim Gashit dhe Lëvizja BESA e Bilall Kasamit, të cilët kërkonin shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nëse nuk miratohen ndryshimet kushtetuese:

Portali Zhurnal publikoi analizën me titull “Analizë: Maqedonia e Veriut, një nuse me fustan të bardhë që po digjet nga dashuria për BE-në, por i mungojnë 7-8 vota për t’u fejuar.”[xxi]

“Të gjithë në Maqedoninë e Veriut e duam BE-në, por kjo dashuri nuk po merr ende “flakë” për shkak të mungesës së 5-6, ose 7-8 votave të deputetëve, që të mund ajo të kurorëzohet dhe të fillojmë procedurën për shkëmbimin e unazave të fejesës. Afati joformal mbetet nëntori, por opozita kërkon që mos të pritet deri atëherë, por gjërat të qartësohen më herët, duke testuar disponimin për futjen e bullgarëve në Preambulë, por edhe futjen e gjuhës shqipe në vend të 20 përqindëshit, shkruan Zhurnal.

Ndryshimet kushtetuese- udhëkryq midis Perëndimit dhe Lindjes!

Ndryshimet kushtetuese si çelës për hapjen e dyerve të Bashkimit Evropian, në telvizionin nacional në gjuhën shqipe, Alsat M u interpretua si pikë kthese që përcakton trajektoren e ardhmërisë së vendit në udhëkryqin midis bllokut evropian perëndimor dhe atij lindor prorus.

Titullit i raportit gazetaresk është “Deputetët: Maqedonia sot vendos nga perëndimi apo lindja![xxii], por në kronikë nuk pati ndonjë vrojtim që lidhet me titullin. Në raport thuhej: “Atmosferë e shtendosur dukej para fillimit të seancës në Kuvend. Deputetët hallin më të madh e kishin se ku t’i parkojnë makinat. Disa kujdeseshin të vijnë me radhë që të kenë rastin të flasin para mediave. Pati mendime të ndryshme nga gjitha partitë politike lidhur me pritjet për ndryshimet kushtetuese”. Nga ana tjetër, TV Alsat në mënyrë korrekte dhe të balancuar prezantoi qëndrimet e të gjitha partive.

Zejdi me deklaratë “bombastike”: Komunat shqiptare vetë në BE

Në vlugun e debatit politik mbi ndryshimet kushtetuese, deputeti i pavarur, Skender Rexhepi Zejd, i cili formoi partinë e re politike, Lëvizja Populli, doli me idenë e madhe me narrativ të fuqishëm etnopolitik, edhe pse tepër joreale, që “Komunat shqiptare mund të kërkojnë rrugën drejt Bashkimit Evropian veçmas nga komunat maqedonase”.

“Rexhepi në Kuvend: Mund të ndodh që komunat shqiptare të kërkojnë rrugën drejt BE-së veçmas komunave maqedonase”, ishte titulli i portaleve: Zhurnal[xxiii], Tetovasot[xxiv], Almakos [xxv] dhe Telegrafi[xxvi].

Televizioni 21 deklaratën e deputetit Skender Rexhepi e transmetoi me titullin “Zejdi alarmon për rrezikun nga nacionalizmi: Komunat shqiptare në Maqedoni mund të kërkojnë rrugëtim drejt BE-së, ndaras nga ata maqedonase[xxvii].

“Deputeti i pavarur, Skender Rexhepi-Zejdi në fjalimin e tij gjatë debatit për miratimin e nevojës për ndryshimet kushtetuese foli për rrezikun e përhapjes së nacionalizmit në vend, në rast se nuk votohen ndryshimet kushtetuese. Rexhepi thotë se në kampin politik shqiptar mund të krijohet parti nacionaliste, e cila do të shkaktonte probleme shtesë në përplasje me partitë nacionaliste maqedonase. “Mund të vije që në të ardhmen e afërt, të ndodhin kërkesa tjera ku shqiptarët apo komunat shqiptare, të nxitur nga një nacionalizëm i tillë, të kërkojnë rrugëtim drejt BE-së, ndaras nga komunat maqedonase”, deklaroi Zejdi”, raportoi TV 21.

Duhet theksuar se të gjitha mediat kanë transmetuar deklaratën e deputetit Rexhepi në mënyrë jokritike, përkatësisht ky deputet nuk është pyetur se si e koncepton integrimin e komunave shqiptare në BE dhe se vallë ky projekt e dezintegron vendin?

Që ndryshimet kushtetuese në hemisferën politike shqiptare janë parë si mburojë për pengimin e skenarëve anti-perëndimorë flet edhe deklarata e liderit të partisë së re shqiptare, Partisë për Ardhmëri Evropiane (PAE), Arijanit Hoxha[xxviii]. “Nëse nuk kalojnë ndryshimet kushtetuese, Maqedonia e Veriut bëhet cak i lehtë i skenarëve anti-perëndimore! Shanset e dhëna nga partnerët ndërkombëtarë nuk duhet të humben, prandaj ju bëjmë thirrje gjithë faktorëve politik që në këto momente historike të dalin jashtë kornizave të sondazheve partiake dhe të mendojnë për të ardhmen e qytetarëve, gjeneratave të reja dhe vendit”, u shpreh Hoxha.

Fjalori religjioz i politikanëve në debatin për ndryshimet kushtetuese

Që çështja e ndryshimeve kushtetuese është shumë e rëndësishme dhe madje kruciale për kampin politik shqiptar, dëshmojnë edhe deklaratat që shkojnë përtej sferës politike. Madje, koordinatori i grupit parlamentar të Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, duke dashur të justifikojë domosdoshmërinë e ndryshimeve në Kushtetutë, në ditën e nisjes së debatit, duke kopjuar fjalët e liderit të kësaj partie, Ali Ahmeti, gjë që flet për kultivimin e kultit të liderit, me fjalor religjioz u shpreh se “sot dalim para urës së Siratit[xxix] (Në besimin islam predikohet se Ura e Siratit është më e hollë se qimja e flokut dhe më e mprehtë se shpata dhe në ditën e Gjykimit (Kijametit), ata që do ta kalojnë atë do të hynë në parajsë).

Ndërsa profesori i së drejtës kushtetuese në Universitetin e Tetovës, Mersim Maksuti, duke dashur të shpjegojë se pavarësisht rigjiditetit, përkatësisht ngurtësisë kushtetuese që duhet ta kenë vendet demokratike, në deklaratën për TVM 2, Programi në gjuhën shqipe shprehet se “Në anën tjetër nuk do të thotë se kushtetuta është dokument i shenjtë që nuk ndryshohet asnjëherë. Jo. Edhe këto ndryshime që i kemi sot të kushtetutës janë si rezultat i nevojës, i debllokimit në rastin tonë të procesit të integrimit në rrugën drejt BE-së”.

Përderisa TVM 2, kronikën e transmetoi me titullin “Ndryshimi i shpeshtë i Kushtetutës, Maksuti: Lejohet, por akti duhet t’a ruajë ngurtësinë[xxx], pjesa më e madhe e portaleve, si Tetova Sot[xxxi], Gazeta[xxxii], Almakos[xxxiii], Flaka[xxxiv], deklaratën e ripublikuan me titullin “Maksuti: Kushtetuta nuk është dokument i shenjtë!”

Mediat, politikanët dhe opinionistët në gjuhën shqipe: Të përfshihet shqipja, të hiqet “20 përqindëshi”

Edhe në analizën e publikuar në qershor të vitit 2023 me titull “Raportim mediatik etnocentrik dhe partiak mbi ndryshimet kushtetuese[xxxv] kemi theksuar se “Mediat në gjuhën shqipe theksin e kanë vënë tek fakti që me ndryshimet kushtetuese nuk do të përmirësohet statusi i shqiptarëve, përkatësisht nuk do të bëhet përkufizimi i tyre nga “pjesëtarë të bashkësisë, që janë mbi 20 %” në shqiptarë dhe as gjuhës shqipe nuk do t’i hiqet statusi i “gjuhës, të cilën e flasin mbi 20 % e popullatës””.

Krahas domosdoshmërisë për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, politika shqiptare, edhe gjatë verës nuk ka reshtur së kërkuari që gjuha shqipe të përfshihet në Kushtetutë, duke e zëvendësuar formulimin “20 përqindëshi”.

Deklarata e deputetit të Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, se “Kjo është kërkesë që vjen nga populli shqiptar, gjuha shqipe është ndër gjuhët më të vjetra në Evropë[xxxvi] ka bërë bujë në mediat në gjuhën shqipe. Snopçe, citohet nga mediat të ketë thënë: “Gjuha shqipe është njëra ndër gjuhët më të vjetra në Evropë e vjetër 6000 vite dhe do të ishte nder, thotë Snopçe, që çdo shtet evropian ta ketë gjuhë zyrtare gjuhën shqipe. Maqedonasit vet duhet të angazhohen për zyrtarizimin e gjuhës shqipe dhe zëvendësimin e segmentit të 20% me gjuhën shqipe”.

Portali Nistori, deklaratat e Snopçes i publikoi me titullin “Snopçe: Maqedonasit duhet ta marrin për nder që gjuha shqipe të jetë zyrtare[xxxvii]. Por, Snopçe në deklaratë nuk kërkon që shqipja të jetë zyrtare, por të hiqet 20 përqindëshi, ndërsa theksoi se “çdo shtet evropian do ta kishte nder ta ketë shqipen gjuhë zyrtare”, pra ngjashëm si Maqedonia e Veriut.

Ndërkohë, portali Inaonline publikoi komentin e opinionistit, Muhamer Pajaziti me titull “Ku po shkoni në Evropë pa gjuhën shqipe?[xxxviii], një pjesë të të cilit po e ripublikojmë.

“Çfarë bëjnë maqedonasit, ku është dallimi, a është e vështirë për të gjetur arsyet se pse Bashkimi Evropian ka nevojë për 24 gjuhë zyrtare, e Maqedonia nuk është në gjendje të zyrtarizojë gjuhën e popullit etnik i cili përbën rreth 30 për qind të popullsisë.

Arsyet nuk janë vështirë për tu gjetur, ato janë: demokracia, transparenca dhe e drejta për të ditur, të cilat mentaliteti maqedonas nuk dëshiron t’i pranojnë.

Si është e mundur që Bashkimi Evropian legjislacionin e miratuar e boton dhe vë në dispozicion në 24 gjuhë zyrtare, ndërkaq shqiptarët në Maqedoni këtë të drejtë akoma e kanë të mohuar?! Pse edhe Maqedonia nuk respekton parimin themelor të BE që të gjithë qytetarëve të saj dhe përfaqësuesve të zgjedhur t’u ofrojë mundësinë të komunikojnë me institucionet në gjuhën e tyre kombëtare?”

Komenti, siç shihet, u adresohet maqedonasve, të cilët sipas opinionistit nuk kanë asnjë arsye për të mos njohur shqipen në Kushtetutë.

Gazetari dhe publicisti i njohur, Mahi Nesimi në analizën e tij me titull “Bullgarët ecin përpara – shqiptarët në gjumë të thellë[xxxix], shkruan se pozita juridiko-kushtetuese në të cilën historikisht jetojnë shqiptarët është e pavolitshme:

“Meqë punët rreth ndryshimeve kushtetuese kanë përparuar dukshëm ndërsa asnjë përfaqësues shqiptar (ministër, deputet, parti politike etj), nuk e ka hapur gojën për të kërkuar që ndryshimet në Preambulë të përfshijnë edhe shqiptarët, duke u siguruar status të popullit shtetformues, kjo dëshirë 78 vjeçare e shqiptarëve ka mbetur (fatkeqësisht) të paraqitet nga individë jashtë strukturave politike të zgjedhura dhe emëruara nga shqiptarët që angazhohen për të mirën e shqiptarëve”, komenton Nesimi.

Portali Zhurnal ka publikuar qëndrimin e opionionistit Sulejman Mehazi, i cili liderëve të LSDM-së, VMRO DPMNE-së apo partisë E Majta (Levica), por edhe BDI-së dhe ASH-së u bën thirrje “Kujdes me 20%! RMV-ja historikisht është më shumë shqiptare sesa maqedonase[xl].

Mehazi, pasi rendit disa figura të mëdha të historisë shqiptare me prejardhje nga Maqedonia e Veriut, siç janë: ministri i parë i Mbrojtjes së shtetit shqiptar, Mehmet Deralla; Vojsava, nëna e Skënderbeut; Mustafë Sheh Tetova, sekretar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit; mjeku i famshëm shqiptaro-amerikan, Ferid Muradi që mori çmimin Nobel si dhe e Shenjta Nëna Tereza, përmend edhe se ”…Shkupi ka qenë Vilajeti i shqiptarëve e jo i maqedonasve”, si dhe se “…Kongresi i Alfabetit Shqiptar, u mbajt në qytetin e Manastirit të Maqedonisë suaj Veriore”.

Mehazi në fund konkludon: “Kujdes me 20% e shqiptarëve!, ju bashkëkombas maqedonas, Mickoski, Apasiev, Kovaçevski që krekoseni ndaj shqiptarëve, se, shteti juaj i RMV-së u krijua nga stenda e zemrës së sëmurë të Iliridës.”

Toponimi Ilirida, sipas historianit Nebi Dervishi “është emër i lumit që në kohën antike i lagte brigjet e tri Mbretërive Ilire: të Dardanëve, Pajonëve dhe Enkelejve. Lumi Ilirida sipas disa historianëve shqiptarë të kohës më të re: si Prof. Ali Vishko, Prof. Masar Kodra, Prof. JusufBuxhovi, e ndonjë tjetër, është lumi i sotëm Treska”. Ky toponim në janar të vitit 1992 u përdor për të shpallur Autonominë politike dhe territoriale të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut[xli], projekt që nuk u pranua nga institucionet e shtetit të pavarur, i dalë nga ish federata jugosllave.

Lajme (dhe dezinformata) të vjetra publikohen si të reja

Kur ka debate të nxehta politike, portalet shpesh ripublikojnë lajme të vjetra, që kanë synim që përmes sensacionalizimit të rrisin ndjekjen e tyre. Kjo ka ndodhur me deklaratën e gazetares dhe analistes bullgare të politikës ndërkombëtare, Zornica Ilieva, e cila siç transmetojnë me tekste pothuajse identike portalet Ina-online.net[xlii], Telegrami.mk[xliii], Infoshqip.com[xliv] më 9 shtator 2023 (disa duke iu referuar një artikulli të publikuar në portalin në gjuhën maqedonase Expres.mk), ka vlerësuar se “Maqedonia do të federalizohet pavarësisht se a do të hyjë në BE.”

“Pas Marrëveshjes së Ohrit, shqiptarët jo vetëm që morën të drejtat e tyre, por para tyre mbeti vetëm një çështje tjetër – federalizimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ky është shqetësimi i madh i maqedonasve. Ata shpresojnë se me hyrjen e tyre në BE kjo nuk do të ndodhë. Jo, do të ndodhë, sepse potencialin më të madh integrues në Ballkan e ka grupi etnik shqiptar, pavarësisht nëse është në Shqipëri, Kosovë apo Maqedoni. Të gjitha vendimet në Maqedoni merren jo vetëm me pjesëmarrjen e partive shqiptare, por edhe në bazë të asaj që thonë ato. Pa ata nuk mund të ketë qeveri, pa to nuk mund të merret asnjë vendim. Ata janë në pushtetin vendor. Ortodoksët nuk jetojnë më në Tetovë, Maqedoninë Perëndimore dhe Tirana ushtron ndikim të drejtpërdrejtë në Maqedoninë Veriore. Është fakt”, tha Ilieva për televizionin bullgar “Pogled”.

Por kjo deklaratë është transmetuar nga portali Expres,mk një vit e dy muaj më parë, që në datën 9 korrik 2022! Që do të thotë se ekziston mundësi reale që bëhet fjalë për ripërsëritje të lajmeve në data të njëjta, por në muaj e vite të ndryshme, që është qasje joobjektive, jokorrekte dhe mund të konsiderohet si manipuluese ndaj publikut.

Lidhur me këtë deklaratë të analistes Ilieva, edhe në analizën mbi raportimin e mediave shqipe mbi propozimin francez të botuar nga IMA në vitin e kaluar (shtator 2022) kemi nënvizuar se “Përveç portalit të apostrofuar Ina- online, edhe portali Zhurnal, portali Medial, portali Lajme.mk, kanë transmetuar deklaratën e Ilievës, e publikuar së pari në portalin në gjuhën maqedonase Expres.mk, pa i bërë interpretim analitik. Për shembull nuk u përgënjeshtrua qëndrimi se në rajonin e Tetovës dhe Maqedonisë Perëndimore, nuk jetojnë më ortodoksë! Regjistrimi i fundit i popullsisë, por edhe vetë realiteti shoqëror dëshmon se jo vetëm në Tetovë, por edhe në mbarë perëndimin e vendit jetojnë maqedonas – ortodoksë”[xlv].

Mediat transmetuan tonet zbutëse të Imer Selmanit

Ish politikani dhe ish-kandidati për kreun e shtetit, Imer Selmani në intervistën për Radion Evropa e Lirë[xlvi] më 20 gusht 2023, e cila është publikuar në masë të madhe edhe nga mediat në gjuhën shqipe, është shprehur se “Ëndrrat për shtete të mëdha nuk ekzistojnë tek qytetarët e vetëdijshëm. Për qytetarët pa dallim etnie është më e rëndësishme të jetojnë në shtet ku ka paga të majme, standard jetësor më të mirë e drejtësi”.

Edhe Selmani, njësoj si Maksuti është shprehur se Kushtetuta nuk mund të jetë e pandryshuar: “As kushtetuta e asnjë vendi nuk është e përjetshme, as ligjet nuk janë të përjetshme, kështu që gjithmonë do të ketë synim për përparim më të mirë, për më shumë të drejta. Edhe maqedonasit kanë të drejtë të kërkojnë më shumë të drejta dhe shqiptarët kanë të drejtë të kërkojnë gjithmonë më shumë të drejta. Megjithatë, kur jetojmë në një komunitet është njësoj si të jetosh në shtëpi me fëmijë dhe një grua dhe gjithmonë do të përfundoni duke kërkuar kompromis”.

Vizita e Kurtit, pakënaqësitë sociale – a janë zhvendosje e vëmendjes nga ndryshimet kushtetuese?

Portali Flaka publikoi shkrimin me titullKush dëshiron çështjen e ndryshimeve kushtetuese t’a zhvendos me tema të tjera?[xlvii].

Në shkrim theksohet se disa pakënaqësi të kategorive të ndryshme sociale dhe vizita e kryeministrit Kurti në Çair dhe Tetovë e zhvendosin vëmendjen nga ndryshimet kushtetuese. “Periudha e pazakontë e tensionuar e verës në prag të seancës së ndryshimit kushtetues, tensionet rreth vizitës së kryeministrit Kurti, protestat e pensionistëve, por edhe paralajmërimet për protesta të reja nga shtatori në dukje nuk kanë lidhje me ndryshimet kushtetuese, por ekspertët (Vlladimir Bozhinovski dhe Nenad Markoviq) thonë se do të kenë ndikim”, shkruan Flaka.

