Për platformën #Depolarizirajse (#Depolarizohu), e cila është pjesë e projektit “Përmes depolarizimit drejt institucioneve demokratike, stabile dhe gjithëpërfshirëse: Kontributi i shoqërisë civile”, Instituti për Media dhe Analitikë IMA bisedoi me zëvendës-kryetaren e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut përgjegjëse për politikat e qeverisjes së mirë, Sllavica Gërkovskën.

Fokusi i pjesës së parë të intervistës është zbatimi i politikave të mirëqeverisjes për promovimin e institucioneve demokratike dhe sundimit të së drejtës, ballafaqimi me korrupsionin dhe reformat në administratën publike që duhet të rezultojnë në uljen e pengesave burokratike dhe shërbime më të shpejta dhe më cilësore për qytetarët. Në një kontekst më të gjerë, këto tema janë edhe pjesë e negociatave të nisura për anëtarësim në BE.

Gërkovska: Është mirë që ka presion dhe kontroll të opinionit publik mbi politikat e qeverisë

IMA: Çfarë masash po ndërmerr qeveria për të ndërtuar institucione demokratike, me fokus në realizimin e të drejtave të njeriut dhe nevojave të qytetarëve?

Gërkovska: Nëse shikojmë nga perspektiva e kohës, nga momenti kur Maqedonia u bë shtet i pavarur e deri më sot, fakt është se procesi i demokratizimit është një proces që në vendin tonë ka pasur një numër mjaft të madh sfidash dhe në një pjesë madje ka rezultuar në regresion, sepse ishim të cilësuar edhe si shtet i kapur. Dhe, kur shikojmë statusin aktual të proceseve, duhet të shohim se prej ku kemi filluar, sidomos si përbërje e kësaj qeverie, dhe deri ku kemi arritur – dhe, mendoj se do të pajtohemi këtu, se në një kohë të shkurtër e kemi ndryshuar perceptimin.

Mirëpo, nuk është vetëm perceptimi, por edhe transparenca dhe liria e shprehjes, si e mediave ashtu edhe e qytetarëve, dhe të gjithë jemi dëshmitarë se liria e shprehjes që e kanë edhe qytetarët pa e ndjerë se mund të ketë pasoja për qëndrimin e shprehur, për mendimin e shprehur, si në mediat sociale ashtu edhe në media, por, gjithashtu, edhe gazetarët – rezultuan edhe me presion dhe kontroll mjaft të fuqishëm nga opinion publik mbi politikat dhe veprimet që bën qeveria. Dhe, mendoj se është mirë, sepse transparenca është një nga mekanizmat kryesorë të kontrollit dhe një nga përfitimet më të mëdha të demokratizimit.

Gërkovska: Besimi i ulët në gjyqësor është problem serioz, qytetarët duan të shohin që drejtësia është e barabartë për të gjithë

IMA: Në një rast deklaruat: “Qytetarët kërkojnë drejtësi, kërkojnë sundim të ligjit, kërkojnë barazi para ligjit dhe ne duhet t’ua japim atë.” Çfarë bën qeveria konkretisht për t’u mundësuar qytetarëve që të kenë sundim të ligjit dhe barazi para ligjit?

Gërkovska: Kur është fjala për legjislacionin, sepse ajo pjesë është përgjegjësi e qeverisë, ne kemi zgjidhje të mira ligjore sipas të gjitha parametrave. Ajo që mungon është zbatimi i duhur i tyre. Dhe qytetarët kanë të drejtë që reagojnë, në këtë pjesë më së shumti, për fat të keq vërejtjet i drejtohen sistemit të drejtësisë, dhe më vjen shumë keq që shpresa që patëm të gjithë me krijimin e Prokurorisë Speciale Publike thjesht u shemb dhe i shkatërroi shpresat e qytetarëve se mund të arrihet shpejt drejtësia dhe vendimet e drejta ndaj atyre që shkelën ligjet dhe që nuk u sollën sipas rregullave pozitive ligjore. Ata ishin thjesht të nënshtruar ndaj veprimeve korruptuese dhe kriminale.

Kjo përqindje e vogël e mbështetjes apo besimit te gjyqësori është një problem serioz, sepse ky është perceptimi që kanë qytetarët për vendimet që marrin autoritetet gjyqësore për ato çështje që janë me interes publik. Këto janë kryesisht për ish-politikanë dhe biznesmenë, dhe mbizotëron opinioni se thjesht kushdo, me para, shumë para, mund ta blejë lirinë. E qytetarët duan të shohin se pa dallim nëse dikush është politikan, biznesmen, apo qytetar pa ndonjë status në shoqëri, drejtësia të jetë e barabartë për të gjithë. Dhe, kjo është sfida më e madhe që organet e drejtësisë duhet ta tejkalojnë dhe të tregojnë se të gjithë jemi të barabartë përpara ligjit dhe se të gjitha vendimet që ata marrin janë ekskluzivisht sipas ligjit, pavarësisht se për kë zbatohet.

Gërkovska: Transformimi digjital do të kontribuojë në ulen e korrupsionit dhe përshpejtimin e proceseve

IMA: Megjithatë, shpeshherë administrata kritikohet se fshihet pas sundimit të ligjit, për t’i justifikuar procedurat burokratike që shpesh pengojnë ushtrimin e të drejtave themelore të njeriut. Çfarë po ndërmerr qeveria dhe ministritë për të lehtësuar procedurat burokratike dhe për t’i tejkaluar këto pengesa burokratike për të cilat ankohen një numër i madh qytetarësh?

Gërkovska: Jam plotësisht dakord me një konstatim të tillë dhe jam e bindur që procesi i transformimit digjital të shoqërisë do të kontribuojë pashmangshmërisht në tejkalimin e këtyre problemeve, sepse reduktimi i kontaktit fizik ndërmjet kërkuesit dhe ofruesit të shërbimit thjesht do të kontribuojë në uljen e korrupsionit dhe përshpejtimin e proceseve.

Si kryetare e Këshillit Kombëtar për Transformimin Digjital të Shoqërisë, të cilin e krijuam para do kohe, dhe që përfshin të gjithë aktorët që kanë detyrimin për një gjë të tillë, edhe shoqatën e bankave, odat ekonomike, edhe universitetet që prodhojnë stafin e ITK-së, BNJVL-në, dy komisionet parlamentare për buxhet dhe për transport dhe lidhje, disa ministri që kanë bazat më të mëdha të të dhënave etj. – e kemi adoptuar konceptin e transformimit digjital të shoqërisë, i cili paraqet një dokument bazë, në bazën të së cilit duhet të ndërtohen të gjitha strategjitë e mëtejshme.

Paralelisht me këtë, hyn në detyrim, detyrimi amë i Ministrisë së Shoqërisë Informative dhe Administratës – digjitalizimi i proceseve me ndihmën e projekteve nga Bashkimi Evropian. Fatkeqësisht, ai proces nuk është aq dinamik sa do të doja unë personalisht, por shpresoj që ministri i ri do të fusë një qasje më ndryshe dhe me dinamikë më të madhe për t’i përshpejtuar këto çështje.

Gërkovska: Korrupsioni është problem shoqëror, të gjitha institucionet duhen të jenë përgjegjëse dhe të kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale

IMA: Edhe ju vetë jeni në dijeni që qytetarët dhe opinion publik reagojnë ndaj rasteve të shumta të korrupsionit, keqmenaxhimit dhe shpërdorimit të detyrës. Çfarë po ndërmerr qeveria për parandalimin e korrupsionit dhe çfarë masash konkrete po merr për të luftuar korrupsionin, më konkretisht për t’u kërkuar llogari të gjithë atyre që nuk punojnë dhe nuk veprojnë në përputhje me ligjet?

Gërkovska: Kur flasim për përgjegjësitë që ka kabineti im në këtë pjesë, unë jam përgjegjëse për monitorimin e respektimit të kodit të etikës nga zyrtarët e zgjedhur dhe emëruar nga qeveria. Edhe ne kemi pasur disa raste deri më tani, opinioni publik tashmë është i njoftuar për këtë dhe me këtë kemi treguar se për ne nuk është e rëndësishme se për kë bëhet fjalë, sepse marrim vendime vetëm në bazë të argumenteve që i kemi si dokumente.

Nga ana tjetër, ne i kemi detektuar dobësitë në sistem gjatë vitit të kaluar. Kemi pasur në disa segmente, në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, me sektorin joqeveritar, dhe veç më për këtë vit kemi rënë dakord për aktivitete që do të fokusohen në tejkalimin e dobësive sistematike që i kemi konstatuar.

Mes tjerash, e dini se të gjithë po reagojnë për mënyrën e emërimit të ushtruesve të detyrës së drejtorëve. Në fazën përfundimtare, më duhet të them se është ligji për konfiskimin e pasurisë në proceset jashtëgjyqësore, që sipas bindjes sime të madhe, do të japë një kontribut shtesë për plotësimin e vrimës në legjislacion, që do të jetë thjesht një aset shtesë për të treguar se korrupsioni nuk është fitimprurës dhe krimi nuk paguhet.

E kam thënë shumë herë që këto çështje nuk janë çështje që mund t’i zgjidhë një person, as një ministri, as një qeveri, se ky është një problem shoqëror me të cilin duhet të përballemi dhe ta kundërshtojmë secili në kapacitetin tonë. Dhe, në atë seri institucionesh që janë përgjegjëse për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, të gjithë duhet të jenë të përgjegjshëm dhe të kryejnë me profesionalizëm punën e tyre në kuadër të kompetencave të tyre. Nëse një hallkë është më e dobët, ai është një sistem enësh të lidhura – nëse keni sukses nga ana e policisë në arrestimin e kriminelëve, mirëpo nëse kjo nuk ka përfundim në prokurori dhe në gjyqësor – atëherë rezultati nuk është pozitiv.

Pra, përsëri, bëhet fjalë për faktin se, thjesht, organet gjyqësore duhet të ndalin solidarizimin me kolegët e tyre që u nënshtrohen ndikimeve të tilla – kemi pasur edhe akuza për ndikime të politike – biznesore nga një anëtar i këshillit gjyqësor, e kështu me radhë. Megjithatë, mendoj se, për të luftuar për rolin e tyre të vërtetë, si të them, dhe për t’i dhënë një imazh të vërtetë shumicës së anëtarëve të sistemit të drejtësisë – ata duhet të gjejnë një mekanizëm për të luftuar mes tyre dhe për të sanksionuar kolegët e tyre që vënë njollë mbi ta. Unë jam gjithmonë kundër përgjithësimit, flas gjithmonë për përgjegjësi individuale dhe e di që nuk është e këndshme kur flasim për profesione të tëra, dhe në realitet të gjithë e dimë se bëhet fjalë për një grup të vogël që lë gjurmë në një profesion të tërë dhe kjo nuk është korrekte, nuk është e drejtë ndaj të tjerëve.

Gërkovska: Transparenca është një ndër mjetet kryesore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

IMA: Besimi në gjyqësor është mjaft i ulët, por edhe besimi tek institucionet në përgjithësi, duke përfshirë institucionet qeveritare në perceptimin e publikut, është gjithashtu i ulët. Si mund të rritet, sipas jush, besimi i qytetarëve në institucionet qeveritare, duke pasur parasysh se hulumtimet tregojnë mosbesim të shtuar? A mund të rendisni disa shembuj të mirë të politikave ndërsektoriale, sepse ato janë të rëndësishme, e gjithashtu edhe roli juaj, në një farë mënyre, si zëvendëskryeministre përgjegjëse për qeverisjen e mirë, është ndërsektorial – a ka praktika të mira të bashkëpunimit ndërsektorial, politika ndërsektoriale, të cilat mund të quhen politika të qeverisjes së mirë?

Gërkovska: Në thelb, gjithçka që bëjmë, shumicën e gjërave i bëjmë është në bashkëpunim me institucionet tjera. Këtu, dua të shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe fidbekun që e kemi nga ana e tyre. Përmenda Këshillin Kombëtar për Transformimin Digjital të Shoqërisë, i cili është një shembull mjaft i mirë i bashkëpunimit ndërsektorial. Ligjin që e përmenda e bëjmë bashkë me institucionet e tjera.

Ju e dini që kemi bërë një udhëzues transparence që gjithashtu ka qenë me të gjitha institucionet –  kërkuam nga të gjitha institucionet që të na japin një listë të të gjitha informatave që janë kërkuar më shpesh nga qytetarët në dy vitet e fundit. Mblodhëm dokumentacion prej rreth njëqind faqesh dhe së bashku me Qendrën për Menaxhimin e Ndryshimeve dhe Agjencinë për Qasje të Lirë në Informacionet Publike i kategorizuam, bëmë një udhëzim dhe në bazë të atij udhëzimi dhamë detyrim për të gjitha institucionet, ministritë dhe institucionet – të publikojnë informacionet e specifikuara në udhëzim pa u kërkuar nga qytetarët. Dhe në këtë mënyrë, nga njëra anë, ua lehtësuam qytetarëve marrjen e menjëhershme të informacioneve që rezultoi se i kanë kërkuar më së shumti në dy vitet e fundit. Dhe, nga ana tjetër, ne mundësojmë efikasitet më të madh të administratës, në vend që të përgjigjen vazhdimisht për të njëjtat pyetje, ata mund të fokusohen në diçka tjetër. Qëllimi i kësaj ishte nxitja e transparencës proaktive, sepse ne besojmë se transparenca është një nga mjetet kryesore në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Intervistoi: Petrit Saraçini, më 12.04.2023

Kamera dhe montazhi: Zharko Trajanoski

Transkripti dhe përkthimi: Meriton Tusha

#демократски_институции #institucione_demokratike #democratic_institutions #CivicaMobilitas

​Projekti realizohet me mbështetje financiare përmes programit Civica Mobilitas
Picture

Disclaimer: Civika mobilitas është projekt i Agjencisë zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim (SDC), të cilin e zbatojnë NIRAS, MCMS dhe FCG. Mendimet e shprehura këtu jo domosdo i reflektojnë qëndrimet e Cvika mobilitas, SDC ose të organizatave zbatuese.