Më 21 dhe 22 shtator 2023, më tepër media në vend me tekste pothuajse identike publikuan dezinformatë se në Nju Jork, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Zelenski dhe Ukraina u pritën me një billbord digjital ku në vend të “Lavdi Ukrainës” shkruhej “Lavdi Urinës”.

Siç mund të shihet nga grumbulluesit e lajmeve time.mk dhe grid.mk, në mesin e mediave që kanë publikuar dezinformatat janë edhe televizione kombëtare dhe portale me shumë ndikim.

Dezinformata u publikua në Veçer Press dhe Slloboden Peçat (i cili ndërkohë e ka hequr tekstin), në +InfoMakfaxFaktorVo CentarOpserverMMSToçkaKajganaSitellSkopje 1Kanal5Skopsko EhoInfomaxMnetPress24, dhe ueb faqe tjera.

Dezinformata u vu në kornizë mediatike me shprehje sensacionale si “gafë e madhe”, “gafë e pabesueshme”, “gabim i turpshëm”, “marre e paparë”, edhe pse “gafa”, “gabimi”, “marrja” dhe “turpi” nuk janë as të OKB-së e as të Nju Jorkut, por të mediave maqedonase, të cilat edhe një herë u bënë viktima të dezinformatave ruse.

 

Skrinshot nga botimet mediatike në time.mk dhe grid.mk

 

Në disa prej postimeve si burim i informacionit tregohet portali serb B92, ndërsa si burim i drejtpërdrejtë kumtohet postimi i profilit propagandistik rus në Twitter (Ex) Sprinter, i datës 21 shtator 2023, i cili pretendon:

“Lavdi urinës!” Kishte një mesazh përshëndetës për arritjen e Zelenskit në Nju Jork. Por në vend të Lavdi Ukrainës, në flamur shkruante Lavdi Urinës…”.

Edhe pse nën tekstin e tuitit është shtuar “kontekst i imazhit” dhe informacion se bëhet fjalë për video të ndryshuar në mënyrë digjitale, mediat maqedonase kanë raportuar dezinformatën nga kanali propagandistik rus, por jo edhe informacionin se “kjo video është e ndryshuar në mënyrë digjitale”.

 

Skrinshot nga tuiti i profilit propagandistik Sprinter, 21 shtator 2023

 

Përndryshe, videoja e ndryshuar në mënyrë digjitale u publikua më 21.09.2023 në Telegram kanalin e Maria Zaharovës, zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Jashtme Ruse, ku ajo rrejshëm pretendon se “nuk është fejk”.

Mirëpo, dezinformata për videon është zbardhur nga shërbimi i verifikimit të fakteve të Associated Press, i cili më 21 shtator 2023 botoi se bëhet fjalë për një “video të fabrikuar“: “Asnjë reklamë në lidhje me Ukrainën nuk është transmetuar në billbord…”, kumtoi AP duke u thirrur në informacion nga kompania që menaxhon billbordin.

Edhe kontrolluesit e fakteve në Snopes më 21 shtator raportuan se fraza “Lavdi Urinës” u bë një top-temë në SHBA në Twitter, e cila është pasuar nga një “video false“.

Edhe shërbimi i kontrollit të fakteve të AFP më 22 shtator e përgënjeshtroi videon me mesazhin e rremë, duke thënë se ajo përshtatet në skemën e informatave të gabueshme të cilat vënë në shënjestër Ukrainën.

Pavarësisht se “videoja e fabrikuar” u përgënjeshtrua që më 21 shtator, një ditë më pas, një duzinë media maqedonase u bënë viktima të dezinformatave ruse që u përpoqën të diskreditonin vizitën e Zelenskit në Nju Jork dhe fjalimin e tij në OKB më 20 shtator 2023.

Edhe ky rast tregon se sa e cenueshme është hapësira mediatike maqedonase ndaj dezinformatave propagandistike ruse, për shkak të kapacitetit të pamjaftueshëm të mediave për të kontrolluar faktet.

Zh.T dhe P.S