Duke pasur parasysh morinë e reagimeve në kampin politik dhe mediatik maqedonas ndaj vizitës së Kurtit, mediat shqipe janë fokusuar tek trajtimi i tyre[xlviii]. Mediat shqipe raportuan se “ardhja e Albin Kurtit trondit Maqedoninë”, por në përgjithësi, lidhur me reagimet, në to ka pasur raportim kryesisht korrekt dhe të balancuar, meqë nuk janë regjistruar raportime komentuese, që janë shpesh praktikë e mediave të vendit kur trajtohet çështje me sensibilitet etnik.

Ndërkohë, rasti i fundit i zbulimit të shitjes së e ilaçeve në Klinikën Onkologjisë[xlix] nuk është ndërlidhur drejtpërdrejt me ndryshimet kushtetuese, përkatësisht defokusimin e opinionit publik nga ndryshimet në Kodin Penal. Siç mund të konfirmohet përmes portalit grumbullues të lajmeve Fax.al, fokusi i mediave shqipe është vënë tek protesta në të cilën kërkohej përgjegjësi penale dhe politike, reagimet politike, deklaratat e ministrit të Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti dhe tek krijimi i Komisionit Hetimor për rastin e Klinikës së Onkologjisë.

Në anën tjetër, ndryshimet e bëra në Kodin Penal[l], në mediat shqipe janë raportuar në mënyrë objektive, por shpesh theksi është vënë tek dilema e ngritur se “A po shpëtohen funksionarët kriminelë? meqë Kodi penal në mënyrë të qetë po ndryshohet, opozita s’ka amendamente”. Mediat kanë kumtuar edhe reagimet e opozitës maqedonase se “Qeveria amniston krimin, në vend se ta mbrojë atë”, reagimet e opozitës shqiptare se “Me ndryshimet në Kodin penal qeveria kërkon ta kthejë Gruevskin” për të siguruar votat e nevojshme të deputetëve për ndryshimet kushtetuese, ndërsa është raportuar edhe mosfirmosja e propozimit për ndryshimet e Kodit Penal nga ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga dhe arsyetimi i tyre nga zëvendës-kryeministri Artan Grubi.

Mediat në gjuhën shqipe përcjellin mesazhet e Gabriel Eskobarit dhe BE-së

Një rëndësi të veçantë në media i është kushtuar vizitës së zëvendës-ndihmës sekretarit amerikan të shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar. Disa muaj para vizitës, në maj të vitit 2023, mediat kumtuan porositë e tij me titullin “Escobar: Ne nuk kërkojmë nga opozita ta mbështesë kryeministrin, por rrugën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut[li], që ishte intervistë e zyrtarit amerikan për Zërin e Amerikës. Mediat shqipe këtë vizitë e raportuan kryesisht me titullin “Escobar: Mbështesim fuqishëm procesin për ndryshime kushtetuese në RMV, angazhohemi që mos të ketë kërkesa të reja nga Bullgaria”.

Porositë e “Treshes së Vajmarit”: Anna Lirmann – Ministre për Evropën e Gjermanisë, Lorence Bunn – Sekretare e Shtetit për Evropën në Qeverinë franceze dhe Shimon Senk – Ministër i Çështjeve Evropiane të Polonisë, nga mediat shqipe janë raportuar kryesisht me titullin “Votoni ndryshimet kushtetuese për ta bllokuar Rusinë![lii], por duke nënvizuar edhe faktin që këto ndryshime nuk mbështeten nga VMRO-DPMNE-ja.

Përfundime

Mediat në gjuhën shqipe gjatë disa muajve të fundit patën fokus të qartë dhe konstant mbi ndryshimet e propozuara kushtetuese, me të cilat edhe bullgarët bëhen pjesë e aktit më të lartë juridik të vendit.

Sipas analizës së narrativit të mediave shqipe, mediat shqipe patën qasje afirmative ndaj ndryshimeve, duke u dhënë hapësirë të konsiderueshme qëndrimeve të pushtetit, të balancuara me ato të opozitës, ndërsa ndaj VMRO-DPMNE-së, edhe pse në hapësirë jovoluminoze, kanë pasur edhe tone kritike.

Në shumë media u është dhënë hapësirë e madhe edhe qëndrimeve të opozitës shqiptare, e cila kërkoi që ndryshimet kushtetuese të vihen në rend dite dhe nëse nuk ka vota për miratim të shpallen zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Qëndrimi se “komunat shqiptare vetë mund të integrohen në BE”, i kumtuar nga deputeti Skender Rexhepi Zejd ka ngjallur interesim të madh tek mediat, por ky qëndrim nuk ka pasur vrojtim kritik, përkatësisht nuk është zbërthyer nga mediat ose të pyetet deputeti vallë kjo shpie drejt federealizmit ose kantonizimit apo drejt ndarjes së shtetit.

