Çfarë është rëndësia e tetorit për ndërgjegjësimin e qytetarëve për rrezikun nga kanceri i gjirit? Cila kategori e grave është më e rrezikuar nga kjo sëmundje? Sa kjo sëmundje i përfshin edhe meshkujt? Pse Maqedonia e Veriut dhe vendet ballkanike konsiderohen me potencial të lartë për përhapjen dhe vdekshmëria nga kanceri i gjirit? Çfarë duhet të bëjë media pavarësisht formatit të saj për të ndihmuar parandalimin e kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse?

Shkruan: ARTA TAHIRI

Mediat raportuan se tetori është muaji i ndërgjegjësimit dhe sensibilizimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit tek gratë, përmes kontrolleve dhe monitorimit të vazhdueshëm, edhe pse nga kjo sëmundje nuk bëjnë përjashtim as meshkujt.

Të dhënat, megjithatë, tregojnë se nga ky tumor shumë herë më të rrezikuara janë gratë, edhe atë përgjithësisht tek moshat mbi 50 vjet. Edhe pse ky është trendi, të dhënat tregojnë se ky lloj kanceri mund të përfshijë edhe moshat më të reja, që do të thotë se askush nuk mund të jetë imun nga sëmundja.

Nisma apo fushata është mbështetur nga shumë shtete, pasi mjekët e konstatojnë shpesh se diagnostikimi i hershëm është shumë herë më i mirë se sa shërimi. Sipas raportimeve, “fushata vjetore ndërkombëtare synon të shpërndajë informacion dhe të edukojë njerëzit për rëndësinë e shëndetit të gjirit, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat në të gjithë botën”.

Mirëpo, kultura shëndetësore në vendin tonë, por edhe në gjithë Ballkanin, që nënkupton kontrollin mujor apo kontrollin kohë pas kohe te mjeku të grave dhe vajzave, nuk është në nivelin e dëshirueshëm, madje është në nivel minimal.

Sipas parametrave ekonomikë dhe parandalues shëndetësorë, Maqedonia e Veriut bën pjesë në grupin e vendeve me rrezik të lartë nga kanceri i gjirit. Për këtë dëshmojnë edhe të dhënat alarmante të Institutit të Shëndetit Publik për vitin e kaluar, në të cilin 356 gra vdiqën nga kanceri i gjirit, që është pothuajse mesatarisht një grua në ditë.

Edhe Instituti i Shëndetit Publik të Shqipërisë bëri me dije se “bazuar në të dhënat e Agjencisë Ndërkombëtare mbi Kërkimet mbi Kancerin në Botë (GLOBOCAN), e cila përllogarit një vlerësim të situatës reale në çdo vend të botës, kanceri i gjirit ka incidencën më të lartë ndër llojet e kancerit që prekin gratë kudo në botë. Pjesa më e madhe e vdekjeve nga kanceri i gjirit ndodh në vendet me të ardhura të ulëta e mesatare, ku shumica e grave me kancer gjiri diagnostikohen në faza të vonshme”.

Ngritja e vetëdijes dhe reflektimit publik për parandalimin e kancerit të gjirit nuk është detyrim vetëm i mjekëve, por edhe i mediave dhe gazetarëve.

Më erdhi mirë që këtyre ditëve kolegia Arijana Ibrahimi më kërkoi një mesazh sensibilizues kundër kësaj sëmundjeje, të cilin e transmetoi në televizion, së bashku me mesazhet e grave tjera të fushave të ndryshme. Në këtë fushatë, u takon të gjithëve që të japin kontributin e tyre publik.

Për shkak të rolit dhe ndikimit që kanë në shoqëri, mendoj se mediat e ndryshme, sidomos ato më të mëdhatë, pra – televizioni publik (RTVM) që e ka detyrim ligjor dhe profesional, por edhe ato komerciale që kanë licencë nacionale (për emetim në mbarë vendin), si edhe edhe portalet dhe mediat lokale, duhet të kontribuojnë për ndërgjegjësimin e publikut lidhur me këtë sëmundje.

Andaj, edhe përmes këtij shkrimi, apeloj tek mediat që lidhur me problemin të mos raportojnë dhe të mos organizojnë vetëm emisione debati ose të formatit informativ – zbavitës si ato të mëngjesit dhe të pasdites, edhe atë vetëm në ditën e shënimit të vetëdijesimit nga kjo sëmundje ose kur ka fushata publike.

Mediat dhe gazetarët duhet të raportojnë dhe ta trajtojnë tematikisht problemin e kancerit të gjirit por edhe sëmundjeve tjera të rrezikshme në vazhdimësi, sepse kështu do realizojnë misionin e tyre profesional dhe, mbi të gjitha, edhe atë human.

(Autorja është redaktore e lajmeve në TV ALSAT)

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut