PETRIT SARAÇINI dhe MERITON TUSHA

Në onlajn platformën #Depolarizohu, e cila është pjesë e projektit “Përmes depolarizimit drejt institucioneve demokratike, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse: Kontribut i shoqërisë civile”, në rubrikën “Rrëfimi yt”, qytetarët shkruajnë për përvojat e tyre në lidhje me institucione të ndryshme shtetërore ku drejtohen për plotësimin e nevojave e tyre.

Në një nga rrëfimet, një qytetar nga Shkupi tregon se shërbimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk ia kanë pranuar fletpronësinë digjitale të nxjerrë nga faqja e Kadastrës e që ka nënshkrim digjital nga ky institucion, për të ndryshuar adresën.

“Nuk e pranojnë fletpronësinë e nxjerrë në mënyrë digjitale në faqen e Kadastrit për ndryshimin e adresës sime në MPB. Edhe pse ka nënshkrim digjital nga Kadastra. Besokan në vulë.”, shkruan qytetari në rubrikën “Rrëfimi yt” në platformën onlajn “Depolarizohu”.

Në lidhje me problemin e përmendur, Instituti për Media dhe Analitikë IMA iu drejtua shërbimit për marrëdhënie me publikun të Ministrisë së Punëve të Brendshme me pyetjet e mëposhtme:

– Cila është procedura në raste të tilla dhe a pranon MPB dokumente të lëshuara në mënyrë digjitale nga institucionet e tjera shtetërore apo jo?

– Nëse nuk pranohen dokumente nga institucionet e tjera shtetërore në formë digjitale, çfarë masash dhe a i merr Ministria e Brendshme për zgjidhjen e këtij problemi, në kuadër të procesit të digjitalizimit të institucioneve shtetërore?

Nga MPB-ja u përgjigjën se Departamenti për Çështje Administrative Shkup i pranon të gjitha dokumentet e fletpronësisë të lëshuara nga Kadastra.

“Në lidhje me kërkesën tuaj, ju njoftojmë se Departamenti për Çështje Administrative Shkup i pranon të gjitha dokumentet e fletpronësive të lëshuara nga Kadastra. Në qoftë se ka çfarëdo lloj problemi, na jepni kontakt nga pala për ta zgjidhur problemin”, thuhet në përgjigjen e MPB-së për IMA-n.

Përndryshe, në kuadër të aktiviteteve të projektit #Depolarizohu, në qershor të vitit 2023, IMA realizoi një intervistë me ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovskin, i cili lidhur me digjitalizimin paralajmëroi se MPB po përgatit shërbime të reja që do të mund t’i përdorin qytetarët.

“Dua të theksoj se tashmë kemi filluar shkëmbimin e të dhënave elektronike ndërmjet institucioneve, për shembull, ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe gjykatave. Dhe si institucion jemi të hapur që ky proces i shkëmbimit të të dhënave të lehtësohet, e në atë mënyrë do të jetë edhe administrativisht shumë më i lehtë për qytetarët. Që të mos duhet të nxjerrin certifikata të caktuara, vërtetime të caktuara etj., por që institucionet t’i shkëmbejnë ato në mënyrë elektronike. Kështu do të kursehet koha dhe paratë e qytetarëve dhe kjo është strategjia dhe synimi ynë drejt të cilit po shkojmë më tej”, informoi Spaskovski në intervistë.

Lidhur me krijimin e shërbimeve digjitale, në qershor të vitit 2023, IMA bisedoi edhe me ministrin e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliun, i cili ka deklaroi se tani po punohet intensivisht që deri në fund të vitit t’i kemi 150 shërbime të digjitalizuara në vendin tonë. “E dini që nëpërmjet digjitalizimit, përmirësojmë edhe cilësinë edhe optimizimin e shërbimeve. Kështu që, në fund të ditës qytetarët do të kenë një shërbim më cilësor dhe më optimal.”, theksoi Aliu në intervistën për IMA-n dhe platformën “Depolarizohu”.

#демократски_институции #institucione_demokratike #democratic_institutions #CivicaMobilitas

​Projekti realizohet me mbështetje financiare përmes programit Civica Mobilitas
Picture

Disclaimer: Civika mobilitas është projekt i Agjencisë zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim (SDC), të cilin e zbatojnë NIRAS, MCMS dhe FCG. Mendimet e shprehura këtu jo domosdo i reflektojnë qëndrimet e Cvika mobilitas, SDC ose të organizatave zbatuese.