Disa media, duke dashur të duken më të kapshme për publikun, nuk kanë kursyer as fjalorin religjioz, duke sjellë para tij formulimet si “Sot dilet para Urës së Siratit” ose “Kushtetuta nuk është e shenjtë”.

Një pjesë, në anën tjetër, kanë “ricikluar” lajme dhe dezinformata të vjetra, për të qenë më sensacionaliste dhe me këtë edhe më të klikuara, veprim të cilin nuk duhet ta bëjnë mediat, pasi publiku nuk meriton manipulim, që mund të cilësohet edhe si nënçmim i inteligjencës së tij.

Ndonëse një portal ka ngritur dilemën se vallë vizita e Kurtit dhe pakënaqësitë sociale kanë për qëllim defokusimin e opinionit publik nga ndryshimet kushtetuese, ky nuk ka qenë rasti me skandalin e Klinikës së Onkologjisë, pasi në mediat në gjuhën shqipe nuk ka pasur interpretime që kanë bërë relacion midis këtyre dy proceseve.

Por, kështu nuk është komentuar mbi ndryshimet në Kodin penal, pasi ato shihen si amnisti për politikanët në përgjithësi dhe për ish – kryeministrin Nikolla Gruevski, i cili sipas disa mediave do të kthehej nga Budapesti i Hungarisë dhe si “shpërblim” do të sigurojë 10 deputetë të VMRO-DPMNE-së, me votat e të cilëve do të arrihet numri prej 80 deputetëve për ndryshimet kushtetuese.

Mediat shqipe kanë transmetuar porositë e zyrtarit të lartë amerikan, Gabriel Eskobar dhe të “treshes diplomatike evropiane” që ndryshimet kushtetuese janë të domosdoshme, dhe se, mes tjerash, me anë të tyre Maqedonia e Veriut do t’i kundërvihet politikës dhe propagandës ruse.

Në mediat shqipe, një hapësirë e madhe i është kushtuar debatit që ndryshimet kushtetuese të përfshijnë edhe përfshirjen e gjuhës shqipe me emërtimin e saj të vërtetë, ndërsa në këtë kontekst ka dominuar qëndrimi i deputetit Halil Snopçe, por edhe i shumë opinionistëve që kanë argumentuar se shqipja duhet të përmendet në Kushtetutë, ndërsa ka pasur edhe qëndrime se me ndryshimet duhet të përfshihet edhe ndryshimi i statusit juridik – kushtetues të shqiptarëve, i cili do të barazohej me atë të popullit maqedonas.

(Autori është profesor universitar në lëmine e gazetarisë dhe komunikimeve publike)

Referenca:

[i] Sefer Tahiri, “Si raportuan mediat në gjuhën shqipe për “propozimin francez”?”, Instituti për Media dhe Analitikë IMA,  30.07.2023, https://arhiva.ima.mk/sq/2022/07/30/si-raportuan-mediat-ne-gjuhen-shqipe-per-propozimin-francez/

[ii] 17.08.2023, Gazeta Express, https://www.gazetaexpress.com/ndryshimet-kushtetuese-ne-rmv-ministri-i-jashtem-leter-deputeteve-te-premten-ju-vendosni-per-te-ardhmen/

[iii] TV Shenja, 17.08.2023, https://shenja.tv/video-ministri-i-jashtem-leter-deputeteve-per-ndryshimet-kushtetuese-te-premten-ju-vendosni-per-te-ardhmen/

[iv] 17.08.2023, Telegrafi, https://telegrafi.com/progres-kushtetutes-letra-e-osmanit-drejtuar-deputeteve-per-unitetin-maqedonas-dhe-bullgar/

[v] 17.08.2023, TV 21 Maqedoni, https://tv21.tv/osmani-me-leter-te-hapur-per-deputetet-nga-ju-varet-ardhmeria-evropiane-e-shtetit/

[vi] 17.08.2023, Almakos, https://almakos.com/osmani-u-dergon-leter-deputeteve-ne-para-fillimit-te-diskutimit-per-ndryshimet-kushtetuese/

[vii] 17.08.2023, INA, https://ina-online.net/neser-dita-d-per-dryshimet-kushtetuese-qeveria-kerkon-konsensus-opozita-nuk-dorezohet/

[viii] 17.08.2023, Flaka, https://flaka.com.mk/seanca-plenare-per-ndryshimet-kushtetuese-lsdm-do-te-deshmoje-kush-perkrahe-integrimin/

[ix] 17.08.2023, TV21 Maqedoni, https://tv21.tv/mesazhe-per-seancen-e-ndryshimeve-kushtetuese-kovacevski-per-maqedonine-europiane-duhen-80-vota/

[x] 17.08.2023, Tetovasot, https://www.tetovasot.com/2023/08/vmro-dpmne-nuk-do-te-kete-ndryshime-kushtetuese-kovacevski-si-ka-deputetet/

