Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik (SPGPM) dhe Këshilli për Etikë në Media (KEMM) vlerësojnë se vendimi i djeshëm i gjykatës kundër IRL-së është shkelje e dinjitetit të profesionit të gazetarit, sulm ndaj integritetit të gazetarëve dhe lirisë së shprehjes në Maqedoni – thuhet në kumtesën e këtyre organizatave.

Sipas këtyre organizatave, në seancën gjyqësore në Gjykatën Themelore Civile në Shkup të mbajtur më 24.10.2023, ku para të pranishmëve në sallën e gjyqit gjykatësja Jovanka Spirovska Paneva e shpalli aktgjykimin lidhur me padinë për përgjegjësi civile për fyerje dhe shpifje nga Koço Angjushev (ish-zëvendëskryeministër në Qeverinë e RMV-së) kundër Laboratorit të Reporterëve Hulumtues (IRL) dhe kryeredaktores Sashka Cvetkovska –  ky aktgjykim paraqet një disfatë, e cila e vendos interesin privat të një biznesmeni të fuqishëm para interesit publik dhe interesit të qytetarëve dhe nuk e merr parasysh parimin e një pragu më të lartë të tolerancës ndaj kritikave që duhet të ekzistojë tek personat pubik, veçanërisht ata që mbanin poste të larta publike.

“Në sallën e gjyqit para të pranishmëve, gjyktësja Spirovska Paneva, në vend të arsyetimit të detajuar të aktgjykimit, në mënyrë tejet skandaloze, të turpshme dhe joprofesionale ndau kualifikime se “IRL është e regjistruar si shoqatë e qytetarëve”, dhe e quajti të pandehurën si :  “Gazetarja që u paraqit si gazetare hulumtuese”, duke aluduar në Sashka Cvetkovskën, me qëllim të diskualifikimit të punës gazetareske të medias. Krahas kësaj, gjykatësja Spirovska Paneva theksoi se Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë ka krijuar cirk duke dorëzuar kallëzim në Këshillin Gjyqësor për ta thirrur në përgjegjësi atë, ndërsa para të pranishmëve ka lënë përshtypjen se pikërisht me këtë parashtresë SHGM ia ka dëshmuar se ajo e kishte sjellë vendimin e duhur, edhe pse e njëjta gjykatëse në aktgjykimin e parë me të njëjtat prova nuk gjeti elemente shpifjeje”, thuhet në kumtesën e organizatave profesionale të gazetarëve.

Nga ana tjetër, organizata shprehen të befasuara negativisht nga Feroinvest, të cilët sipas ShGM, KEMM dhe SPGPM, gjatë ditës së 24.10.2023 nëpërmjet njoftimeve komerciale në media ka tentuar të qërojë hesape me gazetarët, duke shpërndarë ofendime personale, si dhe duke bërë thirrje për linçim institucional të organizatave të shoqërisë civile. “Besojmë se në këtë mënyrë tentohet të ndikohet në vendimet e mëtejshme të gjykatës”, vlerësojnë organizatat në kumtesën e tyre.

“Prandaj theksojmë  me vite se paditë strategjike kanë një qëllim tjetër, pra përdoren si mekanizëm për të dekurajuar median, për të zhvlerësuar punën gazetareske dhe për të shterur burimet e medias para gjykatave. Pikërisht këto elemente të kurorëzuara me verdiktin e dhënë në këtë proces, janë mishërimi i proceseve gjyqësore SLAPP (paditë strategjike për të penguar pjesëmarrjen e publikut). Këto procese gjyqësore, sidomos kur iniciohen nga politikanë, persona të fuqishëm ekonomikisht dhe bartës të posteve publike, mund të shkaktojnë censurë tek gazetarët, duke cenuar kështu të drejtën e qytetarëve për informim. Qëllimi nuk është të arrihet drejtësia, por të keqtrajtohen të pandehurit, për t’i demotivuar ose për të hequr dorë nga kritika publike”, thuhet në kumtesë.

Për këtë rast, si Federata Evropiane e Gazetarëve (FEG) poashtu edhe Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (FNG) kanë pasur një reagim për transparencën, por edhe për vetë vendimin. “Shoqatat e gazetarëve do të vazhdojnë të monitorojnë gjithë procesin deri në përfundimin e tij. Prandaj i kërkojmë publikut të qëndrojë i përmbajtur, të mos përdorë komente fyese dhe shpifëse, sepse rezultati do të pasojë me shfrytëzimin e të gjitha  mjeteve juridike”, theksohet në kumtesë.