[xi] 17.08.2023, TV21 Maqedoni, https://tv21.tv/dy-dite-para-seances-per-ndryshimet-kushtetuese-vmro-dpmne-nuk-leshon-pe-jemi-kunder-nuk-ka-shumice/

[xii] 17.08.2023, Lajmpress.org, https://lajmpress.org/vmro-dpmne-mbetemi-kunder-ndryshimeve-kushtetuese/

[xiii] 17.08.2023, Pressonline.al, https://pressonline.al/2023/08/17/ndryshimet-kushtetuese-shansi-i-fundit-i-vmro-se-per-te-reflektuar-mbi-progresin-evropian-te-vendit/

[xiv] 21.08.2023,Tetovasot,  https://www.tetovasot.com/2023/08/rrugen-e-maqedonise-se-veriut-drejt-be-se-e-bllokon-vetem-vmro-ja-dhe-satelitet-e-saj/

[xv] 19.08.2023, Gazetaexpress.com, https://www.gazetaexpress.com/e-vetmja-idoeologji-qe-ka-vmro-ja-dhe-mickoski-eshte-bllokimi-i-ardhmerise-europiane/

[xvi] 21.08.2023, INA,  https://ina-online.net/plani-sekret-i-mickoskit/

[xvii] 17.08.2023, TV21 Maqedoni, https://tv21.tv/blloku-opozitar-me-thirrje-te-perbashket-menjehere-te-vendosen-ne-votim-ndryshimet-kushtetuese/

[xviii] 17.08.2023, Aktuale, https://aktuale.mk/pse-nuk-pranohen-amendamentet-e-ld-se-qe-ofrojne-zgjidhje-evropiane-ballkanike/

[xix] 17.08.2023, TV Shenja, https://shenja.tv/video-mexhiti-kasami-dhe-gashi-ti-votojme-ndryshimet-kushtetuese-dhe-te-hiqet-20-perqindshi/

[xx] 17.08.2023, Portalb, https://portalb.mk/kushtezon-fronti-opozitar-shqiptar-pa-heqjen-e-20-nuk-ka-ndryshime-kushtetuese/

[xxi] 17.08.2023, Zhurnal, https://www.zhurnal.mk/analize-maqedonia-e-veriut-nje-nuse-me-fustan-te-bardhe-qe-po-digjet-nga-dashuria-per-be-ne-por-i-mungojne-7-8-vota-per-tu-fejuar/

[xxii] 18.08.2023, TV Alsat, https://alsat.mk/deputetet-maqedonia-sot-vendos-nga-perendimi-apo-lindja/

[xxiii] 18.08.2023, Zhurnal, https://www.zhurnal.mk/rexhepi-ne-kuvend-mund-te-ndodh-qe-komunat-shqiptare-te-kerkojne-rrugen-drejt-be-se-vecmas-komunave-maqedonase/

[xxiv] 18.08.2023, Tetovasot, https://www.tetovasot.com/2023/08/rexhepi-ne-kuvend-mund-te-ndodh-qe-komunat-shqiptare-te-kerkojne-rrugen-drejt-be-se-vecmas-komunave-maqedonase/

[xxv] 18.08.2023, Almakos, https://almakos.com/rexhepi-ne-kuvend-mund-te-ndodh-qe-komunat-shqiptare-te-kerkojne-rrugen-drejt-be-se-vecmas-komunave-maqedonase/

[xxvi] 17.08.2023, Telegrafi, https://telegrafi.com/rexhepi-ne-kuvend-mund-te-ndodh-qe-komunat-shqiptare-te-kerkojne-rrugen-drejt-se-vecmas-komunave-maqedonase/

[xxvii] 18.08.2023, TV21 Maqedoni, https://tv21.tv/zejdi-alarmon-per-rrezikun-nga-nacionalizmi-komunat-shqiptare-ne-maqedoni-mund-te-kerkojne-rrugetim-drejt-be-se-ndaras-nga-ata-maqedonase/

[xxviii] “Hoxha bën thirrje të votohen ndryshimet kushtetuese: Të unifikohen partitë politike, të mendojnë për të ardhmen e të rinjve”, 18.08.2023, TV21 Maqedoni, https://tv21.tv/hoxha-ben-thirrje-te-votohen-ndryshimet-kushtetuese-te-unifikohen-partite-politike-te-mendojne-per-te-ardhmen-e-te-rinjve/

[xxix] “Ademi: Sot dalim para “Urës së Siratit” (Video)”, 18.08.2023, Lajmpress.org, https://lajmpress.org/ademi-sot-dalim-para-ures-se-siratit-video/

[xxx] 18.08.2023, TVM 2 https://al.mrt.com.mk/node/118033

[xxxi] 19.08.2023, Tetovasot, https://www.tetovasot.com/2023/08/maksuti-kushtetuta-nuk-eshte-dokument-i-shenjte/

[xxxii] 20.08.2023, Gazeta, https://gazeta.mk/maksuti-kushtetuta-nuk-eshte-dokument-i-shenjte/

[xxxiii] 19.08.2023, Almakos, https://almakos.com/maksuti-kushtetuta-nuk-eshte-dokument-i-shenjte/

[xxxiv] 19.08.2023, Flaka, https://flaka.com.mk/kushtetuta-nuk-eshte-dokument-i-shenjte/

[xxxv] Sefer Tahiri, 30.06.2023, IMA, https://arhiva.ima.mk/sq/2023/06/30/raportim-mediatik-etnocentrik-dhe-partiak-mbi-ndryshimet-kushtetuese/

[xxxvi] “Snopçe për heqjen e 20%: Është kërkesë që vjen nga populli shqiptar, gjuha shqipe është ndër gjuhët më të vjetra në Evropë”, Telegrafi, https://telegrafi.com/snopce-per-heqjen-e-20-eshte-kerkese-qe-vjen-nga-populli-shqiptar-gjuha-shqipe-eshte-nder-gjuhet-te-vjetra-ne-evrope/

[xxxvii] 18.08.2023, Nistori,  https://nistori.com/lajme/snopce-maqedonasit-duhet-ta-marrin-per-nder-qe-gjuha-shqipe-te-jete-zyrtare/

[xxxviii] 20.08.2023, INA, https://ina-online.net/ku-po-shkoni-ne-evrope-pa-gjuhen-shqipe/

[xxxix] 14.08.2023, Lajmpress, https://lajmpress.org/bullgaret-ecin-perpara-shqiptaret-ne-gjume-te-thelle/

[xl] 20.08.2023, Zhurnal, https://www.zhurnal.mk/kujdes-me-20-rmv-ja-historikisht-eshte-me-shume-shqiptare-sesa-maqedonase/

[xli] “Republika e Iliridës”, Wikipedia shqip, https://sq.wikipedia.org/wiki/Republika_e_Ilirid%C3%ABs

[xlii] “Maqedonia do të federalizohet pavarësisht se a do të hyjë në BE, vlerëson analistja bullgare”, 09.09.2023, INA, https://ina-online.net/maqedonia-do-te-federalizohet-pavaresisht-se-a-do-te-hyje-ne-be-vlereson-analistja-bullgare/

[xliii] 09.09.2023, Telegrami.mk, https://telegrami.mk/maqedonia-do-te-federalizohet-pavaresisht-se-a-do-te-hyje-ne-be-vlereson-analistja-bullgare-2/

[xliv] 09.09.2023, Infoshqip, https://www.infoshqip.com/maqedonia-do-te-federalizohet-pavaresisht-se-a-do-te-hyje-ne-be-vlereson-analistja-bullgare/

[xlv] Sefer Tahiri, “Si raportuan mediat në gjuhën shqipe për “propozimin francez”?”, Instituti për Media dhe Analitikë IMA,  30.07.2023, https://arhiva.ima.mk/sq/2022/07/30/si-raportuan-mediat-ne-gjuhen-shqipe-per-propozimin-francez/

[xlvi] “Selmani – Koncepti ndëretnik do të thotë të bëjmë kompromise (Селмани – Меѓуетничкиот концепт значи да правиме компромиси), 20.08.2023, Radio Evropa e Lirë në gjuhën maqedonase, https://www.slobodnaevropa.mk/a/selmani—megjuetnichkiot-koncept-znachi-da-pravime-kompromisi-/32552488.html

[xlvii] 15.08.2023, Flaka, https://flaka.com.mk/kush-deshiron-ceshtjen-e-ndryshimeve-kushtetuese-ta-zhvendos-me-tema-te-tjera/

[xlviii] Sefer Tahiri, “Vizita që bëri bujë: Mediat shqipe me qasje afirmative, maqedonaset – kritike ndaj Kurtit”, 18.08.2023, IMA, https://arhiva.ima.mk/sq/2023/08/18/vizita-qe-beri-buje-mediat-shqipe-me-qasje-afirmative-maqedonaset-kritike-ndaj-kurtit/

[xlix] Agregatori i lajmeve Fax.al, https://fax.al/news/38434590/rasti-onkologjia-proteste-kerkohet-pergjegjesi-penale-dhe-politike

[l] Agregatori i lajmeve Fax.al https://fax.al/news/38452613/maqedoni-e-veriut-kuvendi-miraton-ndryshimet-e-kodit-penal

[li] 13.05.2023, Agregatori i Lajmeve Fax.al https://fax.al/news/37328217/escobar-ne-nuk-kerkojme-nga-opozita-ta-mbeshtese-kryeministrin-por-rrugen-euroatlantike-te-maqedonise-se-veriut

[lii] 18.07.2023, Agregatori i lajmeve fax.al, https://fax.al/news/38058585/treshja-e-be-se-ne-kuvend-ndryshimet-kushtetuese-partite-politike-me-qendrime-te-ndryshme

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut